EKSKLUZIVE/ “Garë e fortë për vendin e katërt dhe mbijetesën”, ish-kapiteni Lici: Vllazni, ja çfarë të duhet për “Final 4” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2024 | 20:33

EKSKLUZIVE/ “Garë e fortë për vendin e katërt dhe mbijetesën”, ish-kapiteni Lici: Vllazni, ja çfarë të duhet për “Final 4” (E PLOTË)

Suad Lici ka zgjedhur të evitojë prononcimet rreth Vllaznisë dhe jo vetëm, që pas largimit si administrator i klubit shkodran katër vjet më parë.

LICI

Megjithatë, ish-kapiteni që ka fituar me Vllazninë dy herë titullin kampion, dy herë Superkupën dhe një herë Kupën e Shqipërisë, ka folur dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” për ecurinë e skuadrës kuqeblu, kampionatin në tërësi dhe formulën e çuditshme për ekipin kampion. Për këtë të fundit ishmbrojtësi ua kalon “topin” presidentëve të klubeve, të cilët kanë pranuar propozimin e FSHF-së. Lici ka edhe një apel për futbollistë e rinj shkodranë që rriten në akademinë e Vllaznisë dhe duan të bëjnë karrierë.

Suad, çfarë përshtypjeje të bën ky kampionat pas 19 javësh?

Kampionati më duket i fortë për vendin e katërt kryesisht, pasi për pozicionet e kreut besoj se janë vetëm dy ekipe që bëjnë diferencën: Partizani dhe Egnatia. Megjithatë, unë shikoj një luftë të ashpër për fundin e tabelës dhe kështu ka për të qenë deri në fund.

Si e komenton formulën për skuadrën që shpallet kampion në fund të sezonit?

Sigurisht që një skemë të tillë nuk e kam hasur kurrë gjatë karrierës time, por mesa kam unë informacion, ka qenë dëshira e vetë klubeve. Përderisa kreu i FSHF-së ka bërë mbledhje dhe ka marrë miratimin e të gjithë presidentëve të klubeve, atëherë nuk kemi çfarë të themi. Personalisht mendoj se gara duhet të kishte të njëjtë formulë si në vitet e tjera, nuk kishte pse të ndryshonte. Tashmë që është bërë fakt i kryer, le ta provojnë. Ndoshta iu del edhe më efikase në fund…

Të flasim për Vllazninë. Si e keni parë ecurinë e deritanishme?

Vllaznia më duket sikur ka gjetur qetësi me ndërrimin e trajnerëve, pasi po merr edhe rezultate të mira së fundmi. Sigurisht që fitoret radhazi e ndihmojnë skuadrën për të ecur përpara. Një element që e shikoj pozitiv në skuadër është mosha e re e shumicës së lojtarëve që po luajnë aktualisht. Janë një grup nga 20 deri në 24 vjeç, që iu është dhënë dora, por që mbeten në provë. Është një sfidë e madhe për ta ky sezon, sepse nëse ia dalin, do të mbajnë peshën e Vllaznisë për të ardhmen. Kanë nevojë të mbështeten, pasi janë në një moshë që po piqen dhe duke performuar mirë, edhe Vllaznia do të ecë. Sigurisht që duke futur këtu edhe lojtarët me eksperiencë si Hakaj, Krymi, Balaj etj., formojnë një grup interesant. Me këta lojtarë të rinj shkodranë, mendoj se për 3-4 vjet skuadra do të jetë pretendente.

Në syrin tuaj, çfarë i mungon tashmë ekipit për të bërë atë hapin cilësor dhe që ndoshta mund ta rregullojë në merkaton e janarit?

Gjithmonë skuadra ka nevojë të përmirësohet, sepse duhet të kemi parasysh që jo çdo afrim që mund të bëhet në verë, del për mbarë. Për mendimin tim, aktualisht Vllaznisë i duhen afrime në tri pozicione: mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Duke marrë nga një lojtar cilësor në këto pozicione dhe sidomos te pjesa e krahëve, ekipi bëhet i fortë. Vërtet Gruda dhe Balaj po bëjnë mirë, por prapë skuadra ka nevojë për afrime në sulm. Ju e keni parë vetë që janë detyruar të aktivizojnë Malën si mbrojtës të majtë. Nëse marrin një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues, do të shtonin konkurrencën. Kështu skuadra do të ishte më efikase dhe do të jepte garanci për vazhdimësinë.

Nisur edhe nga ndryshimi i formulës për ekipin që del kampion, ku e shikoni Vllazninë në fund të këtij sezoni?

Aktualisht Vllaznia ka një distancë prej 7 pikësh nga rivali më i afërt, Dinamo, kështu që besoj se do të rivalizojë deri në fund për “Final 4”. Megjithatë, e përsëris, që për të siguruar katërshen, duhet me patjetër që klubi të ndërhyjë në merkato.

Ju keni qenë vetë një lojtar “xhol” që sakrifikoheshit në disa pozicione. Shikon ndonjë futbollist që të kujton veten te kjo Vllazni?

Unë mendoj se këta futbollistë luajnë edhe më mirë se ne. Ju uroj të gjithëve suksese dhe të bëjnë më të mirën për skuadrën, karrierën dhe familjet e tyre. Normalisht që sot janë kushte krejtësisht të tjera, duke filluar nga terrenet, reklama që u bëhet lojtarëve, mediat etj. Nuk ka lidhje me kohën tonë, por shyqyr që ka ardhur kjo ditë dhe brezi i sotëm ta shfrytëzojë në maksimum mundësinë që po i jepet. Nuk ndihem aspak keq pse kemi vuajtur ne për shumë gjëra që lojtarët e sotëm i kanë. Sigurisht që koha ndryshon edhe evoluon sporti.

Nuk përmende ndonjë emër lojtari që ju ka pëlqyer më shumë së fundmi?

Unë kam qejf që të gjithë këta futbollistë të rinj që veshin fanellën e Vllaznisë, në radhë të parë të kenë një ego personale. Këtë fanellë e kanë veshur me shumë dinjitet lojtarë të mëdhenj ndër vite, kështu që në radhë të parë, të rinjtë e sotëm duhet ta justifikojnë dhe të jenë të denjë për karrierën e tyre. Kështu do t’i japin kënaqësi qytetit të Shkodrës dhe familjeve të tyre. Duhet të kenë ambicie për t’u bërë dikushi. Nëse nuk kanë ambicie, atëherë për mua është më mirë që të ndërrojnë drejtim, se sa të merren duke përfaqësuar Vllazninë.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"