EKSKLUZIVE/ E pret Partizani, mesfushori vlonjat hap gjyq në FSHF ndaj Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2020 | 10:52

EKSKLUZIVE/ E pret Partizani, mesfushori vlonjat hap gjyq në FSHF ndaj Flamurtarit

Arinaldo Rrapaj hedh në gjyq Flamurtarin. Mesfushori i është drejtuar FSHFsë për të kërkuar “lirinë”. Lajmi konfirmohet ekskluzivisht për “Panorama Sport” nga burime pranë vetë futbollistit.

rrapajj

Nisur nga fakti se klubi nuk po i jepte letrat, ai i është drejtuar Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në federatë për ta zgjidhur këtë histori. Vlonjati ka shumë të ngjarë që të vijojë karrierën te Partizani, por që të shkojë drejt firmës, fillimisht duhet të mbyllë gjithçka me kuqezinjtë.

Kryeqytetasit i kishin kërkuar 19-vjeçarit që të marrë letrat nga Flamurtari dhe ta zgjidhë këtë çështje brenda javës së parë të gushtit, por me gjithë insistimin e futbollistit, klubi nuk i është përgjigjur pozitivisht.

BLLOKADA

Gazeta mëson se ai ka tentuar disa herë që të hyjë në bisedime me drejtuesit, por ata nuk e kanë mirëpritur largimin, duke ia bërë të qartë se është lojtar i Flamurtarit. Por Arinaldo Rrapaj duket se është i prerë në vendimin e tij: do të vazhdojë te “demat”. Duke parë se klubi nuk tërhiqet nga vetoja, ai do t’i japë zgjidhje në DHZK.rrapaj

Mësohet se vendimi do të jetë i shpejtë dhe FSHF-ja mund ta marrë në konsideratë kërkesën e Rrapajt, duke qenë se ai për një kohë të gjatë nuk është paguar nga klubi dhe ky mësohet se ka qenë edhe argumenti që lojtari ka ngritur në kërkesën e tij për zgjidhje të kontratës me Flamurtarin.

ADMINISTRATORI

Pak ditë më parë për “Panorama Sport” administratori i Flamurtarit tha se nuk ka asnjë lojtar për të shitur. Sinan Idrizi tha se Arinaldo Rrapaj është në kontratë deri në fund të sezonit që vjen, ndaj e përjashtoi mundësinë e largimit të tij. “Ne si klub nuk kemi asnjë lojtar për të shitur. Arinaldo Rrapaj është lojtar i Flamurtarit deri në fund të sezonit tjetër.

Kështu që nuk largohet nga Vlora, për këtë të jeni të sigurt. Ai djalë është futbollist i Flamurtarit dhe do të qëndrojë këtu, mos e diskutoni më këtë gjë. Nuk kemi hapur ndonjë ankand dhe nuk e kemi nxjerrë në shitje. Nuk shesim dhe nuk lejojmë të largohet asnjë nga lojtarët që janë me kontratë. Do të qëndrojnë te Flamurtari në Kategori të Parë”, deklaronte Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"