EKSKLUZIVE/ Partizani tërbon Olsi Ramën, zbardhen kritikat e drejtorit në Korçë: Ç’është kjo lojë mo…?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 20:20

EKSKLUZIVE/ Partizani tërbon Olsi Ramën, zbardhen kritikat e drejtorit në Korçë: Ç’është kjo lojë mo…?

Partizani sërish nuk ia doli të fitojë as në javën e dytë të Superiores pasi u ndalën në barazim 1-1 kundër Skënderbeut në transfertë. Drejtori i ekipit, Olsi Rama, është parë i acaruar në minutat e fundit të ndeshjes duke bërtitur nga shkallët e tribunës.  olsi rama

Reagimi në fund i Olsi Ramës nuk ishte aspak i qetë karshi të tijve. Sekondat e fundit të lojës, Partizani po qarkullonte topin në prapavijë për të gjetur hapësirë për top të gjatë, por kjo acaroi drejtorin.

“Çfarë jeni duke bërë mo ooo?! Nxitoni, a nuk e shikoni që është fundi? Çfarë bëjnë, s’po e kuptoj?! Çfarë është kjo lojë! Kështu do vazhdojmë?…”- ishin fjalët e Ramës dhe më pas është larguar i nxehur nga tribuna. Drejtori zbriti në dhomat e zhveshjes i acaruar dhe pas saj u largua menjëherë, pa dashur të komentojë asgjë.

PIKANTET – “Panorama Sport” iu sjell edhe pikantet e tjera nga sfida e luajtur në stadiumin e Skënderbeut.

* Pas një kohe të gjatë mungese, Skënderbeu rigjen në shtëpinë e vet tifozët duke i dhënë një tjetër atmosferë ndeshjes që krijoi momente të rëndësishme dhe të këndshme. Tribunës VIP i rikthehen protagonistët jashtë fushe, me Takajn dhe Boshkun nga njëra anë dhe Olsi Ramën në anën tjetër.

* Thumbimet në distancë nuk munguan as mes dy tifozërive, por këtë herë pa incidente të theksuara.

Skenderbeu festa me tifozet

* Daja rikthehet në Korçë me dy “ish” të tjerë të Skënderbeut, Pollozhani dhe Bozhiqi. Nuk mund të harronin të shkuarën e tyre në Korçë dhe u përshëndetën me tifozërinë që i duartrokiti.

* Një tjetër përshëndetje ishte dhe ajo e Ergys Kaçes, korçari u përcoll me duartrokitje dhe me batuta të ndryshme nga tifozët, një prej të cilëve i premtoi edhe shtëpi në lagjen 1 të qytetit.

* Ilir Dajan në stol e ka me Muratajn veçanërisht në minutat e para të pjesës së parë. Trajneri kërkon që mesfushori të hyjë në lojë pasi nuk po kuptonte lëvizjet e lojtarit. “Murataj, ku shkon, çfarë po kërkon në atë zonë se nuk po të kuptoj? Ke 20 minuta që nuk po mban pozicionin dhe kjo nuk është mirë. Hajde hyr në lojë.”- ishin fjalët e Dajës drejtuar lojtarit.

* Nga ana tjetër edhe Memelli nuk është më i qetë në pankinë. Pogradecari i Skënderbeut është gjithmonë duke iu bërtitur lojtarëve të vet të tregohen të kujdesshëm në prapavijë dhe të nisin aksionet. Disa topa të gabuar apo të nxituar të Marës dhe Vangjelit bënë që Memelli të shpërthente në klithma karshi lojtarëve.

* Po nuk kanë qenë vetëm lojtarët pjesë e acarimit të Memellit. Pre kanë rënë edhe stafi mjekësor. Vonesa në rikthimin në fushë të Zhan Viktorit të dëmtuar në hundë bëri që Memelli të kalonte në ekstrem. “Lëvizini duart, çfarë po bëni një orë. Shpejt se shikoni që jemi një lojtar më pak?”- iu drejtua Memelli stafit mjekësor.

 

* Batutat nuk mungonin as në tribunë. Shoqëruesit e Ramës shpesh provokonin tifozët korçarë që ndodheshin në A-Gold duke u thënë se kishin ardhur për shëtitje. Menjëherë nuk mungoi batuta e korçarëve. “Braçen e keni përjashtuar? Sapo e hoqi Rama nga qeveria?”

* Në pushimin e pjesës së parë, Olsi Rama ka zbritur në dhomat e zhveshjes së ekipit duke u munduar t’i motivojë të tijtë për të vijuar me të njëjtin ritëm pjesën e dytë.

* Momenti i VAR-it ishte dhe një moment acarimi i tifozëve karshi pankinës së Partizanit dhe arbitrave. Akordimi i penalltisë harboi korçarët që kaluan limitin duke shkuar edhe me ofendime drejt arbitrave dhe Kalarit, që nuk nguroi të provokonte.

Skenderbeu festa e golit

* Pas barazimit, korçarët filluan të kërkonin vonesat e lojës dhe për këtë kishin gjetur një zgjidhje të veçantë. Në stadium ishin vetëm tre topa futbolli dhe gjithçka vonohej kur topi dilte jashtë. Kjo solli edhe acarimin e pankinës së kuqe, që kërkonte më shumë minuta shtesë nga Andi Koçi duke protestuar disa herë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"