“Ekipi është i karikuar për sfidën me Shkumbinin”, ultimatumi i Gjylës: Lushnja s’mund të gabojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2021 | 11:40

“Ekipi është i karikuar për sfidën me Shkumbinin”, ultimatumi i Gjylës: Lushnja s’mund të gabojë

Lushnjarët kanë mbyllur përgatitjet në kuadër të takimit me Shkumbinin, që është edhe i fundit takim i vitit 2021. Ushtrime të ndryshme dhe kryesisht hendbolli janë ushtruar në këtë seancë stërvitore.

Ilir Gjyla Lushnja

Verdhejeshilët duken gati për 90 minutat e fundit të fazës së parë, edhe pse ecuria e deritanishme është problematike dhe vë shumë pikëpyetje mbi të ardhmen.

Sikur të mos mjaftonte ecuria negative, në këtë ndeshje të fundit të 2021-shit skuadrën e trajnerit Ilir Gjyla e mundojnë edhe mungesat. Përballë berdhekaltërve, lushnjarët nuk do të kenë në formacion mesfushorin qendror Melis Haxhiu, që është i skualifikuar.

Ndërkohë që edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Arbër Mone, vijon të jetë i dëmtuar që nga transferta me Pogradecin. Dje janë stërvitur veçmas edhe mbrojtësit Dionis Musaku dhe Noel Konduri, që me shumë mundësi nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen e sotme me Shkumbinin.

Ndërkohë, pas skualifikimit njëjavor rikthehet mesfushori Xhonatan Lajthia. Lajm i mirë për këtë takim konsiderohet gatishmëria e Ervis Gjylës, i cili pritet titullar në sulm duke formuar dyshen me brazilianin Hugo da Silva. Ai kthehet pas një dëmtimi që e mbajti tetë javë jashtë fushave.

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, shprehet se si ndeshje e fundit e vitit, fitorja konsiderohet detyrim për skuadrën që ai drejton.

“Është ndeshja e fundit për këtë vit. Fitorja është detyrim për ne. Kemi thënë disa herë që do të fitojmë, por kjo nuk ka ndodhur. Për Shkumbinin ekipi është i karikuar.

Kjo ndeshje duhet fituar”, deklaroi Gjyla. Takimi është në program të luhet në “Roza Haxhiu” në orën 13:30. Një biletë në tribunën qendrore do të kushtojë 300 lekë, ndërsa në pjesën e shkallëve vetëm 100 lekë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"