EKSKLUZIVE/ “Kam ëndërr Premier Ligën dhe Kombëtaren A”, lojtari i Shpresave: Mendoj se nuk kemi pasur shumë fat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2022 | 20:23

EKSKLUZIVE/ “Kam ëndërr Premier Ligën dhe Kombëtaren A”, lojtari i Shpresave: Mendoj se nuk kemi pasur shumë fat

Armando Dobra është një nga futbollistët sh qiptarë më me perspektivë, i cili aktivizohet në Angli. Titullar me numrin 10 mbi shpinë me Shqipërinë U-21, ai flet për “Panorama Sport” në lidhje me sezonin që po kalon, paraqitjet me ekipin kombëtar, çfarë nuk shkoi, por pa harruar edhe objektivat që ka Dobra për të ardhmen, të cilat i shpreh me një vetëbesim të lartë.

ARMANDO DOBRA

Armando, ju luani në Angli dhe jeni huazuar në fillim të sezonit. Keni një ngjashmëri me Armando Brojën, pasi keni të njëjtin emër, të dy luani në Angli dhe të dy u huazuat…

Po, e vërtetë, shumë e veçantë, nuk e kisha menduar. Ai është një superlojtar pastaj…

Si keni ecur gjatë këtij sezoni?

Mendoj që mirë, me disa probleme të vogla, por mirë. Në fillim të sezonit jam huazuar nga Ipsuiçi te Kolçesteri në Ligën e Dytë. Kam luajtur dhe tani jam kthyer sërish tek Ipsuiçi ku do ta mbyll këtë sezon.

Ju keni luajtur si sulmues anësor, por edhe si mesfushor qendre pak i tërhequr. Ku ndiheni më mirë ose cili është roli juaj natyral?

Kur jam futur herën e parë, duke qenë edhe i ri, nuk është se kanë besim te ti për të të vendosur në qendër, prandaj më kanë spostuar në krah. Aty jam paraqitur mirë dhe mendoj se mund të luaj edhe “winger”, ndërsa me ekipin Shpresa të Shqipërisë kam luajtur edhe në qendër, aty ku e kam nisur dhe ku mund të tregoj aftësitë e mia më shumë.

Keni humbur disa ndeshje pas janarit dhe këtej. Çfarë problemi keni pasur?

Po, e vërtetë, kam pasur disa probleme me shpinën dhe kjo nuk më ka lënë që të aktivizohem shumë.

Por jeni grumbulluar me Shqipërinë U-21 për ndeshjet e fundit ndaj Çekisë dhe Anglisë. Çfarë nuk shkoi në ato dy humbje, sipas jush?

Mendoj që nuk kemi pasur shumë fat. Me Çekinë kemi luajtur shumë mirë edhe pse ata janë një grup më lart se ne në renditje. Po ta shohësh edhe një herë ndeshjen, do të kuptosh që ne meritonim më shumë, duhet të kishim fituar ne, por fati nuk ishte me ne atë ditë.Ndërsa me Anglinë mund të them që janë një ekip shumë i fortë dhe ka qenë e vështirë sepse shumica e lojtarëve të tyre luajnë në Premier Ligë. Gjithashtu, ne kishim disa mungesa nga dëmtimet e kartonët dhe nuk kishim forcën si në grumbullimet e tjera. Pjesën e parë luajtëm mirë dhe dolëm 0-0, aq sa ata filluan të ziheshin me njëri-tjetrin në fushë, por në fund doli kualiteti i tyre dhe fituan.

Çfarë synimesh keni në të ardhmen, si me klubin apo në ekip kombëtar?

Shpresoj që të luaj sa më shumë ndeshje me ekipin e parë të klubit ku jam, të vazhdoj të luaj mirë me U-21 për të pasur një shans më lart në Kombëtaren A të Shqipërisë. Është ëndrra ime që i vogël që të luaj për Kombëtaren A dhe ishallah e arrij një ditë.

Çfarë duhet të përmirësojë Dobra për të arritur aty, sepse edhe niveli i lojtarëve në Kombëtaren A, të themi të vërtetën, është i lartë?

Duhet të punoj sa më shumë, të luaj mirë për klubin. T’i bëj gjërat si lojtar ashtu si unë mendoj dhe futbollit nuk i dihet si shkon asnjëherë.

T’ju kujtoj rastin e Xhemi Vardit të Lestërit i cili nga kategoritë e ulëta në Angli arriti të ngjitej në Premier Ligë dhe të fitonte kampionatin. Mendoni se mund të përsërisni të njëjtën gjë?

Ehh, të luash në Premier Ligë është një ëndërr tjetër imja. Mendoj dhe kam besim në vete që mund ta arrij një ditë, por nuk e di kur. Duhet shumë motivim dhe punë për të arritur aty lart. Unë mund të them se jam një futbollist që kërkoj të luaj në nivel sa më të lartë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"