EKSKLUZIVE/ Tetova paralajmëron lojtarët për Kukësin: Përballë kemi një skuadër të rrezikshme, të dalim me kokën lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2024 | 8:47

EKSKLUZIVE/ Tetova paralajmëron lojtarët për Kukësin: Përballë kemi një skuadër të rrezikshme, të dalim me kokën lart

Egnatia shkon drejt Kukësit për të vi juar ecurinë e rezultateve pozitive ndaj një kundërshtari që në fazën e parë e mundi 0-4 në transfertë, ndërsa në të dytën, 2-1 në Rrogozhinë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Edlir Tetova theksoi se pret një ndeshje të vështirë. Ai vlerësoi në maksimum skuadrën e Nicës, por është i bindur se Egnatia do të futet për maksimumin në këtë takim.edlir tetova

Edlir, luani kundër një Kukësi që ka oreksin për pikë. Çfarë prisni nga ky duel?

Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Kukësi është një ekip solid në fushën e tij. Mjafton t’i referohesh ndeshjes së fundit me Vllazninë për të kuptuar se janë një skuadër e rrezikshme. Pavarësisht se humbën, rezultati nuk ishte i drejtë me atë që u prodhua në fushë. Jemi përgatitur gjatë javës në stërvitje për të marrë masa, me qëllim që të dalim me kokën lart pas 90 minutave. Do tentojmë maksimumin për të vijuar rrugëtimin tonë drejt arritjes së objektivave.

Do të mungojë Spahiu për shkak kartonësh. Ua prish planet për ndërtimin e formacionit? 

Kemi treguar që forca jonë nuk janë individët, por grupi i skuadrës, pasi për mua të gjithë janë të rëndësishëm. Sa i takon lojtarëve që do të aktivizoj titullarë, do të vendos para ndeshjes. E rëndësishme është që lojtarët janë stërvitur rregullisht gjatë javës për të qenë gati për duelin me Kukësin. Në dy fazat e para jam detyruar të bëj rotacion për shkak kartonësh apo dëmtimesh, por ekipi ka ditur të paraqitet mirë.

I druheni eksperiencës së trajnerit Nica?

Nica është një trajner që ka një jetë që ushtron profesionin e tij në futbollin shqiptar. Natyrisht, ka filozofinë e tij dhe mendoj që i ka dhënë shumë skuadrës së Kukësit nga momenti kur mbërriti, pasi nuk kishin asnjë pikë. Megjithatë, unë nuk i druhem askujt, por respektoj këdo dhe mundohem të bëj atë që di për të arritur objektivat, bashkë me skuadrën.

Je i kënaqur me merkaton apo prisni ende lojtarë?

Jam i kënaqur me drejtuesit, pasi lojtarët e ardhur në këtë merkato janë ndjekur prej kohësh nga ne. Kemi qenë në kontakt me ta dhe tani arritëm të finalizonim ardhjen e tyre. Kam bindjen se lojtarët e afruar do të bëhen shumë shpejt protagonistë për klubin e Egnatias. Shikoj dëshirë dhe grintë për të bërë mirë, edhe pse kanë pak ditë që kanë mbërritur në Shqipëri. Po bëjmë gjithçka që të ambientohen, pasi cilësitë nuk u mungojnë.

Në këndveshtrimin tuaj, kush është Egnatia më solide, kjo e sotmja apo ajo e fillimit të sezonit?

Egnatia e sotme do të shihet në vazhdimësi sesa e fortë është, pasi sikur e theksova edhe më lart, na duhet kohë për të parë kontributin e gjithsecilit që ka mbërritur në këtë merkato. Unë jam i lumtur me futbollistët që kam në dispozicion dhe po ashtu besoj që së bashku do ia dalim të përmbushim objektivin. Fokusi është t’i marrim maksimumin vetes, duke i analizuar ndeshjet një e nga një.

Cilin ekip shikoni si rivalin më të fortë në luftën për titull?

Nuk e mendoj aspak çështjen e titullit, pasi kjo do të shikohet në muajin maj. Për mua rëndësi ka që të vlerësojmë ato cilësi që kemi për të qenë mes katër ekipeve më të mira. Shpresoj dhe uroj të kemi këtë vazhdimësi, edhe pse e di që nuk do të jetë aspak e lehtë. E kam theksuar edhe herët e tjera, që ndeshje të lehta nuk ka, pasi çdo ekip ka specifikat e tij.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"