EKSKLUZIVE/ Demollari tregon prapaskenat e shkarkimit: Për mua folën dashamirësit, Vata e ka marrë përgjigjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 23:44

EKSKLUZIVE/ Demollari tregon prapaskenat e shkarkimit: Për mua folën dashamirësit, Vata e ka marrë përgjigjen

Sulejman Demollari nuk kërkon të bëjë polemika. Tregon të vërtetën e shkarkimit të tij nga stoli i Kombëtares shqiptare, por gjithashtu driblon mjeshtërisht edhe një ish-mbrojtës të fortë si Rudi Vata.

demollari-intervista-2011

Në një reagim për “Panorama Sport” në lidhje me deklaratën e ish-trajnerit Astrit Hafizi, Demollari tregon se ai nuk u shkarkua nga Duka, por patën një marrëveshje për largimin e tij nga stoli i kuqezinjve. 54-vjeçari thotë se Duka në atë kohë donte që të kishte vetëm trajnerë të huaj dhe prandaj e largoi. Demollari i përgjigjet edhe Vatës me “stilin” e tij duke thënë se përgjigjen më të mirë ia kanë dhënë tifozët në lidhje me opinionin që kishte për të si lojtar dhe si trajner.

Një ditë më parë, ish-trajneri Hafizi e mori Demollarin si shembull për t’i treguar Dukës se po vepron me dy standarde, pasi këtë të fundit e shkarkoi shumë shpejt, ndërsa Panuçit po i jep më shumë kohë për të treguar veten.

Ju vjen keq që merreni si shembull negativ për shkarkimin tuaj pas 9 muajsh apo ju vjen mirë që Hafizi ju mori në mbrojtje?

Nuk ndodh asgjë për mua. Unë i marr me sportivitet dhe e kaloj. Gjithçka. E vërteta e largimit, unë e di se si ndodhi. Nuk është as e presidentit Duka, por një mirëkuptim mes meje dhe tij. Në fushatën që ai bëri, tha se do të kishte vetëm trajnerë të huaj sa ai të jetë president. Kështu që unë u largova me mirëkuptim. Jemi ndarë me mirëkuptim dhe ai nuk e ka personale me mua, por thjesht për idenë për të sjellë trajnerë të huaj. Kjo është e gjitha.

Por, Hafizi ju mbrojti dhe tha se Duka nuk veproi mirë me ju…

Unë e thashë që i marr me sportivitet gjërat dhe me qetësi. Secili ka mendimin e tij dhe shprehet si duhet. Unë e di dhe kjo është e vërteta se si ka ndodhur e gjitha ajo histori.

Vata ka deklaruar për mediat angleze që ju jeni lojtari më i mirë me të cilin ka luajtur, por edhe trajneri më i keq…

Më thanë të tjerët për këtë gjë. Por nuk e kam parë. Ku e ka thënë Rudi këtë?

E ka thënë te “The Sun”.

Shumë mirë. Rudit ia kanë kthyer përgjigjen dashamirësit e futbollit. Ai ka mendimin e tij të shprehet dhe shyqyr jemi të lirshëm të shprehemi. Edhe Vata e ka marrë përgjigjen nga tifozët e futbollit.

BESAR BOZGO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"