EKSKLUZIVE/ “E lë arbitrimin nëse nuk është penallti”, rrëfimi i Plakut: Do vuajnë 25 lojtarë, i besova Qarrit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2019 | 21:40

EKSKLUZIVE/ “E lë arbitrimin nëse nuk është penallti”, rrëfimi i Plakut: Do vuajnë 25 lojtarë, i besova Qarrit…

Sebino Plaku është prekur tej mase nga ngjarja e së dielës. Në rrëfimin për “Panorama Sport”, sulmuesi flet si një kapiten i vërtetë, pa kursyer as presidentin e tij, Naim Qarri. “Nuk mendoi se çfarë do të ndodhte për 25 futbollistë kur bëri ato veprime. Ndihem keq, jam i turbullt.

plaku

Nuk dimë se çfarë do të ndodhë me ne lojtarët tani. Futbolli është jeta jonë. Më vjen keq edhe për Hamitin, sepse e di që familja e tij ka vuajtur në ato momente. Ishte e papranueshme ajo që ndodhi”, deklaroi sulmuesi.

Delegati i ndeshjes deklaroi se të vetmit që i erdhën në ndihmë, ishin Stojku, Orelesi, Bonani dhe Plaku. Ju keni një jetë në futboll, por a keni përjetuar ndonjë ngjarje të ngjashme?

Ishte diçka që na surprizoi të gjithëve. Të them të drejtën, unë prandaj nuk fola pas ndeshjes, pasi situata doli jashtë çdo logjike. Edhe një fjalë e imja varet si do të ndikojë. Të gjithë u habitën dhe të gjithë ishim “pro” arbitrit. Nuk ishte normale ajo që ndodhi, ndaj nuk doja ta vazhdoja këtë bisedë dhe të prononcohesha, pasi ishte shumë e rëndë për të gjithë. Nuk kam çfarë shtoj, pasi çdo gjë u tha aty dhe doli jashtë kontrollit. Dhuna ne kamze eldorjan hamiti qarri

A ishte një revoltë e momentit apo ka pasur ndonjë qejfmbetje me këtë arbitër nga e shkuara ose edhe nga fillimi i kësaj ndeshjeje?

Jo, jo. Përkundrazi. Para çdo ndeshjeje kur caktohet arbitri, gjithnjë jepet një përkufizim, thuhet: “ky është kështu apo ky është ashtu”. Ndërsa për Hamitin thamë që është një arbitër që të paktën mund ta mbajë drejtë ndeshjen. Kur luan në shtëpi dhe kur je në situatën siç është Kamza, mendohet vetëm të marrësh atë që meriton. Kjo është e vetmja bisedë që mbaj mend që është bërë më herët, nuk ka histori të vjetra. Me këtë djalin nuk kishim asnjë peng dhe asnjë shqetësim.

Ju e keni vuajtur në lëkurë sjelljen jo humane kur luanit në Poloni dhe mbi të gjitha si kapiten i skuadrës, e keni një mesazh për publikun dhe çfarë duhet të ndryshojë në Shqipëri?

Çdokujt nuk do t’i vinte mirë që të shihte bashkëshortin apo fëmijën e vet në ato kushte. Ndaj duhet bërë ç’është e mundur për të mbështetur familjen e Hamitit. Jam dakord për këtë pjesë, pasi edhe unë jam vetë familjar. Se çfarë duhet të ndodhë, kjo është e vështirë që ta përcaktosh, por që është diçka e turpshme për të gjithë ne.

Të gjithë pretendojmë që të shohim një futboll dhe kjo që ngjau ishte e papritur, edhe pse vetë unë jam i surprizuar me aq sa e njoh presidentin e ekipit dhe njerëzit e tjerë aty pranë. Jam i habitur, pasi erdhi me një lloj gjakftohtësie. Impakti i parë që u krijua ishte që u futën disa njerëz dhe tifozë, të paktën në rastin konkret unë po mundohesha të mbaja një djalë të ri që u fut dhe ai ishte tifoz.

Kur pashë që policia u afrua dhe presidenti po vinte me qetësi, thashë me vete se është një lloj mbështetjeje që po bëhet për të larguar ata që po krijonin atë situatë. Por, kur pashë që u krijua një lloj tensioni nga ai djali me xhup të kuq, aty kuptova që gjendja degjeneroi dhe më pas e lashë. Çdo gjë ishte jashtë parashikimeve.

Dhuna ne kamze eldorjan hamiti qarri

A jeni i shqetësuar për vete dhe për shokët e ekipit, pasi Kamza mund të rrezikojë edhe përjashtimin?

Para se të kaloj tek ekipi, kjo ka qenë gjëja e parë që më ka shkuar në mendje. Mirë presidenti reagoi aty për aty, por a janë menduar pasojat? A është menduar që janë 25 lojtarë që i kanë besuar edhe në momente të vështira dhe kanë lënë mundësi më të mira? Unë personalisht kam pasur alternativa edhe jashtë. I lashë dhe i besova. Thashë po e bëj edhe një sezon, pasi isha lidhur shumë me ekipin.

Kjo është gjëja më e rëndë, pasi lojtarët do të jenë të parët që do ta vuajnë më tepër këtë situatë. Edhe presidenti sigurisht, pasi ai ka investuar lekët e familjes së tij. Si kapiten e kam përgjegjësinë edhe më të madhe, pasi do shkoj nesër (sot) në stërvitje dhe nuk e di me çfarë motivi do vazhdoj. Është një situatë e rënduar për skuadrën, por edhe për ne futbollistët. Edhe pse u munduam mos të ishim pjesë e kësaj gjëje, e dimë që rregullat do të na penalizojnë ne të parët. Nuk kam asnjë lloj fuqie dhe versioni që të them mund t’ia dalin në një mënyrë apo në një tjetër. Thjesht, situata është tejet e ngarkuar dhe unë nuk mund të mendoj fare qartë.

Kjo situatë ju ka futur në dilema…

Patjetër që po. Një javë më parë fola me presidentin dhe tekstualisht biseduam për planin e mbijetesës. Ai tha se përtej distancës së pikëve, do të luftojmë deri në fund. Ai kishte shumë besim, ndaj nuk e kuptoj dot pse ndodhi kjo. Nuk merrem me penalltinë nëse ishte apo jo, me atë pikë ne do të vazhdonim të luanim edhe 12 javë të tjera. Ndaj, nuk e kuptoj pse ra pre e situatës. Ishte po vetë Kamza, po vetë presidenti Qarri dhe ekipi, që vjet, edhe pse nuk ishim pjesë e konjukturave dhe aleatëve, prapë nuk bëmë asnjëherë lojë të pisët, antifutboll apo përleshje. Ishte një ekip super “fair-play” edhe në situata më të vështira.

E keni parë rastin që degradoi krejt situatën, vetë Sebino si mendon, a ishte penallti?

Po ta vësh re në kronikë, unë kam ardhur pak me vonesë. Dhe pse doni të thoni ju? Duke qenë se ishte top shumë i lartë, prej eksperiencës na ka ndodhur që portieri na ka goditur me taka ose me gju dhe prapë ka qenë prioritet për portierin. Edhe pse jemi ankuar, nuk ka ndryshuar gjë, pasi është në zonën e vet.

Jam rritur me këtë ndjesi. Nuk e di çfarë ka ndryshuar në rregullore, por unë u nisa nga kjo gjë dhe mendova nëse i ikën topi portierit prej duarsh, do të ishte faull për ne. Në momentin që pashë që ai drejtoi dorën për penallti, shkova me vrap dhe i kam thënë: “Si ke guxim të japësh penallti në këtë mënyrë?!” Ai ka qenë shumë i vendosur dhe më tha: “Është penallti…” Iu drejtova sërish: “Ke pasur 90 minuta, tani e gjete për të treguar…”.

Aty m’u kundërpërgjigj: “Nëse nuk është penallti, unë e le arbitrimin”. Kur më tha këtë, unë ndalova. E pashë shumë të vendosur. Por, tani që kanë kaluar orë dhe e kam riparë me qetësi atë rast, nuk jam ende i sigurt nëse është. Nuk them si tifoz, më besoni. Por, përtej moviolës, jam kundër asaj që ndodhi. Jam në mbështetje të arbitrit, pasi e lexova në intervistën në gazetën tuaj kur thoshte: “Më kanë vrarë”. Jam i lumtur që e kaloi me kaq dhe uroj që edhe familja e tij ta kalojë këtë situatë dhe gjithçka të sheshohet. Në aspektin profesional mund të na vijë edhe keq, por kur bëhet fjalë për të tilla gjëra, jam 100% me arbitrin.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"