EKSKLUZIVE/ Kukësi i karikuar për mbijetesën, shpërndahet shpërblim i majmë për verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 10:10

EKSKLUZIVE/ Kukësi i karikuar për mbijetesën, shpërndahet shpërblim i majmë për verilindorët

Kur fiton, shpërblehesh. Në rastin e Kukësit, shpërblimi nuk është vetëm në aspektin e pikëve dhe djersës së hedhur në fushë, por edhe në kuadrin financiar. Duke marrë shkas nga tri fitoret e fundit, një në Kupë kundër Partizanit, që i ka dërguar blutë në gjysmëfinale dhe dy në kampionat ndaj Laçit dhe Vllaznisë, drejtuesit kanë hapur “thesin”.

kukesi

Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se këto ditë i është shpërndarë ekipit një premio në masën e 10 mijë eurove. Një moment që është pritur mirë nga vetë skuadra, për më tepër i motivon që të tentojnë për të marrë të tjera rezultate pozitive në vijim. Gazeta mëson se drejtuesit u kanë premtuar që pas çdo fitoreje tjetër që do të koleksionojnë në vazhdim, do të kenë sërish premio, duke shpresuar realisht që ky fakt të mbajë të karikuar skuadrën, e cila tani më shumë se kurrë ka nisur të besojë edhe te mbijetesa.

Mesa duket, në klub kanë menduar se pikërisht me anë të kësaj forme do të marrin maksimumin nga skuadra, me lojtarët që tani do të kenë edhe një motiv ekstra për të synuar fitoren, pasi do të mbushin “xhepat”. Siç dihet, këtë sezon klubi bëri një reformë edhe sa i përket pagave të lojtarëve, duke i ulur ndjeshëm shpenzimet në këtë aspekt, por nga ana tjetër mjafton që skuadra të marrë rezultatet për të shtuar më tej të ardhurat e tyre.

SHPRESAT PËR MBIJETESË – Kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në mbyllje të kampionatit, në Kukës kanë ende shpresa se mund t’ia dalin të paktën të shkojnë në “play out”. Janë vetëm gjashtë pikë larg kundërshtarëve më të afërt dhe praktikisht gjithçka është e mundur, edhe pse u duhet një sforco e madhe për t’ia dalë mbanë. Minimumi në klub shpresojnë që të shkojnë në kuotën e 40 pikëve, praktikisht të sigurojnë edhe 15 pikë të tjera nga 24 të mundshmet. Nëse Kukësi tregon të njëjtën dëshirë dhe grintë si në tri sfidat e fundit, atëherë asgjë nuk është e pamundur.

Gjithsesi, në klub për momentin duan t’i marrin ndeshjet me radhë, sepse mjafton një hap fals dhe shanset veniten. Pas pushimeve, blutë do ta nisin menjëherë me një ndeshje “zjarr”, ku do të jenë mysafirë në Rrogozhinë, aty ku i presin kryesuesit e Egnatias.

V. MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"