EKSKLUZIVE/ Sinan Idrizi “fiksohet” me Xhevahir Sukajn te Flamurtari, i bën ofertë sërish si… drejtor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 14:38

EKSKLUZIVE/ Sinan Idrizi “fiksohet” me Xhevahir Sukajn te Flamurtari, i bën ofertë sërish si… drejtor

Flamurtari tenton rikthimin e Xhavahir Sukajt. Sinan Idrizi nuk heq dorë nga shkodrani, ndërsa i bën sërish ofertë.

Sukaj

“Panorama Sport” zbulon se i është ofruar posti i drejtorit sportiv. Kujtojmë këtu se i njëjti rol iu dha edhe një vit më parë, por sulmuesi nuk e pranoi.

Asokohe ai u pa në Vlorë vetëm dy ditë dhe më pas nuk u kthye më. Nuk dihet se përse 34-vjeçari nuk pranoi detyrën e propozuar, e megjithatë duket se nuk ka pasur hatërmbetje.

Tani që vlonjatët u ngjitën, administratori po teton ta joshë sërish dhe në tavolinë i ka vendosur të njëjtën ofertë.

Gazeta mëson se pak ditë më parë mes palëve ka pasur një bisedë kokë më kokë, për të diskutuar edhe për një rikthim.

sukaj idrizi

Sukaj u pa në mbështetje të Flamurtarit edhe pak ditë më parë në Tiranë, kur kuqezinjtë luajtën finalen me Luzin.

Idrizi beson te aftësitë menaxhuese të shkodranit, i cili solli në Vlorë edhe tre bashkëqytetarët e tij: Gocajn, Pjeshkën dhe Ramadanin.

Mësohet se për ta bindur, kreu i klubit i ka thënë se do të ketë dorë të lirë me merkaton. Këtë punë deri më tani e ka bërë drejtori Ardi Ciruna dhe trajneri Dritan Resuli.

Nëse Sukaj pranon, atëherë Ciruna do të merret më shumë me pjesën menaxhuese të klubit.

Duke ditur cilësitë e 34-vjeçarit në fushë, Sinan Idrizi e kërkon atë edhe për të dhënë kontributin si sulmues. Pavarësisht se ka një vit që është shkëputur nga fusha e lojës, në Vlorë besojnë se ai mund t’u shërbejë.

Administratori ka garantuar Sukajn se do të vijojë bashkëpunimin edhe me lojtarët e tjerë shkodranë, si Gocajn, Pjeshkën dhe Ramadanin. Ndoshta këta të fundit mund të ndikojnë që të bindin Xhevahirin.

SHPËRNDAHET EKIPI

Flamurtari merr pushimet. Skuadra ka mbyllur dje përgatitjet dhe është shpërndarë, ndërsa nuk ka një datë se kur do të rinisë puna. Administratori i “trazoi” jo pak ujërat me deklaratën e tij, duke thënë që asnjë nuk e ka vendin të sigurt.

Pezull është edhe stoli, ndërsa nuk dihet do të vazhdohet apo jo me Dritan Resulin. E njëjta gjë vlen për lojtarët, që dje u përshëndet pa ditur nëse do të ritakohen.

Java që vjen pritet të sjellë zhvillime, duke nisur nga pankina. Më pas do të nisë puna intensivisht për afrimet e reja, si dhe për konfirmimet e grupit aktual.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"