EKSKLUZIVE/ “Tiranë, sulmo nga krahët dhe portierin”, Peço “spiunon” Jang Boisin: Bardheblutë i favorizon shumë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2020 | 18:30

EKSKLUZIVE/ “Tiranë, sulmo nga krahët dhe portierin”, Peço “spiunon” Jang Boisin: Bardheblutë i favorizon shumë… (E PLOTË)

 

Arjan Peço, ish-mes fushori i Dinamos dhe Partizanit, si dhe i Kombëtares, prej dy dekadash jeton në Zvicër dhe ushtron edhe profesionin e trajnerit të futbollit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” bën një skaner të hollësishëm të Jang Bojsit, kundërshtarit të sotëm të Tiranës. 45-vjeçari tregon përparësitë që ka skuadra zvicerane ndaj bardhebluve, që sipas tij, shanset i ka më të pakta, por duke qenë sfidë me ndeshje teke, gjithçka mund të ndodhë. Peço tregon përparësitë dhe pikat e forta të Jang Bojs, por tregon edhe pikat e dobëta të kampionëve të Zvicrës, që Tirana duhet t’i shfrytëzojë, siç janë dy mbrojtësit e krahëve dhe portieri.

peco

Trajneri shqiptar e njeh mirë kundërshtarin e bardhebluve dhe shpreson që ata të hyjnë shpejt në ritmin e lojës, aq më shumë i penalizon fakti se në Shqipëri nuk luhet kampionati. Ndonëse nuk dëshiron të përfshihet në çështjen e bojkotit të futbollit të luajtur në Shqipëri, ai pohon se i vjen keq që nuk luhet në fushë. Në fund ai flet edhe për Partizanin, ku bllokimin e merkatos e shikon si një mundësi që duhet shfrytëzuar për promovimin e të rinjve, gjë e cila duhet të bëhet traditë dhe platformë pune për klubet shqiptare.

Si e shikoni përballjen Jang Bojs-Tirana?

Jang Bojs mendoj se ka disa avantazhe më tepër: 1- Ekip i konsoliduar dhe që vjen nga një periudhe pozitive, 3 here resht kampion i Zvicrës. 2- Ekip shumë i fortë fizikisht, me lojtarë shtatlartë dhe të fuqishëm. 3- Luan një futboll të thjeshtë, kërkon të vertikalizojë shumë shpejt dhe luan me krosime të shumta nga të dy krahët. 4- Përpos këtyre, kanë ritëm kampionati, gjë që Tirana nuk e ka.

Sa shanse kanë bardheblutë sipas jush?

Shanset e Tiranës nuk janë të shumta, por në një ndeshje futbolli mund të ndodhe çdo gjë. Duhet të ambientohet shumë shpejt me fushën me bar artificial dhe të përpiqet, pavarësisht se nuk ka pasur ritëm loje, që të hyje sa më shpejt në lojë, sidomos 15 minutat e para.

Çfarë duhet të kenë kujdes?

Kujdes duhet të ketë sulmuesin Nsame dhe lojën nga krahët të Ngameleau dhe Fastnasht. Po ashtu, të mos i lë kundërshtarit mundësinë për të krijuar shumë goditje standarde, sepse kjo është një armë e fortë e Jang Bojs dhe ato ekzekutohen shumë mirë nga Sulejmani.

A i favorizon fakti që luajnë vetëm një ndeshje?

Ky fakt e favorizon shumë. Fakti që nuk udhëton në kohën e Koronavirusit është shumë pozitiv. Gjithashtu, siç e përmenda edhe më lart, fusha me bar artificial ka një specifikë tjetër dhe Jang Bojs e shfrytëzon këtë fakt edhe në kampionatin zviceran.

Kush është lojtari më i rrezikshëm i Jang Bojs?

Nsame, golashënuesi më i mire i Superligës zvicerane në vitin e fundit. Por në këto 3 ndeshjet e fundit nuk ka shënuar asnjë gol dhe ka zëra që ai së shpejti do të transferohet në një kampionat tjetër dhe ndoshta ky fakt ka ndikuar edhe te paraqitja e tij.

Cila është pika e tyre më e dobët?

Mendoj që pozicioni i mbrojtësve anësorë ka qenë dhe mbetet një problem për Jang Bojs. Gjithashtu, portieri Von Ballmos nuk është shumë i sigurt në lojën me këmbë.

Egbo

Nëse Egbo ju kërkon ndonjë këshillë, çfarë do t’i sugjeronit?

Egbonë me siguri e kanë këshilluar pjesëtarët e stafit dhe e ka përgatitur këtë ndeshje më së miri.

Prej vitesh punoni në Zvicër, si ju duket sot situata në Shqipëri, ku klubet kanë bojkotuar futbollin për disa kërkesa, që sipas tyre, qeveria nuk ka vullnet t’i plotësojë?

Për këtë çështje nuk mund të prononcohem, sepse nuk e njoh mirë situatën. Por thjesht si dashamirës futbolli, më vjen shumë keq që nuk luhet futboll në fushë.

Po Partizani me merkaton të bllokuar, sa shanse ka sipas jush që të jetë konkurrues për trofe këtë sezon?

Edhe për këtë çështje nuk mund të jap një mendim të kualifikuar, sepse nuk i njoh mirë detajet. Por besoj se Partizani do t’i japë futbollit shqiptar, si çdo vit, një kontribut të rëndësishëm.

Si një njohës i mirë i sektorit të të rinjve. A mund të jetë i dobishëm për Partizanin ky sezon, ku nga bllokimi i merkatos, mund të promovojnë dhe besojnë më shumë te të rinjtë?

Jo vetëm për Partizanin, por e gjithë Kategoria Superiore në Shqipëri duhet të ketë, për mendimin tim, si qëllim kryesor, që të jetë një ligë formuese. Lojtarët e rinj duhet të gjejnë hapësirën e duhur dhe duhet të shoqërohen dhe të trajnohen nga persona të kualifikuar, për të bërë hapin kualitativ në karrierën e tyre. Kështu, u krijohet klubeve një mundësi shumë e mirë financimi. Unë e shikoj këtë mundësi si të vetmin model biznesi për klubet shqiptare. Sigurisht që ky model kërkon investime dhe shumë durim nga personat përgjegjës, por praktika europiane dhe e fqinjëve tanë në Ballkan ka treguar që ky model është i suksesshëm. Pastaj nisma dhe investime si ai i Redi Jupit duhen përgëzuar dhe mbështetur publikisht.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"