Elbasani për herë të parë i ndarë, gati derbi brenda… qytetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 20:17

Elbasani për herë të parë i ndarë, gati derbi brenda… qytetit

Elbasani për herë të parë do të… ndahet. Tingëllon çuditshëm, por në qytet po përgatiten për derbi. Kurrë nuk e kanë përjetuar një të tillë (përtej ndonjë përballjeje brenda qarkut). Por, kjo do të ndodhë gjatë sezonin 2022-2023 në Kategorinë e Dytë. “KF” dhe “AF” do të jenë kundërshtarët më të rinj në qytet.

AF ELBASANI 3

Të dyzuar janë edhe tifozët. Ata më nostalgjikët do të vazhdojnë të mbështesin klubin e titujve, por të shumtë janë edhe ata që përkrahin klubin e krijuar vetëm një vit më parë nga bashkia. KF Elbasani, për fat të keq, nuk ia doli që këtë sezon të ngjitej, ndërsa AF Elbasani arriti të shpallej kampion i Kategorisë së Tretës.

Rrjedhimisht, shansi e do që këto dy ekipe të luajnë sezonin e ardhshëm si kundërshtarë, gjithnjë nëse do të jenë në të njëjtin grup. Planet për këto dy skuadra janë që sezonin e ardhshëm të jenë pretendente të Kategorisë së Dytë dhe puna për ndërtimin e skuadrave ka nisur që tani. Madje, duke qenë se “Elbasan Arena” do të jetë pak më i liruar nga ekipet e tjera, sepse thuajse u akomoduan me fushat e tyre, pritet që dy skuadrat e qytetit t’i luajnë ndeshjet në këtë impiant.

AF ELBASANI

Edhe pse një skuadër e krijuar pak muaj më parë, AF Elbasani dha rezultate menjëherë që në vitin e parë. Me financa të shëndosha, ku mbështetet nga bashkia dhe bizneset në këtë qytet, ka në plan që të ngjisë vit pas viti nga një kategori për të shkuar deri në elitë. Skuadra është duke vijuar normalisht përgatitjet, edhe pse kampionati është mbyllur.

Konfirmohet në pankinë Gentian Stojku dhe një pjesë e mirë e futbollistëve të edicionit të kaluar, të cilët do të përbëjnë bazën e skuadrës. Burime pranë klubit pohojnë se kanë nisur kontaktet që tani me lojtarë cilësorë, ku nuk mungojnë as ata nga Superiorja. Ngjitja në të Parën konsiderohet jo vetëm objektiv, por edhe si detyrim për të gjithë në klub, arsye edhe për të cilën u krijua më 21 qershor të vitit 2021.

KF ELBASANI Pak më ndryshe situata me ekipin e mëparshëm të KF Elbasanit, që vijnë nga një sezon i dështuar. Kjo, edhe për faktin se i humbi mbështetja më e madhe, ajo e presidentit historik, Arben Laze, për shkak se u nda nga jeta në fillim të këtij viti.

Megjithatë, aksionet i zotëron familja Laze dhe, sipas burimeve, duan të vazhdojnë kontributin për këtë klub dhe ta dërgojnë sërish në majat e futbollit shqiptar. Me mbylljen e sezonit, ekipi ka marrë pushimet, ndërsa trajner me shumë gjasa do të vijojë të jetë Anxhelo Suta. Pritet që merkatoja të vijojë me lojtarë të huaj nga tregu amerikano-latin, teksa këto ditë në Brazil ka udhëtuar vetë Suta për të parë nga afër futbollistë që mund t’i bëjnë punë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"