EKSKLUZIVE/ Pëlqehet nga Gvozdenoviç, ish-mbrojtësi i Kastriotit në orbitën e Skënderbeut. Pritet firma me një mesfushor brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2023 | 10:47

EKSKLUZIVE/ Pëlqehet nga Gvozdenoviç, ish-mbrojtësi i Kastriotit në orbitën e Skënderbeut. Pritet firma me një mesfushor brazilian

Skënderbeu është pranë mbylljes zyrtare të kontratës me mesfushorin brazilian që e mbylli sezonin te Flamurtari, Juri Merlim.

Sokol Neziri – Abc News

Gjasat janë që sot lojtari të hedhë firmën dhe klubi t’i presë menjëherë biletën për udhëtimin në Shqipëri. Nga ana tjetër, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me kosovarin 21-vjeçar, Altin Kryeziu, i cili ka qenë te Maribori në Slloveni së fundmi. Bëhet fjalë për dy lojtarë që plotësojnë repartin e mesfushës.

Në momentet që flasim Skënderbeu është i kompletuar në thuajse të gjitha pozicionet, teksa klubi po kërkon edhe dy mbrojtës për t’i dhënë trajnerit Ivan Gvozdenoviç një ekip të konsoliduar. Veçanërisht po kërkohet që të dublohen krahët, aty ku Frashëri jep garanci djathtas, ndërsa për linjën e majtë është afruar Shaqe. Por, në një sezon të gjatë ku mund të ketë dëmtime dhe pezullime, Skënderbeu kërkon të fuqizojë çdo repart.

“Panorama Sport” mëson se në orbitën e klubit ka përfunduar edhe 27-vjeçari Sokol Neziri, i cili në sezonin e fundit ka qenë pjesë e Flamurtarit dhe Turbinës. Mbrojtësi i djathtë krutan është lakuar së fundmi edhe për një rikthim te Kastrioti, por në klubin korçar besojnë se mund ta bindin të firmosë. Neziri është një njohës i mirë i kampionatit tonë dhe pëlqehet nga Gvozdenoviç, i cili gjithsesi në krahun e djathtë bazohet te eksperienca e madhe që ka Frashëri, por nëse krutani vjen, atëherë rivaliteti shtohet, pasi ai mund të bëjë edhe pozicione të tjera në fazën defensive. Çdo gjë do të shihet në ditët në vijim

MIQËSORJA Skënderbeu do të luajë sot në orën 19:00 në stadiumin e Korçës testin e parë zyrtar ndaj Voska Sport, klub i sapongjitur në elitën e Maqedonisë së Veriut. Ky do të jetë test i rëndësishëm për skuadrën, pasi mendohet që trajneri Gvozdenoviç do të përcaktojë se cilët prej lojtarëve që janë në dyshim do të vijojnë të mbeten pjesë e Skënderbeut dhe sa prej tyre do të mbyllin aventurën e tyre në Korçë. Emra si Alkeo Bani dhe Orestis Ademaj nuk kanë marrë ende OK-in. Gjithsesi, për aq kohë sa një pjesë e mirë e lojtarëve të afruar në merkato ende nuk janë bashkuar me ekipin për të kompletuar organikën bazë të korçarëve për sezonin e ri, Gvozdenoviç kërkon kohë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"