EKSKLUZIVE/ “Nuk duhet të luajnë me presionin e pikëve”, flet bomberi Florent Hasani: Derbi si shans i artë, fiton Tirana (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 23:12

EKSKLUZIVE/ “Nuk duhet të luajnë me presionin e pikëve”, flet bomberi Florent Hasani: Derbi si shans i artë, fiton Tirana (E PLOTË)

Nga Rumania ku ësh të transferuar prej dhjetorit 2023, Florent Hasani kërkon fitoren e Tiranës në derbin me Partizanin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, “Këpuca e Artë” e sezonit që shkoi dhe autori i 10 golave në këtë sezon, foli për derbin që do të luhet ditën e premte.

hasani

Me golat e tij, Florenti ka gëzuar tifozët bardheblu në dy derbet e fundit, ndërkohë që tani ndeshjen duhet ta shohë nga televizori. Me këtë rast, Hasani këshillon lojtarët që të mos jenë nën presionin e pikëve, teksa nga ana tjetër thotë se bardheblutë i kanë të gjitha mundësitë që të jenë të paktën të dytët në kampionat dhe më pas të luajnë për titullin kampion. Florent Hasani ishte shitja e bujshme e janarit, teksa dhjetorin e shkuar u transferua te Dinamoja e Bukureshtit për 300 mijë euro.

Florent, së pari uroj të jeni mirë dhe së dyti, si po shkon aventura juaj në Rumani?
Aventura në Rumani po ecën mjaft mirë. Dita-ditës po ambientohem me klubin dhe me vendin. Është eksperiencë e re për mua.

Pas një muaj e gjysmë, keni arritur të përshtateni në skuadrën tuaj të re?
Po përshtatem çdo ditë e më shumë. Në tip, flas si njeri, përshtatem me ngadalë në një vend të ri. Kjo vlen edhe si lojtar ku në skuadrën e re përshtatem me vonesë. Kështu ndodhi edhe në fillim te Tirana. M’u desh pak kohë për të marrë masat.

Gjatë kësaj kohe në Rumani, a e keni ndjekur Tiranën në ndeshjet e saj të kampionatit?
Tiranën e ndjek kur kam kohë. Them se ka bërë mirë në fushën e lojës. Për mendimin tim, dhe këtë e tregon renditja, skuadra është afruar me vendin e dytë. Ka një mundësi “të artë” në derbi për të qenë afër kreut.

Në dy takimet e fundit me Partizanin, ish-skuadra juaj nuk ka fituar në derbi. Besoni se Tirana ia del të fitojë këtë sfidë?
Derbi në Shqipëri është i veçantë. Personalisht kam besim të plotë se Tirana në fund të këtij 90-minutëshi që do të luhet ditën e premte, do të dalë fituese.

Në këtë sfidë që dy skuadrat duan ta fitojnë me doemos, cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e Tiranës dhe Partizanit?                                                                                                    Mendoj se të dyja anët kanë avantazhet dhe disavantazhet e veta, por të shohim të premten se cili do t’i shfrytëzojë më mirë njohuritë që ka për tjetrin.

Ju jeni lojtari që në dy takimet e fundit keni shënuar dy gola me Tiranën. Cila është e veçanta e të shënuarit gol në derbi?                                                                                                           Në derbi, në atë atmosferë është e veçantë të shënosh. Duhet ta provosh atë ndjesi, pasi është ndeshja më e zjarrtë e kampionatit. Atmosfera është diçka krejt ndryshe nga ndeshjet tjera dhe të shënosh aty është shumë ndryshe. Me fjalë, nuk përshkruhet.

Shehi këtë herë është trajneri i Partizanit. A ndikon në këtë përballje që kundërshtari njeh mirë ambientin e tjetrit?                                                                                                                      Mendoj se Tirana ka eksperiencë të mjaftueshme që ta menaxhojë ndeshjen më mirë së kundërshtari. Po kështu them se skuadra nuk duhet të luajë me presionin e pikëve. I këshilloj të luajnë duke shijuar atmosferën.

Florent, ju keni qenë ndoshta lojtari kryesor i Tiranës në këto dy vite. Do të ndikojnë largimet nga bardheblutë këtë janar?                                                                                                      Largimet që u bënë nga grupi këtë janar mendoj se do të ndikojnë në ecurinë e skuadrës. Kur largon disa lojtarë dhe nuk afron asnjë futbollist normalisht ndikon në gjendjen e ekipit. Gjithsesi, se si do e menaxhojnë drejtuesit e skuadrës mbetet të shihet deri në fund të kampionatit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"