EKSKLUZIVE/ “Nuk pres dhuratë nga Skënderbeu”, Abazaj: Nuk do të jetë keq po ta mbyllim me një trofe (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2020 | 22:12

EKSKLUZIVE/ “Nuk pres dhuratë nga Skënderbeu”, Abazaj: Nuk do të jetë keq po ta mbyllim me një trofe (E PLOTË)

Kukësi ka një “as” në gjirin e vet, e ai pa dyshim është Kristal Abazaj, të cilin Anderlehti e huazoi te Kukësi këtë sezon. Abazaj në kohë rekord arriti të fitojë kondicionin fizik dhe të përshtatet mjaft mirë me Kukësin, të cilin e ka ndihmuar për të ecur në rrugën e duhur drejt trofeve. Abazaj ka shënuar 9 gola në 26 ndeshje të luajtura.kristal abazaj

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori me tipare sulmuese shpreson që të arrijë të fitojë trofe me Kukësin. Ai pohon se në fund të sezonit rruga e tij me atë të klubit ndahet, pasi ai ka vendosur të luajë në një kampionat tjetër. Abazaj e pranon se do të luajë në një kampionat të huaj, por akoma nuk e di ekipin e ri dhe pse një opsion mund të jetë dhe kampionat polak.

Gjërat më të mira të Abazajt te Kukësi?

Pa dyshim shokët e tij të ekipit, të cilët e kanë dashur dhe mbështetur shumë.

Nga burimet tona ne kemi theksuar se ju keni arritur akordin me skuadrën polake te Legia Gdansk, do ta vijoni atje karrierën?

Nuk e di nga kanë dalë këto lajme, sepse unë akoma nuk kam firmosur me asnjë ekip dhe nuk e di se ku do luaj sezonin tjetër.

Kukesi lojtaret me maska

Ju kanë ofruar kontratë te Kukësi për të qëndruar? Nëse po, sa dhe si?

Nuk kemi folur për këtë gjë, por besoj që mes meje dhe Kukësit në përfundim të sezonit përfundon edhe bashkëpunimi ynë.

Po për Kupat e Europës do të jeni pjesë e Kukësit?

Nuk e besoj që do të jem pjesë e ekipit për Kupat e Europës.

Ka Kukësi shpresa për ta fituar titullin?

Nëntë pikë prapa janë shumë që të jem realist, por shpresoj që të marrim maksimumin deri në përfundim të kampionatit në ndeshjet e mbetura dhe në fund të bëjmë llogaritë.

E shpëton sezonin e Kukësit vetëm Kupa e Shqipërisë?

Besoj që edhe të dalim me një trofe këtë sezon nuk do ishte keq. Do të luftojmë deri në fund dhe shpresojmë.

Shpresoni se do arrini ta finalizoni këtë trofe duke parë dhe shortin kundër Teutës?

Do të luftojmë që ta arrijmë. Në futboll nuk ka gjëra të ndara me thikë, por ne do të bëjmë maksimumin për ta finalizuar këtë sukses.
Festa e futbollisteve te Bylis logo
Luani me Bylisin në kampionat, si e shikoni këtë sfidë?

Është një ndeshje tepër e vështirë, po si gjithmonë ne do futemi për ta fituar ndeshjen dhe besojmë se do të arrijmë t’ia dalim në fund.

Bylisi ju mundi fazën e parë në Ballsh, do të kërkoni të hakmerreni?

Nuk është fare çështje hakmarrjeje. Në futboll ka ndeshje radhe dhe tri pikë. Ndeshja nga ndeshja ndryshon, çdo takim luhet në kohë të ndryshme dhe ka fatin e saj si ndeshje. Ne do bëjmë lojën tonë për të arritur objektivat tanë.
Skenderbeu festa e golit
Prisni ndonjë dhuratë nga Skënderbeu këtë javë?

Na intereson vetëm ndeshja jonë, nuk kemi pse presim dhurata nga askush, shpresoj të fitojë më i miri.

Çfarë kujton Abazaj si gjënë më të bukur që ka bërë këtë periudhë që luan për Kukësin?

Kam bërë shumë gjëra të bukura këtë periudhë dhe ia kam kaluar mjaft mirë te Kukësi. Vlejnë për t’u përmendur çunat e ekipit, pasi kanë qenë të gjithë fantastikë si brenda dhe jashtë fushe dhe kjo ma bëri dhe ambientimin dhe përshtatjen më të ngrohtë. Pastaj në lidhje me lojërat dhe golat e mi, shpresoj që t’i kem kënaqur tifozët, të cilët dhe pse nuk kemi pasur mundësi për t’i parë gjithë kohën nga afër në stadiume për shkak të takimeve që ne bëjmë gjithmonë jashtë dhe të pandemisë, i kam ndierë dhe hasur gjithandej në rrugë, në qytet e në rrjetet sociale. Kam pasur mbështetjen e tyre, të cilët i falënderoj shumë.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"