Elbasani i varur nga starti, ja statistikat në një dekadë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2019 | 16:42

Elbasani i varur nga starti, ja statistikat në një dekadë

Pasi u hodh shorti dhe zbuluan emrin e kundërshtarit, te Elbasani kanë nisur punën për ndeshjen hapëse të sezonit 2019- 2020. Me Apoloninë përballë, qëllimi mbetet marrja e pikëve. E lehtë nuk do të jetë, por në klub duan që ta nisin mbarë këtë vit. Sfida e parë assesi nuk mund të konsiderohet vendimtare, kur dihet që kampionati është i gjatë. Por, në aspektin moral ndikon shumë.

Elbasani

Të paktën kështu ka ndodhur me elbasanasit dekadën e fundit, ku rezultati i javës së parë ka qenë një “barometër” për sezonin që ka zhvilluar skuadra. Fitorja nënkupton ngjitjen një kategori më lart, barazimi përkthehet me rrezik, ndërsa humbja me… rënien nga kategoria. Të paktën kështu ka ndodhur deri më tani, pasi historia mund të ndryshojë këtë vit.

STARTI

Për të përligjur rëndësinë e ndeshjes së parë, “Panorama Sport” ka bërë një hulumtim të startit që kanë bërë verdheblutë 10-vjeçarin e fundit. Bie në sy që në tetë raste kanë qenë pritës dhe vetëm në dy udhëtues, ndërkohë që bilanci nuk mund të konsiderohet as pozitiv dhe as negativ, pasi kanë fituar në katër raste, barazuar tre dhe humbur po tre. Atëherë, në të katërta rastet që elbasanasit e kanë nisur kampionatin me fitore, tri herë janë ngjitur një kategori më lart dhe një herë luftuan deri në fund për të shkuar më lart.

nisja

Në vitin 2009-2010 mposhtën Besëlidhjen 1 me 0 në Kategorinë e Parë dhe në fund të edicionit kaluan në elitë, ashtu si në 2013-2014 ku mundën Tërbunin 2 me 1 dhe siguruan Superioren. Në 2017-2018 triumfuan 4 me 1 me Përmetin dhe nga e Dyta u ngjitën në të Parën, ndërsa në sezonin 2012-2013 thyen Naftëtarin 2 me 0 dhe deri në fund ishin pretendentë për të qenë në mesin e më të mirëve. Barazuan në 2010-2011 me Tiranën në Superiore, por nuk i shpëtuan dot rënies, ndërsa siguruan qëndrimin në 2011-2012 pas “X”-it përballë Skraparit dhe në 2015-2016 kundër Lushnjës.

Kur ekipi e ka nisur me humbje, një herë ka rënë nga Kategoria e Parë në të Dytën, siç ishte ai i sezonit 2016- 2017, kur u mposht prej Turbinës në shtëpi. Një herë tjetër shpëtoi nga një ndeshje “play-out”, pikërisht në 2018-2019, ku e mundi Orikumi, por e siguroi qëndrimin me ndeshje shtesë me Luzin 2008. Humbja ndaj Skënderbeut në 2014-2015 i rrëzoi në fund të sezonit nga elita. Kështu pra, ndeshja e parë do të thotë shumë për Elbasanin, të paktën sipas statistikave të dekadës së fundit.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"