EKSKLUZIVE/ “Tirana e persekutuar”, Nallbani: Musta ngeli në prova dhe ia zura vendin pa mik te Partizani, qava me pikën e lotit kur ika sepse… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2020 | 22:03

EKSKLUZIVE/ “Tirana e persekutuar”, Nallbani: Musta ngeli në prova dhe ia zura vendin pa mik te Partizani, qava me pikën e lotit kur ika sepse… (E PLOTË)

Të hysh në debat me dy kolosë si Kola dhe Musta nuk mjafton ndoshta vetëm oratoria dhe argumen tet. Duhet të kesh lënë patjetër gjurmë në futboll dhe pastaj edhe mund t’u përgjigjesh atyre. Blendi Nallbani i përket kësaj kategorie sportistësh. Madje, edhe replikën zakonisht e ka të ashpër, por pikërisht sepse bëhet fjalë për dy emra të mëdhenj, ndryshe nga herët e tjera, ai është “i butë” dhe i ekuilibruar. I kujdesshëm në çdo fjalë dhe në çdo detaj që përmend. “Kola dhe Musta janë dy legjenda. Kanë bërë historinë dhe unë as kam ndërmend të luaj rolin e ‘gjykatësit’ në ato që thonë.

nallbani

Kola është ikonë e Tiranës, Musta një legjendë e gjallë. Unë nuk kam drojë të them se Perlati është idhulli im. Ka qenë idhull kur luante dhe vazhdoj ta konsideroj një legjendë”, thotë Nallbani ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Pas këtyre fjalëve vlerësimi, bëhet edhe më e vështirë ta pyesësh nëse vërtet Perlat Mustën e dënuan më 1989 për t’i hapur vend një 18-vjeçari që priste shansin në stolin e Partizanit dhe që quhej Blendi Nallbani…

Blendi, si është e vërteta e sezonit 1989?

Pra, më doli emri edhe mua në këtë histori ëë… (qesh). Nuk di çfarë të them. U befasova edhe nga artikulli i “Panorama Sport” më 2 qershor. Madje, e kishte parë im bir gazetën dhe më sugjeroi që ta lexoja. Nuk kam dëshirë të hyj në një debat mes Mustës dhe Kolës. Janë të dy legjenda. Por, nuk është e vërtetë që Blendi Nallbani ka luajtur ndonjëherë me mik. Në ato kohë, nuk të fuste njeri me mik te Partizani. Harrojeni! Aq më tepër që isha pothuajse fëmijë. Pa pasur cilësitë e duhura, nuk luaje dot dhe këtë e dinë të gjithë.

A janë shpikur normat në fazën e tretë enkas për të dëmtuar klubin e Partizanit?

Jo, unë e mbaj mend ndryshe. Normave iu nënshtruan të gjithë. Edhe unë që isha fare i ri, e pata disi problem, sidomos te 3200 metrat. Unë i kam kryer normat me vonesë, pasi kam qenë jashtë Shqipërisë, me turneun e të rinjve. Por kur u ktheva, i kam dhënë edhe unë normat, madje i kemi kryer në stadiumin “Selman Stërmasi”. Pra, i kam kryer testet me këta që kishin ngelur një herë. Mbaj mend që i kam kryer testimet së bashku me ish-portierin e shquar të Apolonisë, Stefën. Ai ishte goxha i madh në moshë atëherë dhe mbaj mend që në metrat e fundit jemi kapur për dore, por ia dolëm në fund. Ndërsa këta të tjerët nuk i kapën normat. Kaq ka qenë historia.

Musta thotë që u shpikën normat…

Unë nuk e mbaj mend kështu. Normat ishin për të gjithë. Madje, po ju them se mua po më vinte keq kur po bëja testimet me Stefën, sepse ai ishte edhe moshë e madhe dhe rrezikonte që të mos i kalonte. Por ishte gjynah i madh, sepse humbje edhe trajtimin ushqimor. Sot mund të duket diçka e vogël, por atëherë trajtimi ushqimor ishte shumë i rëndësishëm. Po të mos i merrje normat, e humbje trajtimin ushqimor. Për fat të mirë edhe ai ia doli dhe në fund i kam falur edhe një palë doreza të reja që m’i kishte falur një portier rumun kur luajtëm në ish-Jugosllavi. Nuk kishte as doreza i shkreti.

Pasi kaluat normat, çfarë ndodhi?

Mbaj mend që u dënua Perlati dhe fillova të luaja unë.

A keni futur miq për të luajtur te Partizani?

E lexova deklaratën e Kolës dhe u befasova. Nuk e di se çfarë pretendon Musta dhe nuk e di as se çfarë kanë diskutuar së bashku. Di vetëm që unë kam qenë pjesë e Partizanit që në vitin 1986. Kemi fituar edhe kampionatin, madje, me ndeshjen e fundit në Gjirokastër. Natyrisht, kam qenë shumë i vogël, por kam qenë pjesë e atij klubi. Dhe kam pasur fatin e madh ta nis karrierën aty. Po ju them se në atë kohë kam qenë në vit të dytë të shkollës te Teknologjikja.

Nallbani

Madje, më vinte zor, sepse kur shkoja në shkollë, unë vishja ndonjë palë xhinse që i kisha marrë jashtë dhe bija edhe pak në sy, por një pjesë të shokëve të klasës i kisha konviktorë dhe të varfër. Edhe po ju them që më tepër ndihesha unë në siklet sesa ata… (qesh). Po aman more, po ku i gjeta miqtë unë…? Thjesht talent dhe fat mor mik, vetëm kaq.

Ju keni qenë në ndeshjen e Partizanit kundër Benfikës në Portugali?

Jo, nuk kam qenë në atë ndeshje.

Pse?

Sepse isha pjesë e Kombëtares së Shpresave dhe merrnim pjesë në Ballkaniadë në ish-Jugosllavi. U luajt me sa mbaj mend në Brnjacka Banja dhe në Banja Luka. Unë jam paraqitur shumë mirë dhe kam dalë portieri më i mirë i turneut. Jam kthyer në Shqipëri pasi Partizani kishte luajtur me Benfikën dhe kishin ndodhur edhe incidentet.

A është e vërtetë që ka pasur ndërhyrje nga lart për të nxjerrë jashtë loje Mustën dhe për t’ju hapur rrugën juve?

Jo, unë nuk kam pasur kurrë miq. Kam pasur vetëm talentin. Tani mund të thuhen shumë gjëra, por më besoni se nuk pinte ujë asnjë mik kur vinte puna te Partizani. Në atë klub asokohe luaje vetëm po të kishe cilësi. Aq më tepër pastaj që nuk ishte e lehtë të zëvendësoje një legjendë si Musta. Si thoni ju, a zëvendësohej me miqësi Musta? E dini ju çfarë ka qenë Musta atëherë apo jo? Ishte një nga më të mëdhenjtë e epokës. Si mund ta zëvendësoje Mustën “me mik”?!

A ka pasur ndonjë qejfmbetje të Mustës pasi ju i zutë vendin?

Nuk di ta them këtë, sepse u bënë më shumë se 30 vite nga ajo kohë. Por, një gjë është e sigurt, sepse e kam provuar edhe vetë: Kur luan futboll për vite të tëra, asnjëherë nuk të vjen mirë kur të zëvendësojnë, sado i zoti dhe i aftë të jetë zëvendësi yt. Edhe mua nuk më vinte mirë kur ndonjë i ri nga fundi më zinte vendin derisa në fund u tërhoqa.

Është ligji i natyrës për sportistët, por edhe për profesione të tjera. Ti ke dëshirë të vazhdosh, por del një më i ri që do të të zëvendësojë. Nuk lumturohen shumë njerëzit kur u zihet vendi, as unë nuk isha fort i gëzuar. Ta pranojmë realitetin dhe të mos bëhemi hipokritë.

NALLBA

Çfarë mbani mend nga sezoni 1989?

Ka qenë një garë jashtëzakonisht e fortë. Partizani, Tirana dhe Dinamo kishin vërtet skuadra të mira.

A ka pasur trajtime preferenciale mes ekipeve të kryeqytetit?

Po, edhe ka pasur. Unë nuk mund të flas shumë për periudhat të cilat nuk i kam jetuar, por sigurisht që ka pasur.

Cili ka qenë klubi me mbështetjen më të madhe?

Partizani, pa dyshim. Partizani kishte fuqi të madhe kudo, jo vetëm te kualitetet në fushë, por edhe në aspekte të tjera.

Po Tirana?

Shikoni, po ju bëj një renditje sa për ta pasur më të qartë: i pari ishte Partizani, pastaj Dinamo dhe në fund Tirana

Bajko thotë që Tirana ka pasur Komitetin e Partisë?

Po lëre mo Komitetin e Partisë! E kuptoni ju çfarë ka qenë Partizani apo jo?! Unë jam me Agustinin në këtë pikë. Tirana ka qenë e persekutuar.Blendi Nallbani

Pse e persekutuar?

Sepse Partizani mundej që edhe t’ia merrte lojtarët Tiranës, por e kundërta nuk ndodhte. Pastaj edhe trajtimi apo jetesa që bënin ka qenë shumë më ndryshe te Partizani dhe te Dinamo.

Pse ka qenë më ndryshe?

Shikoni, unë isha ndër lojtarët e parë, në mos i pari fare më 1990, që ika nga Partizani te Tirana. Por, kushtet nuk kishin të krahasuar, më besoni.

Për çfarë kushtesh e keni fjalën?

Që tek ushqimi. Te Partizani hyje në mensë dhe gjeje gjithçka që doje. Sigurisht, duke iu referuar mundësive të kohës. Te Tirana nuk ishte kështu. Kam qarë me pikën e lotit edhe për ushqimin që kisha te Partizani. Nuk kishte të krahasuar po ju them.

Pse ikët nga Partizani dhe shkuat te Tirana?

Isha tifoz i Tiranës. Nuk e mohoj dot. Doja të luaja për Tiranën.

Po Tirana nuk kishte mbështetje nga Komiteti i Partisë?

Po kush e pyeste Komitetin e Partisë mor aman?! Nuk mund të bëhen fare krahasime mes mbështetjes që kishte Partizani nga “lart” dhe asaj që kishte Tirana. Madje, Tirana as me Dinamon nuk krahasohet, që për mendimin tim, Dinamo për nga fuqia dhe influenca, ishte sërish poshtë Partizanit.

Ju keni qenë pjesë e Partizanit në vitin 1987. Çfarë ndodhi? Çfarë keni dëgjuar për incidentin me Benfikën, sepse dënimet ishin vërtet të rënda…

Nuk kam qenë i pranishëm aty. Jua thashë, kam qenë me Kombëtaren e Shpresave në ish-Jugosllavi.

Po, dakord, por më pas është diskutuar, sepse Partizani u dënua 2 vite, Perlat Musta pesë vite…

Po me të dëgjuar tani është e kotë të flasësh me vendosmëri. Unë mora vesh që ka pasur tension edhe në tunel dhe se arbitri kryesor është goditur me akull në dhomat e zhveshjes etj. Por, është e kotë të flas për një gjë ku unë nuk kam qenë pjesë. Nuk kam dëshirë të them pasaktësi që mund të lëndojnë dikë.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"