EKSKLUZIVE/ “Dua të fitoj titullin me Tiranën”, rrëfehet portieri Abdullahu: Reali është maja, ëndërroj t’i zë vendin Kurtuasë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2024 | 20:14

EKSKLUZIVE/ “Dua të fitoj titullin me Tiranën”, rrëfehet portieri Abdullahu: Reali është maja, ëndërroj t’i zë vendin Kurtuasë (E PLOTË)

Idhulli Tibo Kurtua. I gjatë 199 cm, Mustafë Abdullahu është zbulimi i këtij sezoni te Tirana. Lojtari u aktivizua me bardheblutë dhe tani është një titullar i padiskutueshëm. Lojtari nga Kosova që la Besën për Tiranën, në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, rrëfen të fshehtat e tij. Ai zbulon nëse është i lidhur, cili është idhulli që ka, ku dëshiron të luajë nëse lë Tiranën dhe një mesazh për një portier të madh. Gardiani foli edhe për kryeqytetin shqiptar, Prishtinën, Kosovën dhe dëshirat jashtë futbollit.

ABDULLAHU

Një tjetër fitore e Tiranës me përmbysje. Skuadra tregoi karakter dhe se është gati…

Po është e vërtetë që treguam karakter në fushën e lojës. Luajtëm mirë dhe e kthyem rezultatin, duke e marrë trepikëshin. Bëmë ndeshjen tonë në pjesën e dytë edhe ia dolëm. Pjesa e parë nuk ishte aq e mirë, por treguam veten tonë në fushë. Mund të themi se kjo është Tirana që do trajneri, duan tifozët dhe do të shohim në vazhdim? Po, kjo është skuadra që duan të gjithë. Mendimi im është se kemi luajtur shumë mirë në këtë sfidë, por edhe atë që fituam me Egnatian.

Si e shihni Tiranën nga tani e në vazhdim? Mund ta arrijë objektivin që ka, titullin kampion?

Kjo është një skuadër shumë e mirë. Në të ka emra të njohur dhe lojtarë shumë të mirë. Jemi shumë të fortë dhe kemi besim për të ecur përpara dhe për t’ia dalë që të marrim trofe. Jam i bindur që do të bëjmë mirë.

Ju tashmë keni 6 muaj te Tirana, por ndryshe nga Kategoria e Parë, si është Superiorja?

Superiorja është ligë shumë e fortë. Shumë e mirë, kënaqem kur luaj këtu. Për më tepër që tani jam në një ekip më të mirë se ai i mëparshmi ose te skuadra më e madhe dhe më mirë e Shqipërisë.

Ju që në fillim ratë në sy. Kartoni është rritur në 300 mijë euro. A do të largohet Abdullahu nga Tirana?

Fjalët e merkatos janë të mira. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Jam këtu te Tirana. Jam i fokusuar te ndeshjet që do të luajmë në vazhdim. Do Zoti bëhet një transferim i madh në vazhdim.

Do të luani me Teutën, një tjetër sfidë të rëndësishme. Nuk keni fituar shpesh në Durrës?

Teuta është ndeshja e radhës në kampionat. Do të fokusohemi për këtë sfidë. Do të bëjmë maksimumin për ta fituar ndeshjen në kampionat që të afrohemi me kreun.

Çdo sportist ka një idhull ose model që ndjek. Cili është idhulli i Mustafës?

Idhulli im është Tibo Kurtua. Atë kam qejf si portier. Është shumë i mirë. Dua të jem njëlloj si ai.

Çfarë të pëlqen jashtë futbollit?

Të them të vërtetën nuk kam ndonjë pasion të veçantë. Pasioni im i parë është futbolli.

Nëse nuk do të ishe bërë sportist, me çfarë mendon se do të merreshe në jetën e përditshme?

Të them të vërtetën do të merresha më shumë me shkollën. Do t’i fokusohesha tërësisht shkollës. Në atë rrethanë do të ishte primare për mua.

Sa i lartë apo i gjatë është Mustafë Abdullahu?

Jam i gjatë 199 cm.

Këmba?

Numri i këmbës është 47-ta.

Ju jeni djalë i vetëm apo në familje jeni disa fëmijë…

Jo, jemi në familje tre fëmijë. Kam një vëlla dhe një motër, të dy më të mëdhenj.

Cili është tifozi më special dhe më i zjarrtë i Mustafë Abdullahut në ndeshjet sportive?

Pa dyshim është vëllai. Ai më ndjek në çdo ndeshje.

Nëse do të vendosje vetë skuadrën ku të shkoje, ku do të kishte dëshirë të luaje?

Normale që të gjithë duan të luajnë në Europë. Dua që të shkoj sa më lart. Ekipi që dua më shumë është Reali i Madridit. Do të kisha dëshirë të vishja atë fanellë, ta përcillja unë Kurtuanë.

Te Tirana ishte Bekaj, portieri i kombëtares së Kosovës. Tani për të luajtur me ekipin e parë e ke ti radhëm?

Shpresoj që po. Bekajn e ndjek shumë. E kam edhe mik dhe për mua është një djalë fantastik. Do Zoti që edhe unë të kem të njëjtin fat në kombëtare.

Si është jeta e Abdullahut në Tiranë?

Në Tiranë jeta është shumë e mirë dhe e rehatshme. Qyteti është shumë i bukur.

Në krahasim me Kavajën?

Po, po. Ndryshimi është shumë i madh mes dy qyteteve.

Cili qytet e arrin në Kosovë, Tiranën?

Ta krahasosh me Prishtinën qyteti është aty-aty. Megjithatë, Tirana është qytet më i madh dhe më i bukur.

Cila është arma më e fortë e Mustafës?

Gjatësia. Mbuloj portën horizontalisht dhe vertikalisht.

Mustafë Abdullahu është i lidhur apo “single”…?

(Qesh). Jo nuk jam.

Pyetja e fundit. Tirana e fiton titullin dhe Abdullahu del kampion i Shqipërisë?

Patjetër. Atë qëllim kemi: për të ngritur trofeun në fund të kampionatit.

OLSI AVDIAJ -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"