EKSKLUZIVE/ “Dinamo i bën nder kampionatit”, Shkëlqim Muça: S’duhet të nxitohen në sezonin e parë, futbolli nuk është me çelës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2021 | 10:33

EKSKLUZIVE/ “Dinamo i bën nder kampionatit”, Shkëlqim Muça: S’duhet të nxitohen në sezonin e parë, futbolli nuk është me çelës

Titullin e 18-të dhe të fundit në historinë e saj, Dinamo e ka fituar me Shkëlqim Muçën në stol, në sezonin 2009- 2010. Një sezon më pas, blutë mbijetuan me një ndeshje shtesë në elitë, për të humbur pastaj kontaktin me Superioren në fund të sezonit 2011-2012.

muca

Tani, pas shumë vitesh përpëlitje në inferiore, Dinamo kthehet në elitë me objektivin e qartë për të zënë vendin që i takon. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Muça flet për rikthimin e bluve dhe atë çfarë mund të arrijë kjo skuadër, që sipas tij i bën mirë futbollit shqiptar.

Profesor Muça, pas gati 10 vitesh Dinamo kthehet në Superiore. Cila është ndjesia?

Është kënaqësi e madhe ta shohim Dinamon në nivelin elitar, jo vetëm se mungon prej kaq vitesh, por për atë që ka bërë gjatë gjithë historisë së saj si klub. Është diçka pozitive për futbollin tonë që ta shohim prapë në ato nivele.

A mendoni se mund të arrijë në ato nivele menjëherë?

Kur një punë fillon mirë është për t’u duartrokitur. Në distancë kam parë që puna ka filluar mirë, me organizim të qartë, me infrastrukturë, me administratë, me kushte të mira për lojtarët. Dhe kur nis puna mirë është për t’u lavdëruar, pastaj le t’ia lëmë kohës. Shpresat janë kur shikon njerëz që duan të bëjnë gjëra pozitive.

Shkëputja kaq e gjatë për një klub me emër, a mund të ndikojë?

Koha vërtet ka qenë e gjatë, por nuk do të thotë gjë. Po të ketë një plan të mirëmenduar, të paktën për një 3-vjeçar, po të kesh një organizim të mirë, duke krijuar infrastrukturë të mirë gjërat arrihen. Vetëm se nuk duhet nxituar për të arritur gjithçka që në vitin e parë sepse futbolli nuk është me çelës, që të marrësh që në fillim maksimumin.

Ju jeni trajneri i fundit që keni fituar titullin me Dinamon. Si e kujtoni atë sezon?

Kishim një ekip shumë të mirë, një grup shumë të mirë futbollistësh, titullarë dhe në stol. Ne e morëm kampionatin në 2010-ën që pas dy fazave të para. Në atë kohë kampionati ishte me tri faza dhe ai ishte edicioni më i mirë i fundit.

Pastaj erdhi edhe rënia dramatike…

Po, kanë qenë një sërë faktorësh, jo dëshira e drejtuesve të Dinamos. Ishin ata faktorë që e detyruan Dinamon të shkonte aty ku shkoi. Si e shikoni rivalitetin për sezonin 2021-2022? Normalisht, kur ka merkato, kur ka investime nga shumë klube do të rritet konkurrenca.

Dhe kur rritet konkurrenca gjithmonë ka zhvillim për së mbari. Edhe me gjykimet në të gjitha drejtimet. Kur ka rregulla të qarta kampionati bëhet më i mirë, bëhet një produkt më i shitshëm dhe më i aksesueshëm për të gjithë tifozët.

Superiorja duhet të jetë modeli, gara duhet të vazhdojë vetëm me klubet që plotësojnë kushtet, duhet të ketë rregulla shumë të forta sepse ato ekipe që nuk e mbulojnë mirë financiarisht e prishin garën. E ritheksoj, duhen rregulla të forta, sidomos në aspektin financiar.

Këtë sezon, me rikthimin e Dinamos do të shtohet edhe numri i derbeve. Si e shikoni këtë aspekt?

Është në të mirë të kampionatit kur ka më shumë ekipe në nivele të larta. Pastaj, edhe tifozëria bëhet më e shumtë në numër dhe ndeshjet më të bukura.

Për herë të parë do të aplikohet sistemi VAR në kampionatin shqiptar, keni një koment?

Patjetër që do të jetë diçka shumë pozitive. Mund të ketë mangësira sepse te ne gjithmonë ka, mund të jetë problemi i kamerave që të japin mundësinë për ta parë një aksion në shumë kënde, por me siguri VARi do ta përmirësojë.

Sado që ta përmirësojë është mirë. Me kalimin e kohës do të jetë në përmirësim sepse ne nuk kemi shumë impiante që ofrojnë kushte të mira. Prandaj dhe them se duhet të ketë rregulla të forta. Do të vërë më shumë drejtësi, është hap i mirë sepse ato polemikat që ishin vjet mund të eliminohen edhe pse jo ndoshta 100%.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"