Egnatia godet me Memollën, trajneri Tetova flet para duelit me Partizanin: Dalim nga ngërçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2023 | 10:13

Egnatia godet me Memollën, trajneri Tetova flet para duelit me Partizanin: Dalim nga ngërçi

Egnatia është drejt finalizimit të një goditjeje të madhe në merkato. Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Hysen Memolla, ka arritur marrëveshjen me rrogozhinasit. 30-vjeçari është një lojtar me karrierë mjaft të pasur, teksa vjen pas një aventure në Finlandë me ekipin e Lahtit. Në ditët në vijim, kavajasi pritet të prezantohet me fanellën e Egnatias, si një nga afrimet më të bujshme të kësaj merkatoje dimri. Memolla luan si mbrojtës i majtë dhe me ardhjen e tij, ekipi “blindon” këtë anë të difensivës. Kjo do të jetë aventura e parë e tij si futbollist profesionist në Shqipëri. Memolla numëron gjashtë paraqitje me Kombëtaren.

hysen memolla

Sakaq, shkarkimi i trajnerit Shpëtim Duro ka risjellë përsëri në pankinën e Egnatias Edlir Tetovën duke përsëritur kështu rokadën mes tyre. Trajneri ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku ka treguar gjithçka rreth pritshmërive dhe asaj që kërkon të injektojë në skuadër.

EDLIR TETOVA 1 (1)

Nga drejtor teknik, sërish trajner, si ndodhi kjo rokadë?

Ju e dini se këtë grup e ndërtuam në verë me bashkëpunëtorët e mi, administratorin Klejdi Zenelaj dhe drejtorin Ndriçim Shtubina. Më pas patëm luhatje, por unë vazhdova marrëdhënien korrekte me klubin. Kjo solli rikthimin tim si drejtor, por në fakt me idenë e bashkëpunimit afatgjatë dhe i gatshëm t’i ndihmoj klubit aty ku ai do të më thërrasë. E ndiej veten pjesë të familjes, prandaj pranova ftesën e Demrozit për të rimarrë drejtimin e ekipit.

Ndërkohë që nuk kemi një konfirmim zyrtar të pozicionit tuaj. Keni firmosur një kontratë të re?

Jua thashë edhe më lart se firmat apo letrat nuk mund ta mbajnë askënd lidhur pas karriges. Në të vërtetë akoma nuk kam firmosur një kontratë zyrtare si trajner, por për mua ajo vjen e fundit. Do të ulemi pas sfidës me Partizanin për kontratën, por kjo s’të jep imunitet sa të duash ti, gjithçka varet nga rezultatet që merr me ekipin. Firma e vërtetë është djersa në fushë dhe realizimi i pritshmërive. Unë po punoj sikur do të jem i përhershëm, pastaj nëse vijnë edhe rezultatet që mendoj se i meritojmë, atëherë kontrata morale vlen mbi gjithçka.

Do të përballeni me Partizanin. Si e prisni këtë sfidë?

Në dy sfidat me Partizanin Egnatia ka qenë superiore, pavarësisht se në ndeshjen e parë humbëm në shtesë dhe në Rrogozhinë e mundëm pastër 3-0. Të dyja ekipet vijnë pas disa oshilacioneve në rezultate dhe kjo imponon që të dyja skuadrat të tregohen të kujdesshme në lojë në sfidën mestyre. Por unë kam besim se lojtarët tanë do të japin maksimumin që të dalin nga ky ngërç. Në këtë situatë na duhet kohë dhe lojtarë të uritur për punë, që ndjekin trajnerin. Duhet durim nga të gjithë. Shpresoj dhe besoj fort te një rezultat pozitiv. Vazhdoj të kem bindjen se Egnatia ka një grup cilësor dhe mundësi reale për t’u ngjitur lart në tabelë.

Ka Egnatia ndaj Partizanit mungesa?

Jo, fatmirësisht grupin e kam të plotë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"