EKSKLUZIVE/ Zyrtari i Shkëndijës nxjerr sekretet: Zhunior më nevriku, Hasani është numri një për ngacmime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2021 | 9:41

EKSKLUZIVE/ Zyrtari i Shkëndijës nxjerr sekretet: Zhunior më nevriku, Hasani është numri një për ngacmime

Kukësi-Partizani është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Jo vetëm sepse tashmë kemi hyrë në fazën e tretë të kampionatit, por sepse asnjëra prej të dyja ekipeve nuk është në kushte komode sa i përket objektivave që kanë. E themi këtë sepse Partizani është ende 6 pikë larg kryesuesve të Vllaznisë, ndërkohë që Kukësi ka shumë konkurrencë edhe për një vend në Kupat e Europës. Dueli mes tyre mbart edhe një sfidë tjetër brenda: atë të ishlojtarëve të Shkëndijës së Tetovës. Dhe janë shumë, duke filluar nga Ferhan Hasani, Egzon Belica dhe Stenio Zhunior te Partizani, e mandej Agim Ibraimi, Gjelbrim Taipi dhe Besir Demiri te Kukësi. Ka shumë pritshmëri rreth tyre, jo vetëm sepse kanë shumë cilësi, por sepse në skuadrat respektive pritet që të bëjnë gjithnjë diferencën. Po çfarë karakteri kanë ata? Çfarë i bën të ngjashëm dhe cila është veçoria e tyre? Pak ditë më parë për gazetën foli Ardian Cuculi, që jo vetëm ka luajtur me shumicën e tyre te Shkëndija, por ka veshur edhe fanellat e Partizanit dhe Kukësit. E megjithatë, ka edhe nga ata si Faton Zylbehari që i njeh në detaje. Po flasim për përgjegjësin e zyrës për shtyp të klubit të Shkëndijës së Tetovës dhe njëkohësisht përgjegjës i zyrës për shtyp i Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut. Ai tregon për “Panorama Sport” disa sekrete të këtyre lojtarëve.ZYLBEHARI HASANI

Çfarë vlerësoni më shumë te këta lojtarë?

Vlerat njerëzore që i karakterizojnë secilin prej tyre dhe jo vetëm. Nëse flasim si ish-Shkëndija, shtojmë edhe Egzon Belicën e Partizanit dhe Gjelbrim Taipin e Kukësit, ndërsa nuk kisha ndarë nga kjo listë as Rron Brojën që është super djalosh dhe e kam shumë mik, si dhe Jasir Asanin. Të gjithë pa përjashtim, përveç se janë futbollistë cilësorë, janë djem të shkëlqyeshëm.

Kush prej tyre ishte më serioz dhe nuk pranonte shaka gjatë punës?

Zhunior, kur erdhi te Shkëndija nga radhët e Pelisterit në vitin 2014, nuk ishte se kapte menjëherë atë stilin dhe batutat e tetovarëve. Besir Demiri, gjithashtu është djalë shumë i mirë, por pak më serioz e i qetë, për dallim nga dy tjerët që dinë me batutat e tyre të vendosin në llojlloj pozite.

Cili ishte më përcaktues për ekipin dhe kush i vendoste më  shumë ndeshjet te Shkëndija?

Në periudha të ndryshme kohore secili ka qenë vendimtar në detyrën e tij. Duke i pasur miq secilin prej tyre, nuk është mirë të bëj diferencime dhe po flas kryekëput në bazë të statistikave. Viti 2018 ishte më i suksesshmi në historinë e Shkëndijës në drejtim të dominimit duke fituar dy titujt, kampionatin me 35 pikë para vendit të dytë dhe Kupën e Maqedonisë. E tani në këtë sezon Ferhan Hasani si mesfushor ofensiv ishte autor i 22 golave, pa llogaritur asistet dhe penaltitë shumicën e të cilave i gjuante Besart Ibraimi. Normal, Agim Ibraimi ka dhënë për klubin, ashtu si Zhunior që është bindshëm lojtari më i mirë i huaj që ka luajtur te ne, ashtu si Demiri që dha shumë kontribut në arritjen e parë të Shkëndijës në “play-off” të UEFA Europa League në vitin 2016, sukses që më pas Shkëndija e përsëriti edhe dy herë tjera. Vlen të ceket se edhe pse në periudhë ndryshe, para hyrjes së kompanisë “Ecolog” në Shkëndijë kur klubi kishte probleme të mëdha financiare, Gjelbrim Taipi ka shënuar një gol kundër Vardarit që ekipit i dha fitore 2-1 dhe e dini mirë impakti që jep në tifozëri kur vendos derbin.

Cili është më nevrik ndër këta të katërt?

Nëse e keni për manifestime nervoze në punë, duke qenë tip që gjithmonë jep maksimumin e forcës fizike, Zhunior edhe të del nga vetja me ndonjë start mbi kufirin e të të lejuarës. Por Buba dhe Agimi nuk është se nuk kanë pasur momente kur kanë dalë nga vetja, posaçërisht në duelet kundër Vardarit.

Kush bënte shaka më shumë dhe ia ngrinte humorin skuadrës?

Jo se dua t’i bëj qefin dikujt, por në aspekt negativ s’kam asnjë fjalë. Ndërkohë për batuta e shaka Buba (Ferhan Hasani) është “haxhuzja” (fjalë që përdoret në Tetovë për ngacmuesin) numër një.

13428607_597306490424624_4832042416513795587_n

Cili ishte më kritik me shokët e skuadrës kur gjërat nuk shkonin mirë?

Nuk besoj se ndonjëri prej këto lojtarë do të pranonte paraqitje të keqe të ekipit, por dike parë statusin në skuadër, si kapiten Ferhan Hasani gjithmonë është dalluar si me kritika ashtu edhe me motivim të bashkëlojtarëve. Agimi gjithashtu ka cilësitë e një lideri, kudo që ka luajtur është imponuar si lider dhe jo rastësisht edhe te Kukësi iu besua shiriti i kapitenit pak kohë pasi u bashkua me skuadrën.

Kush ka qenë më i dashur për tifozët e Shkëndijës?

Shihni, Ibraimi dhe Hasani janë fëmijë të Shkëndijës dhe ata fituan dashurinë e publikut që në moshë shumë të re. Kjo bëri që ata të ndiqeshin dhe të kishin mbështetje kudo që luanin e që më vonë kthimi i tyre në skuadër pritej me shumë kënaqësi e bujë. Zhunior fitoi zemrën e publikut për shpirtin sakrifikues, angazhimin që jepte dhe faktin që gjithmonë që i shënonte Vardarit, festonte duke bërë shqiponjën me duar. Demiri është djalë i qetë që publiku e deshi shumë, por opinioni tetovar kurrë nuk ia fali transferimin te rivali i Shkëndijës, Vardari.

Cilin prej tyre kritikonin më së shumti trajnerët?

Këtë se them sepse nuk dua Ilir Daja e Mirel Josa t’i marrin në sy të keq…(qesh).

Ferhan-Hasani

Kush e fiton ndeshjen Partizani-Kukësi?

Janë në lojë 90-të minuta në të cilat dy ekipet hyjnë me shanse të barabarta edhe pse personalisht Partizanin e shoh më lartë. Në aspekt psikik të kuqtë janë gjithashtu përpara sepse problemet e tyre vinin shkaku i bllokimit që kishin në merkato, ndërkohë Kukësi ka vuajtur ndryshimet e shumta dhe pavarësisht vlerave që ka ofruar me këta ish-lojtarët e Shkëndijës, fakt është që ende nuk kanë bindur.

Cili prej tyre mund ta vendosë këtë ndeshje?

Secili pa përjashtim edhe pse dihet se lojtarët e fazës sulmuese gjithmonë kanë mundësi të spikasin. Agim Ibraimi shpejt është konfirmuar lider te Kukësi, duke shënuar në vazhdimësi dhe me potencialin që ka mund të vendos në çdo moment, jo vetëm me ndonjë gol, goditje dënimi apo mjeshtëri të tij, por edhe me asiste që e karakterizojnë. Buba pa dyshim është vlerë e shtuar e Partizanit, por duke qenë i kyçur me vonesë në skuadër mendoj se ende nuk është fizikisht në nivelin e dëshiruar edhe nga vetë ai. Junior tashmë po kap ritmin, luajti ca ndeshje, tashmë e shohim titullar, shënoi gol në takimin e fundit dhe Partizani do të ketë ndihmë të madhe nga ai.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"