EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Besnik Çelës: Kam shtangur kur e pashë Panajot Panon, ishte i transformuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 22:16

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Besnik Çelës: Kam shtangur kur e pashë Panajot Panon, ishte i transformuar

Në periudhën e vështirë të Panos në Greqi, në FSHF kishte mbërritur informacioni se legjenda kishte një sëmundje të pashërueshme. Menjëherë është mbledhur Komiteti Ekzekutiv, duke vendosur që në këtë situatë t’i vihej në ndihmë familjes së Panos.

Cela Pano

Fillimisht t’i dërgohej një sasi modeste prej 5000 dollarësh. U caktua edhe një grup që do të niseshin për në qytetin grek, ku ai banonte. Ishin Miço Papadhopulli, presidenti i FSHF-së në atë kohë, si dhe Besnik Çela në rolin e zv.sekretarit të saj.

“Duhej t’ia dërgonim para Vitit të Ri, por nuk ishte e lehtë. Rrugë të vështira, lëvizje të kushtëzuara, frika se nga çasti në çast mund të na ndalonin në rrugë. Jemi në vitet e kaosit dhe pasigurisë”, kujton Besnik Çela për “Panorama Sport”.

Zoti Çela, çfarë informacioni kishit për shëndetin e Panos dhe si vepruat?

Ka qenë 29 dhjetor 1998. Morëm vizat greke dhe me furgonin e FSHF-së, me shofer Agim Veshin, u bëmë gati. Rreth orës 09:00 u nisëm. Me ne erdhi edhe Sotir Seferaj, që pasi ishte njoftuar, vjen dhe kërkon të udhëtonte bashkë me ne: “E kam pasur shok të ngushtë, ndoshta është hera e fundit që e takoj. Mund të mos shihem kurrë me të”, na thotë ai.

U nisëm të tre. Rrugë e gjatë dhe jo e sigurt prej bandave të atyre kohëve. Para se të niseshim, lajmëruam Ledion që të na priste. E kam pasur futbollist, pastaj miqësia edhe më vonë vazhdoi me të. Në Elefsina mbërritëm rreth mesnatës. Nga mosnjohja e zonës, qytetit, mezi u takuam me Ledion që kishte kohë duke na pritur.

Ju priste një takim i vështirë, apo jo?

Shkuam në shtëpi. Edhe tani që e tregoj kam shumë emocion. Si do ta gjenim Panon dhe cila ishte situate shëndetësore e tij? Kur trokitëm në derë, një pritje plot ankth që ajo të hapej. Ishin sekonda që nuk kishin fund. Ai u shfaq. Na priste, sepse e kishte njoftuar Ledio. Shtanga, sa e kam parë më dolën lot. Ky është Panajoti pyeta veten? U përqafuam dhe u futëm brenda.

Si e përjetuat pasi u ulët të bisedonit?

Pasi u çmallëm, u ulëm. Kishin shtruar darkë, ndonëse ishte shumë vonë. “Do pimë verë”, na tha Panajoti. “Takohemi nuk takohemi më, ta ngremë një gotë”. Mirëpo e kishte të ndaluar të pinte pije alkoolike. Edhe ai ishte i emocionuar, një ndjesi që e shprehte.

Kishte mall, ne ishim të parët që i shkonim nga Shqipëria. Rebeka, bashkëshortja e jashtëzakonshme, i rrinte pranë, mbi kokë, duke i shërbyer pa fund. Po qëndronim me të duke bërë edhe humor, aq sa mundeshim. Në fytyrat e të gjithëve shprehej keqardhje për gjendjen e tij. Ishte krejtësisht i transformuar. Një Pano që po ikte.

Një mbrëmje e gjatë, apo jo?

Deri në orën 05:30 të mëngjesit qëndruam bashkë. Pastaj na sistemuan aty, pushuam për rreth dy orë dhe pasi pimë kafet i thamë se do të largoheshim. Duhet të ktheheshim në Tiranë për të qenë në familjet tona natën e Vitit të Ri.

“Rrini edhe sot na u lut, por ne duhet të niseshim. I dorëzuam zarfin duke i shpjeguar se FSHF-ja ka menduar për një ndihmë modeste për kurim. Iu bë shumë qejfi, na falënderoi. U përqafuam dy-tri herë, mezi u ndamë. U larguam të tronditur me mendimin se nuk do të shiheshim më me të dhe ky mund ishte takimi i fundit me Panon. E ndërsa ne largoheshim, ai na shoqëronte me sy.

Një largim me kokën pas…

Morëm rrugën e kthimit, por me kokën prapa. Miço ndaloi për disa çaste për të takuar motrën e tij që jetonte në atë zonë. Duke ardhur drejt kufirit, i drejtohem Miços dhe Sotirit: “Kemi bërë gjënë më të mirë që erdhëm te Pano, diçka që ai nuk e priste”.

Aty kuptuam se ai kishte nevojë të madhe të takonte njerëz të njohur dhe ne ishim të parët që i shkonim për ta parë. Ato orë qëndrimi me Panon, përjetimi i situatës shëndetësore të tij, kanë qenë nga më të vështirat, më të trishtueshmet për mua. Me të tilla mendime, me shpresat e humbura, ndaluam në doganë. Rrëmujë, konfuzion dhe në Tiranë mbërritëm pas mesnate. E nesërmja ishte data e ndërrimit të viteve.

Në kthimi ju duhet të njoftonit për gjendjen e tij…

Në FSHF dhe ata pak miq të tij, ishin të shqetësuar. Për mua nuk ishte e lehtë të tregoja, t’i sqaroja realisht për gjendjen e tij. As mua nuk ma bënte goja, isha shumë i rezervuar. Fola me Starovën, e kolegë të tjerë duke i rrëfyer situatën.

Duke qenë larg Tiranës, pa kontakte sistematike, pak ishin ata që në popull, tifozët, admiruesit e tij e dinin apo të kishin informacion për shëndetin e tij. Ndërsa unë vazhdoja të mendoja, se jeta, ditët e Panajot Panos, kishin nisur numërimin mbrapsht. Nuk doja ta besoja.

Më pas çfarë kujtoni, si rrodhën ngjarjet?

Nuk e prisja, nuk e besoja që do të takohesha përsëri me Panon dhe që ai do të vinte në Tiranë. Ka qenë mars 1999, kur ai kishte 60-vjetorin e lindjes dhe në Hotel “Tirana” ishte organizuar një ceremoni ku do të promovohej një libër i Dëfrim Methasanit, “Pano, mbret i golit”. Nuk kishte ndryshuar. Ishte po ajo situatë, pa asnjë përmirësim.

Por, siç u njoftuam më vonë, ndryshe nga mjekët grekë, të cilat nuk kishin arritur t’ia zbulonin motivet, kishte qenë një mjek i Spitalit Ushtarak, burri i kunatës së tij, që kishte përcaktuar diagnozën e vërtetë. Ishin pikërisht tiroidet dhe falë një kurimi të veçantë e intensiv, gjendja e tij u përmirësua tërësisht në pak kohë.

Mirëpo, mesa dimë pati edhe një takim të tretë me Panon e madh, sërish larg Shqipërisë…

Po, ka qenë mars 2002. Ekipi kombëtar do të zhvillonte një turne miqësor në San Diego të SHBA-së. E dinim që Pano kishte vajzën atje. Në atë kohë, ndodhej në Tiranë, e njoftuam. Përgatitu i thamë se si përgjegjës ekipi, do të vish me ne në Amerikë.

Pati një kënaqësi të madhe, që e kishim vlerësuar dhe që do të shihte vajzën. Atje qëndruam dhjetë ditë, e ndërsa ne u kthyem në Shqipëri, ai vajti tek e bija. Me ne ishte edhe Agim Veshi, shoferi i FSHF-së. Edhe ai kishte djalin atje. Ai udhëtim ka qenë i veçantë për mua, nisur nga miqësia, bisedat që kemi bërë me Panon në ato orë të gjata në avion. Edhe sot i kujtoj me shumë nostalgji, ato ditë amerikane bashkë me Panon, që mbeten të paharruara.

PANORAMASPORT.AL

Historia e pathënë e legjendës së futbollit shqiptar/ Panajot Pano sot do të ishte 85 vjeç, vuajtjet mes Tiranës dhe Athinës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"