EKSKLUZIVE/ “Ishte viti im”, Stivi Frashëri: Ja pse pësoj më pak gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2019 | 8:22

EKSKLUZIVE/ “Ishte viti im”, Stivi Frashëri: Ja pse pësoj më pak gola

Teuta ka me se të krenohet këtë vit. Vërtet ka pasur luhatje të mëdha dhe mungesë pikësh në këto 17 javë, por zyrtarisht është ekipi që ka pësuar më pak gola (vetëm 12 të tillë). Askush nuk është më mirë se ata deri në këtë fazë të kampionatit.

Frasheri

Meritë për këtë arritje ka edhe portieri Stivi Frashëri, i afruar gjatë verës në Durrës. Korçari e quan këtë vit më shumë se të suksesshëm, por në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” paralajmëron se 2020-ta do t’i ngjisë më lartë në renditje dhe do të sjellë shpërthimin e “djemve të detit”.

Teuta e mbylli vitin në vend të 4-t, por me 3 pikë më pak se kreu. Do të tentoni titullin në 2020-ën?

Për kreun është herët për të folur. Ka ende shume ndeshje për t’u luajtur. Kampionati është i balancuar dhe të gjitha ekipet janë aty, ndaj një trepikësh të çon lart dhe një humbje të zbret poshtë. Duhet kujdes dhe sa më pak eufori, e megjithatë në dy ndeshjet e para të 2020-ës do të ndahen disa llogari. Luajmë në shtëpi ndaj Laçit dhe Bylisit.

Çfarë ndeshjeje ishte ajo me Flamurtarin?

Me ekipe të tilla, është e vështirë të luash. E dinim situatën që po kalonte Flamurtari, ndaj duhej dyfish kujdes. Është shumë e vështirë t’u shënosh golin e parë, por nëse ia del, bëhet gjithçka më e thjeshtë. Kështu na ngjau edhe ne. Ishte një ndeshje në dy ditë, ndaj të hënën stafi teknik pati mundësinë që të freskonte formacionin. Unë i gëzohem fitores, po tashmë i përket të shkuarës. Na presin edhe dy faza më të vështira dhe nuk dua të shohim larg apo të flasim fjalë të mëdha.

2 ndeshje dhe 2 fitore radhazi, si u “transformua” Teuta?

E vërtetë që kemi marrë 6 pikë. Gjatë gjithë këtyre 180 minutave kemi qenë më kërkues, teksa nuk jemi rrezikuar mbrapa, por edhe kemi finalizuar si duhet, me pak kujdes sulmuesit i zgjidhën mirë situatat. Kundërshtarit nuk i lamë terren dhe fituam. Në skuadër nuk është se ka ndryshuar gjë, pasi jemi të njëjtë. Loja nuk na kishte munguar edhe më herët, por s’kemi pasur fat.

Jeni portieri që keni pësuar më pak në 17 javë. Cili është çelësi i suksesit?

Në dy fazat e para kam qenë lart. Portieri duhet ta bindë veten se është lider në fushë dhe këtë e arrita me ndihmën e mbrojtësve. Komunikimi me ta është çelësi i suksesit.

Kampionati është ndalur dhe është koha për pushime. Ku po i kalon festat e fundvitit Stivi?

Momentalisht jam në Tiranë, ku nga dje u bashkova me familjen time dhe në fillim të janarit do të rikthehem në Durrës për të nisur fazën përgatitore me ekipin. I uroj të gjithë tifozët e Teutës që 2020- ta të vijë i mbarë për të gjithë ne.

Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"