EKSKLUZIVE/ “Skuka është luks”, Tedi Cara: Shehi super, nga Partizani largohem vetëm me… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2024 | 20:22

EKSKLUZIVE/ “Skuka është luks”, Tedi Cara: Shehi super, nga Partizani largohem vetëm me… (E PLOTË)

Tedi Cara është njeriu gol i fitores së parë të Partizanit në vitin 2024 në Kategorinë Superiore. Përveç një loje shpërthyese në krahun e majtë të sulmit, kavajasi mori përsipër edhe penalltinë fituar nga Hadroj dhe tundi rrjetën ndaj Teutës, duke vulosur fitoren.

CARA

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, sulmuesi i Partizanit tregon për golin, fitoren, vlerësimin për Shehin dhe të ardhmen. 23-vjeçari lë të kuptohet se e kishte pritur prej kohësh një trajner si durrsaku, që vë si duhet në funksion aftësitë e tij.

Një fitore pas shtatë barazimeve radhazi, ju çliroi ky tripikësh ndaj Teutës?

Normalisht që na ndihmon dhe na çliron, sepse duke parë ecurinë e shtatë ndeshjeve pa fitore, ishte momenti i duhur për tu rikthyer te fitorja. Kemi hyrë në vitin e ri tashmë dhe kërkonim ta nisnim mbarë. Edhe me ardhjen e trajnerit të ri kishim dëshirë që t’ia dhuronim këtë fitore të parë. Siç ai na ka dhuruar pozitivitet dhe profesionalizëm në këto ditë që është në krye të skuadrës, donim që edhe ne t’i dhuronim atë tri pikësh që të ketë mundësinë të punojë më i qetë në vazhdim. Idetë shumë të mira të Shehit, do të na ndihmojnë ne lojtarëve, që jemi të rinj dhe duam të ecin përpara, por edhe komplet si ekip.

A kishit ndopak emocion te penalltia, sepse këtë vit nuk ju ka ecur shumë nga pika e bardhë?

Të them të drejtën e ndjeva pak presionin në atë moment, sepse në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Erzenit kisha humbur një penallti, që mund ta ndryshonte rrjedhën e ndeshjes. Por normalisht, nëse ke në plan të gjuash penallti, vetëbesimi duhet të jetë gjithnjë i lartë. U konsultova me Muratajn se kush do ta gjuante dhe në fund vendosëm ta gjuaja unë, sepse kisha më shumë besim se do ta realizoja.

E nisët me gol, por çfarë prisni nga viti 2024?

Detyra e sulmuesit është të bëjë sa më shumë gola dhe të ndihmojë ekipin. Unë këtë synim kam pasur gjithnjë, që të shënoj vazhdimisht për Partizanin, që të jemi gjithnjë aty ku duhet, në vendin e parë dhe të fitojmë tituj.

Jeni ambientuar si duhet me trajnerin Shehi? Çfarë ka ai diçka ndryshe që nuk e keni parë te trajnerët e mëparshëm?

Idetë e trajnerit Shehi u vunë re edhe dje duke parë lojën, sidomos në pjesën e parë. Ekipi i kishte idetë e qarta në mënyrën sesi dilte dhe mbrohej. Një gjë më përshtatet mua me trajnerin Shehi është pozicionimi. E kam parë edhe në ekipet e mëparshme që sulmuesit e krahut ai i vë shumë në funksion gjatë lojës. Në sezonet me Tiranën, Skënderbeun dhe Kukësin, sulmuesit e krahut kanë qenë më të dalluarit nën drejtimin e tij. Me ardhjen e Shehit e kam pasur të qartë se duhet të fokusohem në maksimum, të dëgjoj çdo këshillë të tij, sepse besoj se unë dhe ekipi do të ecim përpara. Jam i sigurt se edhe shokët mendojnë njëjtë si unë.

 Është më mirë të stërvitesh nga trajnerë të huaj apo shqiptarë? Ku qëndron ndryshimi?

Unë kam qenë gjithnjë për trajnerë vendës, sepse mendoj se mentalitetin shqiptar është e vështirë që i huaji ta mësojë shpejt. Kam qenë gjithnjë pro trajnerëve shqiptarë dhe kur kemi dëgjuar për Shehin, jemi ndjerë shumë mirë. Të gjithë çunat donin trajner shqiptar, në këtë rast Shehin. Është zgjedhur dy herë trajneri më i mirë dhe këtë e kanë vendosur profesionistët. Dhe më i miri duhet të jetë te Partizani.

Pas kësaj ndeshjeje ndaj Teutës, ku mendoni se skuadra duhet të përmirësohet më shumë?

Pika kryesore është morali dhe besoj se kjo fitore na ka përmirësuar shumë në këtë aspekt. Tashmë bashkë me trajnerin, do ta kemi më të lehtë për të punuar më të qetë dhe për të futur sa më shumë ide në ekip. Ndonjëherë varet edhe nga morali i ekipit. Trajneri mund të bëjë shumë gjëra, por kur ekipi nuk është në gjendjen e duhur emocionale, nuk transmeton asgjë. Pas kësaj fitoreje, mendoj se përmirësimi në lojë do të jetë në rritje.

Ju ndihmon ndopak në lojën tuaj rikthimi i Xhuliano Skukës?

Sigurisht, sepse unë që luaj në një pozicion ku mund të jap pasmin e fundit dhe Skuka e bën mirë punën e finalizimit. Edhe nëse hedh një top në thellësi, ai është i frikshëm përpara, mund të shënojë gol nga momenti në moment dhe gjuan në çdo lloj pozicioni. Në Shqipëri është luks të kesh Skukën në përbërje.

Duke qenë se jemi në periudhë merkatoje, e shihni veten te Partizani pas janarit, apo mund të bëni edhe ndonjë lëvizje?

Dëshira ime është që të dal edhe një herë kampion me Partizanin dhe të kualifikohem në grupet e Ligës së Konferencës. Nëse klubi do të donte të më largonte në merkaton e janarit, në rregull, por dëshira ime është kjo, të paktën deri në verë. Më pas të shohim për ndonjë ekip tjetër jashtë vendit.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"