EKSKLUZIVE/ Abazaj iu dërgon “SMS” rivalëve: Tirana kthehet e frikshme, ja pse kemi vuajtuar (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 21:49

EKSKLUZIVE/ Abazaj iu dërgon “SMS” rivalëve: Tirana kthehet e frikshme, ja pse kemi vuajtuar (E PLOTË)

Kristal Abazaj i dha një pikë Tiranës me penalltinë e shndërruar në gol në shtesë. Një pikë morali që i mban bardheblutë në garë për “Final 4”.

abazaj

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, sulmuesi tregon emocionet e minutës së fundit, teksa beson te shpirti i garës së kësaj skuadre, edhe pse e cunguar për shkak të kontingjentit. Përpos gjithë situatës jo të mirë që po kalojnë bardheblutë, Abazaj është i bindur se kjo skuadër do ta synojë titullin kampion deri në fund. Ai ka besim se në ndeshjen e radhës me Dinamon do të rikthehen tek tri pikët, ndërsa nuk ka asnjë preferencë për ekipin rival në gjysmëfinale të kupës.

Patët emocione tek penalltia në fund apo jeni mësuar me këto situata në një ndeshje?

Nuk është diçka që më fut në presion pas gjithë atyre ndeshjeve që kam kaluar në Superiore. Normalisht është përgjegjësi e madhe në minutë të fundit të shënosh golin e barazimit. Ndaj, nga ana psikologjike nuk është e lehtë.

 

Sa i vlen ky barazim Tiranës në kampionat, pikërisht në një moment që lufton për një vend në “Final 4”?

Ne zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë dhe gjatë gjithë lojës kemi qenë aty. Pësuam një gol dhe arritëm të reagonim. E rëndësishme është që ne e kemi shpirtin e garës dhe kjo na jep besim për të ardhmen.

U bënë disa javë që Tirana nuk fiton. Çfarë nuk shkon në skuadrën tuaj që nuk merr tri pikët?

Kemi pasur disa oshilacione, pasi edhe ekipi nuk ka qenë i plotë gjatë gjithë kohës. Megjithatë, me kaq lojtarë sa jemi po përpiqemi ta çojmë ekipin para.

Me një grup jo të plotë kur duhet edhe një fazë deri në “Final 4”, deri ku mund të arrijë kjo Tiranë?

Objektivat e Tiranës janë gjithnjë madhorë. Unë këtu kam ardhur për të dalë kampion. Vjet deri – diku dolëm, pavarësisht sesi shkuan gjërat, por mund ta quajmë ekipin kampion. Shpresojmë nga ndeshja në ndeshje të bëjmë rendiment të lartë.

Ndeshjen e radhës e keni me Dinamon. Si e shihni derbin e dytë të kryeqytetit?

Kuptohet që është një ndeshje e vështirë, sepse edhe ata kanë arritur të bëjnë ndeshje të mira javët e fundit. Mirëpo, ne jemi Tirana dhe do të hyjmë vetëm për të marrë tri pikët. Besoj se do t’ia dalim.

Jeni në gjysmëfinale të Kupës, cilën skuadër preferoni në shortin që hidhet ditën e martë?

Të jem i sinqertë nuk kam asnjë preferencë. Të gjitha ekipet që kanë ardhur deri këtu janë të forta dhe nuk janë rastësisht.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"