EKSKLUZIVE/ E bujshme! Çelsi do Taren, takim në Palasë me Tod Bohlin. Ja prapaskenat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2023 | 23:58

EKSKLUZIVE/ E bujshme! Çelsi do Taren, takim në Palasë me Tod Bohlin. Ja prapaskenat (E PLOTË)

Igli Tare është takuar së fundmi me pronarin e klubit të Çelsit, Tod Bohli. Po, është lajm i bujshëm, por nuk mbaron me kaq… Takimi është bërë në Shqipëri dhe më saktë në një nga rezidencat luksoze në Palasë.bfgg

Bohli ka pasur edhe të birin me vete, ndërkohë që nën shoqërinë e tyre kanë qenë edhe personazhe të tjerë, mes të cilëve edhe biznesmenë shqiptarë. Burime të “Panorama Sport” treguan se Bohli është takuar edhe me kryeministrin Rama, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar.

Ndërmjetës i këtij takimi mësohet se ka qenë menaxheri Fali Ramadani së bashku me agjentin e Silvinjos, Altin Taho.

TOD BOHLI

Tod Bohli ka lindur më 20 shtator 1973 dhe është një biznesmen dhe investitor amerikan. Ai është bashkëthemelues, kryetar, shef ekzekutiv dhe anëtar kontrollues i kompanisë “Eldridge Industries”, një kompani “holding” me seli në Grinuiç, Konektikat. Ai është gjithashtu CEO i përkohshëm i Shoqatës së Shtypit të Huaj të Hollivudit dhe pronar i klubit të futbollit në Premier Ligë, Çelsit. Ai është gjithashtu edhe pronar i klubit të futbollit të Ligës 1, RC Strasburg.

BIZNES DHE FUTBOLL

Ka pak të dhëna për arsyen e takimit mes Tod Bohli dhe Igli Tares, por nuk është e vështirë të mendosh se pas një viti të dështuar në merkato dhe në rezultate, pronari i Çelsit takon ish-drejtorin e Lacios, një nga më të mirët në Itali dhe në Europë. Kujtojmë që Tare pak javë më parë u largua nga Lacio pas 18 vitesh si lojtar dhe drejtor sportiv.

A kanë folur ata të dy për futboll? Vështirë të thuash të kundërtën. A mund të jetë Igli Tare drejtori i ri i Çelsit, ku luan edhe ylli i Kombëtares shqiptare, Armando Broja? Ka të ngjarë…

Ashtu sikundër edhe mund të ketë qenë një takim fare rastësor, sepse Tod Bohli është një biznesmen amerikan me origjinë gjermane, që udhëton shumë dhe po investon qindra milionë euro edhe në fusha të tjera përveç futbollit në Europë.

Sa i përket sezonit të shkuar, ishte një nga më të dobëtit e dekadave të fundit për Çelsin. Jo vetëm që u rendit në vendin e 12-të me 44 pikë të grumbulluara, por dështoi totalisht edhe në merkato.

Mjafton të kujtosh se pas largimit të ishdrejtoreshës Marina Granovskaia dhe Petr Çeh në verë, ai mori përsipër merkaton e klubit, duke u përfshirë personalisht në negociata.

Dhe ndonëse shpenzoi rreth 630 milionë paund gjatë kësaj periudhe duke afruar emra si Aubamejang, Sterling, Fernandez, Nkuku, Feliks, Kukureja, Kulibali apo Fofana, Çelsi në fund u rendit i 12-ti. Mediat angleze raportuan se Bohli ka dhënë dorëheqjen që në janar nga posti i drejtorit (de fakto) që mbante, por kjo nuk e ndihmoi skuadrën e tij që të shpëtonte sezonin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"