EKSKLUZIVE/ Çekiçi alla Ibra, dopietë dhe çmend Turqinë: Babai më kritikoi, Cikalleshi më ndihmon shumë (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 16:03


EKSKLUZIVE/ Çekiçi alla Ibra, dopietë dhe çmend Turqinë: Babai më kritikoi, Cikalleshi më ndihmon shumë (VIDEO)

Ka qenë dita e Endri Çekiçit. Mesfushori pogradecar që aktivizohet te Koniaspori ka shënuar një dopietë përballë një skuadre të fortë si Trabzonspori. Shqiptari ka mahnitur Turqinë me realizimet e tij ku ka nxjerrë nga repertori një gol që në koordinim të ngjason me Ibrahimoviçin.

Cekici

Por “Çekiçi Show” nuk ka mbaruar dhe vjen goli i dytë, po meritë personale e Çekiçit ku pasi driblon dy lojtarë kundërshtarë, gjuan bukur me këmbën e majtë dhe shënon. Fantazisti po shkëlqen në një ligë të fortë, siç është kampionati turk, ku bashkë me Cikalleshin janë vetëm 2 pikë larg vendit të parë.

Çekiçi shkon në kuotën e tre golave në këto gjashtë ndeshjet e para për mesfushorin me aftësi sulmuese që sa vjen dhe po rritet fizikisht dhe po tregon që mund të jetë një pikë e fortë në mesfushën e Kombëtares. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Çekiçi flet për dopietën e radhës, çfarë i tha babai mbas ndeshjes dhe batutat me shokun e ekipit, Sokol Cikalleshin.

A janë këta golat më të bukur që keni shënuar?

Ishin dy gola vërtet të bukur, por shpresoj që më të bukurit nuk kanë ardhur akoma.

Sa herë keni shënuar dopietë në karrierë?

Kjo ishte dopieta e katërt në karrierën time.

Çfarë ju tha Cikalleshi pas ndeshjes? Më thoni ndonjë batutë…

Kur je me Sokolin, ka gjatë gjithë kohës batuta, por edhe seriozitet kur duhet. Më ka ndihmuar pa masë këtu në Turqi.

Çfarë ka ndryshuar te Çekiçi “i Turqisë” në raport me skuadrat ku keni luajtur më parë?

Besoj se duke luajtur në një ligë më të fortë, jam rritur dhe fizikisht më shumë. Normalisht edhe koha kalon dhe fiton edhe më shumë eksperiencë.

Çfarë ju tha babai pas ndeshjes?

Babai si gjithmonë i gjeti disa kritika të vogla (qesh).

Me ardhjen e Bajramit është rritur konkurrenca në Kombëtare. A ju shqetëson kjo?

Përkundrazi, konkurrenca e rrit ekipin dhe kjo besoj është një nga arsyet që Kombëtarja po vjen në rritje. Momentalisht, ka shumë lojtarë të talentuar dhe shpresoj që në të ardhmen të arrijmë suksese të mëdha të gjithë bashkë.

KRISTI SEJATLLARI –  PANORAMASPORT.AL


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/