EKSKLUZIVE/ Aksident në Ugandë, Vllaznia “divorc” me mbrojtësin. Zbulohen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2020 | 8:44

EKSKLUZIVE/ Aksident në Ugandë, Vllaznia “divorc” me mbrojtësin. Zbulohen prapaskenat

Godfrej Ualusimbi bëhet i gjallë. Pas afro dy muajsh, lojtari ka kontaktuar me klubin dhe ka rrëfyer arsyen e vërtetë pse nuk u kthye më në Shkodër. Mbrojtësi pritej në stërvitje që në ditët e para të janarit, por kurrë nuk erdhi. Dhe nga sa kuptohet, nuk do të vijë më. 

Ualusimbi-vllaznia

Gazeta “Panorama Sport” mëson se lojtari ka pësuar një aksident në Ugandë dhe ka dëmtuar këmbën. Duke e pasur të pamundur rikthimin e shpejtë në fushë, e ka parë të udhës që të marrë vendimin drastik. Ai ka komunikuar me drejtuesit dhe i ka bërë me dije se më e mira do të ishte që ta prishnin kontratën. Te Vllaznia e kishin paguar me korrektësi deri në dhjetor, ndaj vendosën që ta kërcënonin me gjobë dhe gjyq.

Ata kishin përgatitur thuajse gjithçka, por varianti që u ka dhënë afrikani i ka bindur që të bëjnë një hap pas dhe me shumë mundësi do t’i japin edhe lejen e kalimit. Kujtojmë se mbrojtësi erdhi në nisje të këtij sezoni te kuqeblutë, ndonëse me shumë vonesë për shkak të vizës. Ai luajti 542 minuta në 8 ndeshje, por  në të vërtetë kurrë nuk e bëri diferencën. Pas pushimeve të dimrit, ai u kthye në vendlindje për të pushuar dhe në klub kishin menduar se ai do të kthehej në ditët e para të janarit. Por e kundërta ngjau, pasi nuk iu përgjigj urdhrit të klubit. Kjo e detyroi administratorin Suad Lici që ta kërcënonte, duke paralajmëruar se do të merreshin masa. Por me kalimin e muajit, situata ka ndryshuar katërcipërisht dhe “divorci” mund të vijë në paqe të plotë dhe pa kurrfarë penaliteti.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"