EKSKLUZIVE/ I dha lamtumirën Egnatias, Paulauskas: Duhet të ndryshoja ambient, e kuptova duke medituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2024 | 22:11

EKSKLUZIVE/ I dha lamtumirën Egnatias, Paulauskas: Duhet të ndryshoja ambient, e kuptova duke medituar

Një nga futbollistët i cili u largua në këtë merkato janari nga Egnatia ishte Gytis Paulauskas. Sulmuesi lituanez firmosi zyrtarisht ditën e djeshme me klubin e Kolos Kovalivka.

paulauskas

Paulauskas do të jetë pjesë e skuadrës ukrainase deri në verën e vitit 2026. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Paulauskas tregon emocionet e aventurës së re dhe se me Egnatian mësoi shumë për vazhdimësinë e karrierës së tij.

Gytis, firmosët me klubin e Kolos Kovalivka. Çfarë ju bindi për të nisur këtë aventurë të re në karrierë?
Prej kohësh klubi im i ri kishte shfaqur interesimin për mua, por unë isha i përqendruar te rrugëtimi me Egnatian. Gjatë periudhës kur mora disa ditë pushim meditova me vetveten dhe vendosa të ndryshoj ambient. I dhashë fjalën ekipit të Kolos Kovalivka dhe lajmërova drejtuesit e klubit ku isha që të gjenin gjuhën e përbashkët. Gjithçka u arrit me mirëkuptimin e të gjithë palëve dhe ky transferim u bë i mundur për tu finalizuar me firmën time në kontratë.

Sa jeni të kënaqur dhe çfarë synoni me këtë lëvizje?
Jam i kënaqur dhe i emocionuar në pafundësi për këtë shans të ri që i kam ofruar vetes. E di që do të jetë një sfidë e vështirë në karrierën time, por kam besim se me punë dhe vendosshmëri do ia dal mbanë. Synoj të hedh një hap të rëndësishëm për të bërë krenar veten edhe familjen time që më kanë mbështetur pa u ndalur. Jam koshient që ekipi i ri ka kualitet dhe konkurrencë, por kjo më motivon pasi unë frymëzohem nga sfidat.

A mund ta quani Egnatian një trampolinë që ia vlejti?
Luajta me fanellën e Egnatias për 1 vit ku përjetova momente historike për klubin duke fituar Kupën dhe mbërritem në kompeticionet europiane. Këtë sezon i mbyllëm dy fazat në vendin e parë dhe natyrisht, jam i kënaqur me rrugëtimin e ish-ekipit dhe performancën time. Ka qenë një vit që nuk do ta harroj kurrë dhe besoj që ia ka vlejtur gjithçka që kam bërë në Rrogozhinë, pasi kam mësuar shumë. Në këto kushte dua të falënderoj të gjithë ata me të cilët punova atje për ndihmën me sugjerimet e tyre dhe për këtë u jam mirënjohës gjithsecilit.

Çfarë do të mbani mend nga Shqipëria?
Ishte një vend i bukur e me njerëz që të falnin dashuri dhe besim. Jam ndier shpeshherë si në shtëpi, pasi u familjarizova shumë me rrethin e njerëzve që njoha atje. I jam falënderues Zotit që më dha mundësinë të njoh Rafael Duamenën, një person të jashtëzakonshëm në gjithçka bënte në jetën e tij. Fatkeqësisht ai nuk është mes nesh, por kam stampuar në memorie pafund kujtime me të.

Tashmë si ish-lojtar, çfarë i uroni klubit të Egnatias?
I uroj që të arrijnë objektivat e fillim sezonit edhe pse jam i bindur për këtë. Egnatia, pavarësisht se është një klub pa shumë histori në futbollin shqiptar, vitet e fundit ka vendosur standarde sa i takon menaxhimit të klubit. Nga fakti që aty ka korrektësi, si pasojë vijnë edhe rezultatet. Ekipi po kryeson kampionatin dhe është një nga favoritët kryesor për të fituar titullin që do të ishte një arritje e madhe për atë qytet të vogël.

A është ky hapi më i madh në karrierën tuaj?
Pa diskutim që po, ndaj edhe erdha këtu. Jam informuar rreth klubit të ri dhe besoj se jam në vendin e duhur për të bërë gjëra të mëdha. Është koha për të punuar, vetëm falë saj arrihen objetivat që i vendosim vetes. Gëzoj një formë fizike të admirueshme dhe kjo më jep besim për të ardhmen dhe vazhdimsëinë. Shpresoj të ambientohem shpejt për të qenë një pikë e rëndësishme e klubit të Kolos Kovalivka për pjesën e mbetur të sezonit.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"