EKSKLUZIVE/ “Kampionati në fund ngjan si Kupa”, Daiu: Partizani-Vllaznia si ndeshje kolauduese për finalet…(E plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2024 | 8:31

EKSKLUZIVE/ “Kampionati në fund ngjan si Kupa”, Daiu: Partizani-Vllaznia si ndeshje kolauduese për finalet…(E plotë)

Përparim Daiu, një ish-mbrojtës nga ata që krahasoheshin me shkëmbinjtë, në karrierën e tij, veçanërisht me fanellën e Partizanit, numëron shumë beteja ndaj Vllaznisë. Tashmë gjithçka e ndjek si një tifoz i pasionuar, por me emocionin që e “bluan” ende si të ishte lojtar.

perparim daiu

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Daiu flet për këtë sezon të Superiores dhe për skemën, që e konsideron të dështuar. Ai pret një duel të fortë të dielën mes kampionëve në fuqi dhe Vllaznisë, teksa sheh më të avantazhuar ekipin e Shehit.

Si ju duket në tërësi ky sezon i Kategorisë Superiore?

Ky sezon i Superiores ka qenë i çuditshëm, por tani mund të themi se kanë dalë pak a shumë në pah skuadrat më të forta, që do të luftojnë edhe për titullin në fund. Sa i përket vazhdimësisë, ky kampionat ka lënë për të dëshiruar. Një garë, që ka lënë të kuptohet se këto skuadra kanë pasur brenda paraqitjeve të tyre edhe tolerimin apo mosangazhimin maksimal në këto ndeshje të luajtura. Mendoj se edhe ulja e shikueshmërisë nga tifozët nëpër stadiume është rrjedhë e këtyre pikave të dobëta. Si strukturë kampionati mendoj se është e dështuar. Është e vërtetë që do të kenë një vëmendje dhe bukuri ato tri ndeshjet që do të luhen në fund, por nuk ekziston më specifika e kampionatit. Ngjan me kompeticionin e Kupës. Në një ditë mund të rastisë të jesh në moment jo të mirë dhe mund ta fitojë edhe skuadra që nuk e meriton titullin.

Të dielën luhet një betejë për vendin e dytë mes Vllaznisë dhe Partizanit. Si e prisni këtë ndeshje?

Për historinë dhe tifozeritë që kanë këto dy skuadra, për më tepër që ndodhen pranë njëra-tjetrës dhe luftojnë së bashku, është një ndeshje, që meriton vëmendje maksimale nga sportdashësit, por edhe nga vetë lojtarët dhe stafet teknike. Luhen ndeshjet e fundit “kolauduese” për finalet e mëdha dhe janë kundërshtarë që të studiojnë dhe që shohin të bëjnë korrigjimet e fundit para ndeshjeve që vendosin titullin. Pres një ndeshje shumë tërheqëse, me dy ekipe që kanë prodhuar gjithnjë futboll kur janë ndeshur. Janë dy ekipe me elementin dhe entuziazmin e duhur për të luajtur ndeshje të bukur.

Cila prej skuadrave ju duket disi më e avantazhuar në këtë duel?

Për këtë ndeshje më të avantazhuar shoh Partizanin, jo vetëm se luhet në Tiranë, por edhe për kontingjentin që ajo skuadër ka. Janë një ekip shumë i mirë nga porta deri në sulm. Edhe Vllaznia nga ana tjetër nuk është më kot në vendin e dytë. Ka rendimentin dhe forcën e duhur për të konkurruar deri në fund. Shoh Partizanin pak më të avantazhuar, por mbetet një ndeshje me të tria rezultatet brenda.

Por Partizani shkon me mungesa, pasi Tedi Cara dhe Andi Hadroj pritet të jenë jashtë për këtë sfidë. Sa ndikon kjo?

Janë lojtarë kryesorë te Partizani, por një skuadër e mirë dhe që kërkon titullin, duhet të ketë alternativa. Besoj se Partizani i ka opsionet. Në sulm është shumë i fortë, pavarësisht se Skukën nuk e shoh në gjendjen e tij maksimale dhe të tjerët ka pasur dëmtime dhe luhatje. Nuk e shoh alarmuese mungesën e Hadrojt dhe Carës. E dhimbshme do të ishte nëse ata do të mungonin në ndeshjet e “Final 4”, kur nuk ke shanse për të rikuperuar rezultatin.

Mendoni se e vë në presion Partizanin fakti që duhet të fitojnë me patjetër, për të zënë vendin e dytë që të jep avantazhin e barazimit?

Partizani patjetër që do ta tentojë vendin e dytë, por unë nuk e shoh si diçka që të jep një avantazh shumë të madh, aq më tepër për faktin që do të luhet në Tiranë. Por për ecurinë e kampionatit të renditurit lart ndikon shumë në aspektin psikologjik, që është shumë i rëndësishëm. Fiton më shumë vetëbesim si skuadër. Edhe Shehi po has vështirësi në këtë start dhe skuadra ka pasur luhatje.

E prisnit të ishte kështu ky fillim i ri i Orgesit?

Çdo trajner i ri vjen me një mentalitet dhe ide të tjera. Shehi i ka shkëputur para shumë kohësh lidhjet me Partizanin dhe ka nevojë për kohë sa të ambientohet dhe të injektojë idetë. E rëndësishme është që Shehi është trajner, që përçon qetësi në skuadër dhe di të motivojë si duhet. Është njeriu i duhur në këtë moment për Partizanin. Më pëlqen mënyra e trajnimit dhe drejtimit të Orgesit.

Mendoni se vetë përbërja e ekipit dhe dëmtimet e shpeshta e kanë kushtëzuar në këtë rrugëtim?

Jo më kot përmenda ambientimin, sepse nuk ishte Shehi ai, që e ndërtoi këtë skuadër. Dëmtimet dhe mungesat kanë pjesën e vet, sepse përveç sulmit, ka vuajtur edhe në mbrojtje. Hadroj është kthyer së fundmi. Mbrojtjen e kam parë më problematike, pikërisht në qendër, ku ka pasur oshilacione. Për mua Bytyçi është një lojtar tipik qendre, luftarak, i fortë, me të gjitha cilësitë e nevojshme. Dëmtimi i tij ka ndikuar në mënyrë direkte. Unë si mbrojtës që kam qenë, e admiroja mënyrën e lojës së Bytyçit, freskinë dhe energjinë e tij.

Maget dhe Rrapaj janë dy lojtarët golashënues ndaj Vllaznisë. I prisni të jenë vendimtarë edhe në këtë sfidë?

Çelësi i suksesit të Partizanit mendoj se është kjo dyshe. Maget më ka surprizuar me formën, elegancën dhe cilësitë e një lojtari, që në një kohë të shkurtër do të kërkohet nga shumë klube. Bën një dyshe fantastike me Rrapajn, sepse edhe ai i ka të gjitha cilësitë. Nëse kjo dyshe funksionon si duhet në vazhdim, pres një Partizan shumë të fortë, sepse mesfusha është çelësi i suksesit për çdo skuadër. Janë dy “motorë” në fushë dhe kanë cilësi teknike shumë të mira.

Kryeson Egnatia, por a mendoni se në fund eksperienca e Partizanit apo Vllaznisë mund të jetë vendimtare?

Nuk e shoh shumë të rëndësishme çështjen e emrit dhe historisë sesa përbërjen e skuadrave. Egnatia është një skuadër shumë cilësorë. Ka fituar edhe eksperiencë, sepse vjet kanë fituar Kupën e Shqipërisë dhe ka udhëhequr me meritë këtë kampionat. Por ajo që nuk jam dakord është fakti që ky kampionat bëhet si Kupa, me ndeshje direkte. Skuadra që do të jetë me qetë, më cinike dhe me më fat do të fitojë titullin.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"