EKSKLUZIVE/ Skënderbeu mbetet pa trajner, reagon presidenti Takaj: Na shohin si të butë, i zhgënjyer edhe nga stafi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 14:28

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu mbetet pa trajner, reagon presidenti Takaj: Na shohin si të butë, i zhgënjyer edhe nga stafi

Skënderbeu e pëson që në javën e dytë, mbe tet pa trajner dhe zv.trajner. Migen Memelli dhe Gentjan Liçi janë pezulluar me 8 dhe 10 ndeshje nga aktiviteti për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Memelli Lici

Vendimi i dhënë nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës fut në siklet korçarët, pasi do t’u duhet të qëndrojnë gjatë me pankinën bosh.

Nëse për trajnerin e parë dënimi vjen i reduktuar (do të mungojë vetëm 4 javë, paçka se do të jetë në provë për 6 muaj), për të dytin nuk ka “skonto”. Ai ka vetëm të drejtën që pas 5 ndeshjesh, të konvertojë në para gjysmën tjetër të dënimit.

NGJARJA – Por çfarë ndodhi të dielën e kaluar në stadiumin “Skënderbeu”, gjatë dhe pas ndeshjes me Dinamon? Gazeta zbardh gjithë prapaskenat e këtij dënimi nga fusha e deri te përplasja me delegatin Ilirjan File.

Fillimisht ka qenë Migen Memelli ai që ka protestuar për gjykim jokorrekt nga Florjan Lata, e më pas për dhënien e një kartoni të verdhë në dëm të Rapës në sulm.

Protestë që nuk i ka pëlqyer aspak kryesorit dhe ka vendosur të ndëshkojë me të verdhë trajnerin e Skënderbeut.

Në minutat në vazhdim, ankesa për gjykimin ka pasur edhe Gentjan Liçi, i cili është ndëshkuar fillimisht me të verdhë, por ai ka vijuar protestat dhe kërkesën e llogarisë karshi kryesorit, aq sa Lata i ka treguar të kuqin.

Përplasja më pas ka vijuar në korridoret e stadiumit, atje ku fillimisht gjithçka ka nisur mes gazetarëve dhe delegatit. Përgjigje, e cila nuk i ka pëlqyer as zv.trajnerit të bardhekuqve.

Ai ka kërkuar respektimin e mediave si një e drejtë që u takon. Por edhe këtë herë përgjigjja e Ilirian Files ka qenë arrogante ndaj Liçit. Kjo ka bërë që ai të reagojë me tone të larta, por edhe ofendime në distancë.

TAKAJ – Presidenti Ardjan Takaj e quan të tepërt këtë dënim, por njëkohësisht shprehet i zhgënjyer edhe nga sjellja e përfaqësuesve të klubit të tij. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, pret që Skënderbeu të jetë shembull i sjelljes së mirë dhe korrektesës.

Takaj

“Po, jam njohur me vendimin e dhënë nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës dhe të them të drejtën nuk e di se çfarë ka ndodhur. Nuk prisja dënim për këtë gjë. Nuk e di se çfarë ka shkruar zyrtari i ndeshjes në relacionin e përgatitur dhe as se çfarë ka ndodhur në korridore apo dhoma zhveshjesh. Por me sa pashë unë në fushë, nuk ndodhi asnjë sjellje jashtë rregullave dhe nuk kishte asgjë për dënim. Ndoshta Korça është e qetë deri në atë pikë, ku gjithkush mund të bëjë çfarë të dojë dhe të mos ketë asnjë pikë pendese për vendimet që merr. Nga ana tjetër, edhe në momentet kur ka incidente të vogla në Korçë, u bëjnë më shumë përshtypje zyrtarëve, sesa një situatë shumë herë më e rëndë në qytete të tjera. Edhe kjo, për vetë faktin se Korça është e qetë dhe shembull i rregullsisë dhe korrektësisë”, u shpreh si fillim presidenti i klubit korçar.

Më pas ai shtoi: “Ne jemi përballur në fusha të tjera me gjëra shumë herë më të rënda dhe shumë herë më të dënueshme, por nuk ka pasur asnjë lloj dënimi. Kjo është ajo që më bën të mendoj se gjithçka e pësojmë në kurriz, edhe korrektësinë. Jam i zhgënjyer nga ky vendim, por disi edhe nga stafi i klubit tim. Nuk kanë përse të sillen ashtu apo të nxehen në qoftë se ka pasur ofendime, pasi ju thashë që nuk kam qenë poshtë dhe nga tribuna në fushë gjithçka m’u duk korrekte. Por kurrsesi trajnerët nuk duhet të humbasin qetësinë dhe të veprojnë ndryshe, pasi janë atje për të dhënë të parët shembullin te futbollistët. Tani nuk mund të them dot nëse do të apelojmë vendimin apo jo. Do të qetësohemi dhe të diskutojmë qetësisht me stafin”, përfundoi Ardjan Takaj.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"