EKSKLUZIVE/ “Përgjegjësi e madhe të mbroj portën e Elbasanit”, Totoshi: Nojer më frymëzon, por dua të bëj krenar Gogunjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2024 | 9:36

EKSKLUZIVE/ “Përgjegjësi e madhe të mbroj portën e Elbasanit”, Totoshi: Nojer më frymëzon, por dua të bëj krenar Gogunjën

Elbasani ka një histori në portë, të cilën po përpiqet ta vazhdojë Klevi Totoshi. 18-vjeçari ka marrë përsipër një përgjegjësi jo të vogël, pasi mbron katërkëndëshin e një prej skuadrave që këtë sezon synon ngjitjen në Superiore.

413010047_1281802382601489_5589289125355927346_n

Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, ai ndihet krenar që mësimet e para i ka marrë nga i ndjeri Bujar Gogunja dhe i vazhdon me Elvis Kotorrin (dy portierë që janë shpallur kampionë me Elbasanin si protagonistë, respektivisht në vitet 1984 dhe 2006). Idhull ka Manuel Nojerin, pasi e sheh si portierin që revolucionarizoi këtë rol, ndërsa ka besim se skuadra do të realizojnë objektivin që ka.

Klevi, çfarë do të thotë për ju të mbroni portën e Elbasanin në këtë moment të rëndësishëm për klubin?

Ndodhemi në një fazë tejet të rëndësishme të kampionatit, e cila vendos shumë për ecurinë tonë në vijim dhe objektivat që kemi. Në këto rrethana, gjykoj se është përgjegjësi e madhe të mbroj portën. Me dëshirën dhe përkushtimin për të bërë më të mirën, punoj çdo ditë për t’u përmirësuar dhe ofruar siguri e garanci për ekipin.

Sa i kënaqur jeni me performancën tuaj dhe të skuadrës deri tani?

Më e rëndësishme se performanca ime individuale është realizimi i objektivave të ekipit. Jam përpjekur të bëj më të mirën. Sigurisht që gjatë rrugëtimit ka pasur vend për të bërë edhe më mirë. Gjithsesi, janë mësime për vijimin dhe të ardhmen. Ky profesion të jep mundësi që të zhvillohesh në vijimësi dhe të marrësh eksperiencën e nevojshme pas çdo suksesi e dështimi. Në këtë kuptim edhe performancat e mia apo të ekipit duhen vlerësuar në këtë kuadër. Por besoj se edhe për ju është e dukshme që ekipi është më i konsoliduar në raport me fillimin e sezonit. Jemi të gjithë në funksion të një qëllimi të vetëm.

Në ndeshjen e fundit fituat me Burrelin, sa e rëndësishme ishte për ju?

Me Burrelin ishte një ndeshje delikate, e cila natyrisht duhej fituar për të ruajtur ecurinë pozitive dhe ritmin. Sikurse çdo ndeshje tjetër vlen tri pikë dhe si e tillë mori gjithë vëmendjen e ekipit. Jam i lumtur që arritëm të përmbushnim objektivin që kishim, pasi në fund të fundit është e vetmja gjë që ka rëndësi.

Këtë javë prisni Flamurtarin, si e shihni?

Me Flamurtarin do të jetë mjaft të vështirë. Për më tepër kur ata kanë mungesë rezultatesh… Sidoqoftë, ne luajmë në shtëpi dhe përballë tifozërisë sonë. Qëllimi ynë mbetet i njëjtë: të fitojmë dhe konsolidojmë pozitat në klasifikim.

E dini që Elbasani ka një histori në katërkëndësh, shpresoni të ecni në rrugët e tyre?

Po, e di. Në vijimësi Elbasani ka prodhuar portierë të nivelit shumë të lartë, të cilët kanë arritur të spikasin dhe të kenë karrierë mbresëlënëse me trofe të shumtë të fituar dhe statistika për t’u pasur zili, të vështira për t’u arritur edhe sot. Pavarësisht se kam lindur në vitin 2005 dhe konsiderohem i ri, kam pasur fatin e madh të trajnohem nga dy legjenda të portës së Elbasanit: i ndjeri Bujar Gogunja dhe trajneri im aktual Elvis Kotorri. Jam i privilegjuar që e kam nisur këtë rrugëtim me profesor Bujarin dhe po e vijoj me profesor Elvisin. Shpresoj që një ditë të jenë krenarë për mua.

Cilin keni idhull në portë?

Teknologjia dhe koha në të cilën jetojmë të jep mundësinë të shohësh kampionatet më të mira në Europë. Natyrisht që kur shoh një ndeshje futbolli, portieri merr vëmendjen më të madhe nga ana ime. Mundohem të mos më shpëtojë asnjë moment apo veprim i tyre. Analizoj çdo vendimmarrje apo reagim të portierëve dhe hamendësoj si do kisha vepruar unë në një situatë të ngjashme. Për të mos u zgjatur, idhulli im është Manuel Nojer, portieri i kombëtares së Gjermanisë dhe Bajernit të Mynihut. Mendoj se ka sjellë revolucion në mënyrën se si konceptohet roli i portierit në një ekip futbolli. Është burim frymëzimi për mua për gjithçka bën, duke filluar nga stërvitshmëria, paraqitja në ndeshje, profili në ekip e kombëtare dhe personaliteti i tij. Mund të flisja pafund për të.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"