EKSKLUZIVE/ “Lame dhe Musta ishin te shkolla e ‘Begsave’ “, Bedri Omuri: Partizani do që të dalë i persekutuar (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2020 | 23:58

EKSKLUZIVE/ “Lame dhe Musta ishin te shkolla e ‘Begsave’ “, Bedri Omuri: Partizani do që të dalë i persekutuar (E PLOTË)

Bedri Omuri refuzon me forcë fjalët për inskenim të normave nga Tirana për të dëmtuar Partizanin. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i bardhebluve analizon çdo pretendim të ish-kolegëve të tij të kuq. Thotë se normat janë justifikime për dështimin në teste. Ata, sipas tij, ishin skuadër e pastërvitur. Në fund, Omuri hedh poshtë çdo akuzë për lidhje të Tiranës me Partinë. “Duan të dalin të persekutuar, por harrojnë që Partia ishte e tyre dhe jo e Tiranës”, mbyll Omuri.BEDRI OMURI (1)

Zoti Omuri, ju marrim si protagonist i viteve ’80. Është hapur një debat ku shumë lojtarë të Partizanit thonë që Tirana ndikoi në dënimin e ’89-ës, që të kuqtë të mos dilnin kampionë. Si është e vërteta?
E kam ndjekur çdo ditë këtë histori. Për mua janë justifikime koti, duke filluar që nga Ilir Lame, Perlati e me radhë. Edhe sot (dje) Ledjo kishte folur, sikur Tirana ishte shumë e fortë në Komitetin e Partisë. Të kishim krahë të tillë, nuk do të ishim në atë gjendje që ishim në atë kohë. Dhe për këtë besoj se nuk ka dyshim. Dhe për dijeninë e të gjithëve, favoret i ka pasur Partizani dhe jo Tirana.

Te Partizani mendojnë që historinë e normave e kanë nxjerrë drejtuesit e Tiranës për të dëmtuar kundërshtarin direkt…
Çfarë force kishte Tirana atëherë në federatë? Këtë pyetje ua bëj të gjithëve, edhe protagonistëve që flasin. Po e përsëris, më vjen keq, po pamundësia është diçka tjetër dhe mundësia një gjë tjetër. Ata ashtu ishin edukuar sportivisht. Ekip i pastërvitur dhe ngelnin në norma. Imagjino të mbesësh në norma, është turp. Nuk ka justifikime kur nuk kap dot 3200 metra për 12 minuta. Edhe një veteran (ish-sportist) që del sot nga Liqeni i bën aq metra. Janë të gjitha fjalë. Me radhë, nga të gjithë. Thonë edhe që ne (Tirana) kishim favorizime nga Komiteti i Partisë? Hajde tani, këto nuk hahen. Nëse për historinë e Benfikës që e di shumë mirë dhe besoj se te Partizani kanë të drejtë, kjo nuk do të thotë se ne (Tirana) kemi faj për më vonë. Nuk mund të akuzohemi për një gjë që nuk e kemi bërë.

Benfika është diçka tjetër, por ndërlidhet me dënimin dhe më pas pamundësinë që ata të luanin në Europë?
Benfika sigurisht është diçka tjetër, por Tirana nuk ka dorë në asgjë. Është një makinacion shumë i madh që të krijoheshin nga Tirana norma shtesë për të dënuar Partizanin, meqë nuk shkonte në Europë. Është absurde. Është viti 1989 dhe jo 1991- shi kur mund të thuash se më i zoti edhe jashtë fushe, apo koha e Demokracisë.

Që do të thotë?
Që do të thotë se të gjithë po dalin të persekutuar. Ej Zoti i madh, ne të favorizuar nga Komiteti… Nëse do të qëndronin fjalët e tyre, i bie që ne të mos merrnim 5 kampionate, por nja dhjetë të tilla. Nga ’80-ta deri në ’90-ën trofetë na takonin neve për t’i marrë.

Argumenti tjetër i lojtarëve të Partizanit është që te Tirana janë favorizuar me shtëpi, punë të mira dhe shkollim…
Më përpara merrnin shtëpi ata nga Partizani apo ne nga Tirana? Lojtarët e Partizanit merrnin shtëpi nga ushtria. Unë flas për veten time. Nuk kam marr shtëpi në atë kohë. Për shtëpi mbaj mend që Ben Minga ka marrë nga fundi. Nuk jam i sigurt për Agustinin. Besoj se ata të Partizanit kanë marrë para nesh. Merrnin nga ushtria. Gjithsesi, Partia ishte e tyre, nuk ishte jona.
ilir lame perlat musta
Ka pasur edhe probleme me punët, pesorëshi i famshëm i lojtarëve?
Mund të them që ne lojtarët e Tiranës në atë kohë kemi qenë me Institut Fizkulture dhe ishim mësues. Nja 16 veta apo më shumë ishim me Institut. Edhe te Partizani ishin ushtarakë. Perlati ishte në shkollë te “Begsat”. Ilir Lame që ankohet ishte pedagog te “Begsat”.

Ka pasur akuza indirekte që ju kanë lënë ndeshje për të qëndruar në kategori. Flitet për rastin e Dinamos në kurriz të Apolonisë?
Unë nuk mbaj mend që të na ketë lënë ndonjë skuadër ndeshje, aq më tepër Tiranës. Në atë kohë e gjithë Shqipëria ishte me Partizanin. Dinamo ka pasur shumë pak tifozë, ndërsa treçereku i Shqipërisë ka qenë me Partizanin. Në qoftë se duhet të bëjnë debat kot, le ta bëjnë.

Ju si Tiranë keni ankesa ndaj krahut tjetër?
Tiranës i janë mohuar kampionate pa fund. E thashë edhe më lart. E mbani mend golin e Çim Muçës dhe golin e anuluar. Atë ndeshje duhet ta fitonim ne. Goli u anulua si ofsajd. Ku do të ankoheshim ne? Nëse Komiteti i Partisë ishte me ne, do ta kishim fituar ndeshjen. Partia ishte e fortë në atë kohë dhe jo e dobët. Siç duket, te Partizani duan dalin të persekutuar. Ndoshta do të marrin edhe ndonjë rrogë. Nëse do të dalë Partizani i persekutuar, vajë hallit ne të tjerët.

Keni kontaktuar me protagonistët?
Jo, nuk i kam kontaktuar, pasi e vërteta është kjo.

Si e kaluar situatën e Koronavirusit?
Nuk u izolova. Dal herët që në pesë, por nuk kam qëndruar në shtëpi. Nuk kam mundur ta bëj një gjë të tillë.
tiranaa
Dy fjalë për Tiranën, e cila është në krye me nëntë pikë nga vendi i dytë?
Do ta shohim kur të fillojë kampionati. Me kalendar, Tirana i ka ndeshjet e vështira. Ama nëse kalon dy ndeshjet e para në Ballsh dhe Gjirokastër, për mua Tirana është shpallur kampione. Besoj se skuadrat do të jenë në të njëjtin nivel.

Ju keni qenë kritik për skuadrën në fillim. Ju ka surprizuar ecuria e skuadrës?
Po, i kam kritikuar dhe fjalët i kam thënë. Kur ishte Ardian Mema dhe Julian Ahmataj, ashtu po luante Tirana. Humbën shumë takime dhe gjendja ishte e keqe, sa të vinte turp që të ishe me Tiranën. Më pas, do të përdorja fjalën çudi, por në futboll nuk ekziston çudia, por me ardhjen e Egbosë ndryshuan gjërat. Fatin e ka pasur me vete, sepse treçerekun e ndeshjeve e kanë fituar në minutën e fundit. Futbolli ky është, realiteti është realitet.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"