EKSKLUZIVE/ “Na e drodhi një italian natën”, rrëfimi i Bajkos: Perlat Musta çuditi Europën, ja e vërteta e çmendurisë me Benfikën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2020 | 23:57

EKSKLUZIVE/ “Na e drodhi një italian natën”, rrëfimi i Bajkos: Perlat Musta çuditi Europën, ja e vërteta e çmendurisë me Benfikën (E PLOTË)

JETMIR HALILAJ 

“E kam peng në zemër ndeshjen me Benfikën”, thotë Neptun Bajko 33 vite pasi është luajtur ajo ndeshje. Në intervistën për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Partizanit tregon se çfarë ndodhi në ndeshjen ku 4 lojtarë të tij u ndëshkuan me të kuq dhe si i dënoi më pas edhe shteti shqiptar. “Mustën e çuan kapter në një repart, Ahmetajn dhe Frashërin i larguan nga ekipi. Jo vetëm që nuk na mbrojtën, por edhe na dënuan në vendin tonë, pavarësisht se një gjyqtar i çmendur na ra më qafë për 90 minuta”, tregon Bajko.

neptun bajko

Çfarë ndodhi në Portugali me Benfikën? Ka disa variante, por ajo që nuk kuptohet është se pse për një gabim apo padrejtësi duhet të përfundonte ndeshja me 4 kartonë të kuq dhe pse u dënuat më pas edhe nga UEFA?

E para, ndeshja duhet ndierë ashtu siç e kam ndierë unë dhe lojtarët në atë stadium madhështor. E dyta, që ka shumë rëndësi, përballë një ekipi si Benfika, ne jo vetëm duhet të shpalosnim karakteristikat tona si disiplinë, vendosmëri, dëshirë për fitore, por edhe nivel profesional për të luajtur me një skuadër të tillë. Dy janë ndryshimet: ata ishin maja e një futbolli elitar profesionist, ndërsa ne ishim përfaqësues të një futbolli gjysmë amator në kushtet e Shqipërisë.

Dakord, por ky nuk është justifikim për 4 kartonë të kuq?

Shikoni, të dënosh një ekip të vogël duke nxjerrë pa të drejtë, por fare pa të drejtë, që nuk e parashikon pra asnjë rregullore dhe ligj, portierin e ekipit të një vendi të vogël me të kuq, nuk është hall i madh në Europë. Po flasim për Perlat Mustën, që pjesën e parë çuditi jo vetëm Benfikën dhe Portugalinë, por dhe Europën, sepse ashtu u cilësua, si gjiganti i portës europiane.

Së dyti, u dënua me të kuq Arian Ahmetaj, i cili mori një copë akulli që ia hodhën nga shkallët e stadiumit, nga mbrapa portës dhe atij i ra përpara këmbëve. Lojtari ynë edhe mund ta kishte goditur. Ariani, duke parë që portieri i tij u ndëshkua, i cili ishte mburoja e ekipit, por edhe shokët me lot në sy, e mori akullin dhe ia hodhi arbitrit. Arbitrin as që e preku, madje ai as e pa fare, sepse po ecte në mes të fushës. Por më pas e sinjalizoi anësori dhe Ariani mori të kuq.
Musta Partizani Benfika

Gjithsesi profesor, ky është gjest i dënueshëm dhe meriton të kuq, apo jo?

Gjest i dënueshëm është, por i dënueshëm edhe për tifozin që qëlloi me akull Arian Ahmetajn. Tani më thoni pak se çfarë duhej të bënte Ahmetaj: të tregonte që ishte ushtar i Shqipërisë Socialiste? Të ulte kokën dhe të kthente faqen tjetër që ta godisnin me shpullë?

Jo nuk është kështu. Sepse duhet analizuar shkaku dhe pasoja. Shkaku ishin ngacmimet që erdhën nga tifozët, që te hedhja e akullit dhe sendeve të tjera. Dhe pasojë u bë atëherë Ariani se i doli kapiteni i skuadrës me të kuq pa të drejtë.

Po kartonët e kuq të tjerë?

Dalja jashtë e Niko Frashërit ishte gjithashtu kaotike. Ai ishte në mesin e fushës kur lojtarët kishin rrethuar gjyqtarin dhe po i flisnin. Frashëri nuk po reagonte fare, ishte zverdhur dhe rrinte si hu. Thjesht po i thoshte arbitrit “çfarë na bëre more na nxore portierin me të kuq… Çfarë të bëri ai?” Dhe gjyqtari me sytë që i perëndonin, i nxori Frashërit të kuq. Po ta bësh në kampionatin tonë këtë gjë sot, të vrasin. Në një nivel të tillë europian futbolli, në një stadium të tillë me një ekip modest siç ishte Partizani i Shqipërisë Socialiste, të silleshe në këtë mënyrë ishte çnjerëzore.

A gaboi Musta te kartoni i dytë (i kuq direkt)?

Nuk ishte gabim. Dhe tani lejohet të mbrohet portieri. Musta nuk bëri gjest, direkt kapi topin dhe ngriti gjurin duke ndenjur në pozicion vetë.

Po, por ai mori me dorë një top të kthyer nga shoku i tij i skuadrës dhe nxori gjurin drejt sulmuesit portugez…

Po si mund të shkojë sulmuesi të përplaset me portierin dhe portieri nuk paska të drejtë në këto kushte të reagojë?!

Pra, ju mendoni se Partizani u sakrifikua si një ekip i një vendi të vogël, për të mos penguar Benfikën e madhe të asaj epoke?

Patjetër. Ne e vumë në vështirësi Benfikën dhe vendësit i kapi paniku. Kishin gjithë stadiumin kundër. Fakt është që kur kuptoi situatën ky arbitër na la me tre lojtarë mangët: portierin, qendërmbrojtësin dhe mbrojtësin e majtë. Ne ishim një ekip shqiptar, i vetmi shtet në atë kohë ku lulëzonin ende direktivat socialiste dhe nuk kishim aq forcë sa të përballonim një presion të tillë. Po luanim në një stadium me 45 mijë vetë dhe me një gjyqtar që ishte tërësisht kundër nesh.

Përballë kishim një ekip me lojtarë të famshëm, jo vetëm portugezë, por edhe nga Brazili dhe ne pas gjithë atyre padrejtësive duhej të mbanim nervat e të pranonim të na rrihnin edhe me shpulla?! Pse? Sepse ishim në një vend të huaj dhe s’na mbronte njeri. Unë e kam plagë në zemër, e kam thënë dhe atëherë në konferencë për shtyp, ajo ishte një natë e zezë për futbollin europian. Dhe gazetari francez, Vikton Sinè, ma tha: “Si ka mundësi profesor Bajko, mirë që ju dënon UEFA me pa të drejtë, por shteti juaj jo vetëm që nuk ju mbrojti, por ju dënoi?! Unë këtë nuk e kuptoj fare, fare, fare”.

Cili ishte dënimi nga shteti shqiptar?
E para, nuk bëri asnjë lloj proteste dhe nuk kërkoi asnjëherë sqarime se çfarë u bë dhe pse. E dyta, duke u nisur thjesht nga gazetat dhe nga buja që bëri kjo ngjarje në opinionin sportiv, në vend që të na mblidhte, të na mbante afër, të sqaronim situatat se çfarë kishte ndodhur, këta na dënuan.

Cili ishte dënimi nga shteti ynë?

Të iknin disa lojtarë nga ekipi dhe të mos afroheshin më. U morën masa, disa futbollistë përfunduan në punë të thjeshta, disa nëpër reparte ushtarake. Dënimet atëherë ishin të rënda, aq më tepër kur ke të bësh me lojtarë me kapacitete si Perlat Musta dhe Arian Ahmetaj në planin futbollistik. Ishte mëkat të largoheshe në këtë formë. Shteti jo vetëm që nuk të mbronte, por të dënonte. Atëherë nuk të mbetej gjë tjetër veçse të dorëzoheshe.

UEFA dënoi me dy vite Partizanin që të mos merrte pjesë në Europë, po lojtarët pse i dënoi?

Dënimin e dhanë për 4 lojtarë nga 2-5 vjet.

Musta-Bajko-Benfika

Duken dënime absurde duke qenë se në fushë nuk pati dhunë. Po në tunel a ndodhi gjë pas ndeshjes?

Absolutisht jo. Çfarë do bënim ne 20 lojtarë, me kë do ziheshim? Me Eusebion?! Apo me ushtarët që rrinin aty përqarkfushës…?! Kurajë e moral ne kishim, por jo kurajë që të bënim grindje ndaj kundërshtarit. Absolutisht nuk ndodhi asgjë.

Çfarë ndodhi me lojtarët pasi u kthyet në Shqipëri? Kush u dënua dhe ku përfunduan Arian Ahmetaj, e Musta?

Perlat Mustën e çuan në një repart ushtarak. Po çfarë bënte aty. Afërsisht ishte si kapter. Në uzina e fabrika nuk mund ta çonin sepse s’kishte ç’bënte aty. Arianin (Ahmetajn) dhe Nikon (Frashërin) nuk më kujtohet mirë, por i larguan nga ekipi.

Çfarë ndodhi pas ndeshjes, a folët me ndonjë përfaqësues të UEFA-s?

Eh, ja këtu çalojnë shumë gjëra…

Pse?

Këto hilet e UEFA-s dhe futbollit profesionist, sot e kësaj dite nuk i kemi mësuar sikurse duhet. Na thanë që bëni reklamim. Ne nuk kishim njeri, ishte vetëm doktori Dhimitraq Stratobërdha që dinte frëngjisht. Por edhe këtu gabuam.

Pse gabuat?

Reklamimi duhej të bëhej në anglisht, ose portugalisht dhe duhej të dorëzohej të nesërmen në 07:00 të mëngjesit te komisari i fushës, që ishte italian. Ky i fundit mua më njihte dhe më çoi fjalë. “Mos u mërzit. Ju lutem shumë në orën 07:00 në hotel do të ma sillni urgjentisht reklamimin”, na pati thënë.

Deri në 3 të mëngjesit kemi shkruar reklamimin, pasi dhe ato pikat që mund të bënin efekt ne nuk i njihnim shumë mirë. Megjithatë, e plotësuam reklamimin dhe në orën 06:30 ishim te dera e hotelit. Në orën 07:00 futemi brenda dhe kërkojmë komisarin italian. Ata të hotelit na thanë: “Po, ky ka qenë këtu po ka ikur që mbrëmë në drejtim të Italisë”. Na e lanë në derë edhe këtë.

Çfarë shkruat në reklamim?

Ato që ndodhën gjatë lojës. Që nuk ishim dakord me dhënien e kartonëve, me mënyrën si u drejtua ndeshja, me thyerjen e rregullave të gjykimit dhe për paaftësinë dhe deri diku shkruanim që gjyqtari me sjelljen e tij, na u duk sikur ishte jonormal. Madje, linim mundësinë që të kuptohej që mund të ishte dhe i droguar se kështu thërrisnin edhe në stadium. Të pranishmit në stadium ngrinin dorën dhe thoshin: “Ka marrë lekë, ka marrë lekë”.

Kur biseduam me Ledio Panon, na tha se gjatë udhëtimit para ndeshjes, nga gëzimi që ndodheshit në Paris, shkuat në mesnatë për të parë kullën “Eifel”. Ju ishit me skuadrën gjatë asaj vizite?

Po, kam qenë edhe unë.

Morët ndonjë gjë simbolike? Një trajner me staturën tuaj ç’mund të blinte në Paris me varfërinë që kishte Shqipëria?

Po flas hapur fare. Asnjëherë ne nuk kemi shkuar jashtë vetëm me dollarët që na jepte shteti. Me të vërtetë ishim shumë të lodhur nga udhëtimi, por shkuam te kulla “Eifel”. Kemi bërë fotografi dhe pasi shkuam në hotel, u thashë futbollistëve: “Asnjë nuk do lëvizë nga hoteli, pastaj do të shohim se ç’do bëjmë”. Në ora 08:00 bëhej zgjimi, por në orën 7:30 nuk kishte asnjë lojtar në hotel… (qesh).

Neptun Bajko

Të gjithë kishin dalë dhe kishin shkuar në atë pazarin e Parisit, ai pazari i famshëm dhe i madh ku ishin zhytur, në ato tezgat mundoheshin të blinin dhurata, për gratë, fëmijët, shokët, derisa përfaqësuesi i ambasadës më thotë që në orën 13:00 bëhet nisja për në aeroport. Por në këtë orë s’kishin ardhur tre lojtarë se nuk kishin mbaruar punë me pazarin. Përfaqësuesi i ambasadës u detyrua të marrë në telefon aeroportin duke i thënë: “Ju lutem na prisni se ka trafik dhe nuk vijmë dot në kohë…”.

Çfarë bletë ju profesor?

Unë zakonisht blija pulovra, ndonjë xhup të thjeshtë të hollë se më pëlqenin dhe sidomos këpucë. Pjesa tjetër ishte për gruan dhe fëmijët. Por unë vetë këto synoja.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ “Po të vendoste ushtria Partizani bëhej si Juvja”, rrëfimi special i Neptun Bajko: Të keqen e kishim brenda, ja kush e dënoi Mustën me shokë

EKSKLUZIVE/ “Tirana e persekutuar”, Nallbani: Musta ngeli në prova dhe ia zura vendin pa mik te Partizani, qava me pikën e lotit kur ika sepse… (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Replika për titullin e vitit 1989, Kola: Partizani ishte më i privilegjuari, Perlat Musta e pësoi prej… Benfikës

EKSKLUZIVE/ “Lame dhe Musta ishin te shkolla e ‘Begsave’ “, Bedri Omuri: Partizani do që të dalë i persekutuar (E PLOTË)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"