EKSKLUZIVE/ Receta e ish-sulmuesit bardheblu: Tirana të kopjojë Napolin, mund të shënojë fare lehtë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2018 | 23:14

EKSKLUZIVE/ Receta e ish-sulmuesit bardheblu: Tirana të kopjojë Napolin, mund të shënojë fare lehtë…

Ka një çështje sulmi te Tirana. Plagë e vjetër në fakt, kur bëhet fjalë për vitet e fundit në Superiore. Sezo nin që kaluan në Kategorinë e Parë bardheblutë shënuan kënaqshëm, por tani është kthyer frika e vjetër. Ze Maria këmbëngul për një sulmues race ose edhe dy të tillë. Refik Halili nga ana tjetër i është përgjigjur menjëherë trajnerit të tij, duke i lënë të kuptohet se ka pak shanse për një “bomber” dhe se trajneri duhet t’i japë zgjidhje me Ngonë dhe të tjerët që ka në dispozicion.

Por kur bëhet fjalë për sulmin, kush më mirë se një ish-sulmues i shquar në radhët e bardhebluve do të bënte një analizë për Tiranën e këtij sezoni që për fat të keq ende nuk e ka çuar topin në rrjetë? Mahir Halili, rekordmeni i shpejtësisë për golin në derbi, ka një këndvështrim ndryshe nga trajneri Ze Maria dhe thotë për “Panorama Sport” se bardheblutë mund ta zgjidhin duke bërë disa ndryshime të rëndësishme për mënyrën se si luajnë tani.

mahir halili

Mahir e keni ndjekur ndopak Superioren?

Të them të drejtën jo shumë, por kam parë disa ndeshje. Do të jetë një kampionat shumë i bukur, por gjithçka le t’ia lëmë fushës së lojës.

Keni luajtur në të gjitha skuadrat e kryeqytetit, por unë do t’iu pyes për Tiranën? Si e keni parë këtë ekip?

E kam ndjekur sezonin e shkuar, ka zhvilluar një kampionat të mirë dhe ka treguar lojë të mirë. Është ngjitur në Superiore, por nuk e ka nisur mirë sezonin. Nuk lejohen tolerime të tilla si humbja me Kamzën apo barazimi me Teutën brenda në fushën tënde.

Gjithsesi, ndryshe nga koha jote, Tirana luan me shumë të huaj. Janë më të mirë se lojtarët tanë?

Nuk besoj. Është çështje menaxherësh dhe klubesh. Ekipet tona nuk bazohen te lojtarët vendës dhe duan të marrin lojtarë nga jashtë. Ka ende pak lojtarë të mirë në qarkullim, e klubet nëse duan, mund të gjejnë lojtarë që vlejnë. Edhe sulmues, që flitet se nuk ka.

Ama Tirana nuk po shënon gol…

Tiranën, siç e thashë, e kam ndjekur. Ka trajner të mirë. Këtë duhet ta pranojmë. Punon, por lojtarët duhet t’i përshtaten skemës dhe idesë së tij. Trajneri duhet të ndihmohet nga lojtarët, por edhe të gjejë skemën më të përshtatshme për grupin që ka. E përsëris: për një ekip, i cili kërkon të fitojë duhet harmoni nga mbrojtja në sulm. Këto dy reparte duhet të punojnë shumë, që të furnizojnë sulmin, sepse nëse një sulmues nuk furnizohet është e kotë të flasësh për gola dhe fitore. Kjo skuadër nuk do të fitojë kurrë. Një aspekt i rëndësishëm i futbollistëve është zgjuarsia e tyre dhe trajnerit. Futbolli luhet me mend në kokë dhe jo të luhet kuturu.

Si janë lojtarët aktualë në krahasim me kohën tuaj?

Dëgjo, brezat mund të ndryshojnë, ama qëllimi jo. Në kohën tonë ka pasur lojtarë shumë të mirë, siç ka edhe tani lojtarë shumë të mirë. Që të dalësh kampion duhet të kesh disa komponentë që nuk mund të anashkalohen: dëshira, stërvitja dhe mentaliteti i fituesit, të cilat ne i kishim në gjak. Ndoshta kjo është ndryshe në dy kohët. Duhet ta pranoj dhe nuk mund të them se kemi qenë më të mirë se ky brez, por atë që ka bërë Skënderbeu këto vite, ne as e imagjinonim. Korçarët kanë bërë gjëra të mëdha dhe për këtë duhet ta pranojmë se janë shumë larg nesh.

Si sulmues e shikoni që mungojnë golat?

Është normale është fillimi i sezonit, por nuk është çështje sulmuesish, të cilët luajnë apo janë në qarkullim. Është çështje mënyre se si klubet dhe trajnerët e shohin futbollin. Ekipet tona nuk luajnë në sulm apo me filozofinë për të shënuar. Nuk është e thënë që Tirana apo çdo skuadër tjetër të ketë lojtarë sulmi të jashtëzakonshëm. Edhe me futbollistët që ka, sulmues apo jo, mund të shënosh fare lehtë. Ekipet tona luajnë ngushtë, të mbledhura, ndërsa për të luajtur në sulm duhet të hapesh të luash në çdo cep të fushës. Nëse ti hap dhe zgjeron vijën e sulmit, sulmon me forcë nga krahët, mbrojtësit nuk do të dinë kë lojtar të mbulojnë dhe do të ketë hapësira për të hyrë në zonë dhe për shënuar.

Kanë frikë apo diçka tjetër?

Të luash në 20-30 metra është e vështirë, por të luash në sulm, nuk themi 90 minuta, duhet të kesh përgatitje të lartë fizike. Goli nuk vjen vetë, por duhet të luftosh. E si mund të dalë goli nëse luan avash. Fitoren duhet ta kërkosh dhe të luash totalisht në sulm. Pashë Milanin me Napolin. Ançeloti, kur e pa, që ishte në disavantazh të dyfishtë, Hysajn dhe anësorin tjetër e çoi pothuajse në sulm. Ata bënë punë të madhe dhe Zielinski e Mertens shënuan. Nëse luan në sulm, nga krahët, me kujdes në mbrojtje dhe me kurajë, goli do të vijë edhe pse nuk ke sulmues. Zielinski është mesfushor dhe shënoi dy gola. Ja ku e zgjidhi ai në njëfarë mënyre ndeshjen e së shtunës me Milanin…

Jeni golashënuesi më i shpejtë në derbin Tirana-Partizani?

E mbaj mend si sot. Sa filloi loja, i mora një top Devi Mukës, edhe pse e kisha shok skuadre. Kalova Ardit Beqirin më duket, i cili donte të më ndalte dhe godita nga jashtë zone. Ishte nga golat më rëndësishëm që kam shënuar.

Cila skuadër mund ta fitojë kampionatin?

Është shumë shpejt për të folur për këtë çështje. Skënderbeu e nis si favorit, por Partizani e Tirana do të luftojnë deri në fund, ashtu si dhe Flamurtari e Kukësi, skuadra që mund të jenë surprizat e sezonit.

Si është jeta larg futbollit…

E di, ndoshta kam ndenjur pak larg. Jam marrë me biznes, por në një të ardhme të afërt do të rikthehem. Ndoshta shumë shpejt.

OLSI AVDIAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"