EKSKLUZIVE/ Korabi, pa trajnerin në Korçë. Mëziu shkarkon Haxhiun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2017 | 9:12

EKSKLUZIVE/ Korabi, pa trajnerin në Korçë. Mëziu shkarkon Haxhiun

Kaos te Korabi para ndeshjes me Skënderbeun, drejtuesit e klubit vendosin të shkarkojnë trajnerin Gerd Haxhiu. Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë skuadrës kanë konfirmuar dje në mbrëmje se administratori i klubit dibran, Fehmi Mëziu, i ka komunikuar trajnerit vlonjat largimin përmes një mesazhi.haxhiu

“Për shkak të rezultateve të dobëta, je i shkarkuar. Faleminderit për bashkëpunimin”, ka qenë pak a shumë “SMS”-ja e mbërritur në numrin e telefonit të trajnerit vlonjat. Ky i fundit mësohet se e ka marrë me shumë sportivitet këtë moment, duke i kthyer këtë përgjigje Mëziut: “OK, por e dua me shkrim motivacionin e largimit”.

Gazeta zbulon se prej javësh trajneri ka menduar “divorcin” me klubin, por nuk ka dashur të linte në baltë Korabin në një moment kritik. Këtë vetë Haxhiu e ka deklaruar edhe publikisht, pasi burime të sigurta në klub kanë konfirmuar se që prej humbjes 2-0 në Gjirokastër gjatë fazës së tretë, trajneri ka paraqitur dorëheqjen, por drejtuesit e klubit nuk ia kanë miratuar.17362771_1460108800723179_2847790611651275851_n

Që pas humbjes në Vlorë dy javë më parë, krisjet u thelluan mes Mëziut dhe Haxhiut, teksa ky i fundit në shenjë revolte braktisi stërvitjen, për shkak se administratori e teproi në një prej mbledhjeve me ekipin. “Ne duhet t’i falënderojmë lojtarët që vijnë në stërvitje, ndërsa ti i kritikon për ndeshjen në Vlorë. Ata nuk po ushqehen dot, çfarë mund t’u kërkojmë për humbjen që pësuam?!”, mësohet t’i ketë thënë Haxhiu drejtorit Mëziu kur u largua nga stërvitja e dy javëve më parë.

Megjithatë, pavarësisht polemikave, palët gjetën sërish mirëkuptimin për të vazhduar bashkëpunimin. Por, nuk kaluan shumë ditë dhe gjithçka kulmoi dje, kur skuadra do të udhëtonte drejt Korçës për transfertën e radhës. Mësohet se Haxhiu nuk kishte udhëtuar në qytetin juglindor bashkë me ekipin për shkak të një gëzimi familjar dhe, me sa duket, kjo nuk i ka pëlqyer Mëziut, që vendosi të prishë kontratën me trajnerin.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"