Egbo para shkarkimit: Nëse dikush e bën më mirë punën se unë është i mirëpritur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 18:44

Egbo para shkarkimit: Nëse dikush e bën më mirë punën se unë është i mirëpritur

Emanuel Egbo e kishte kuptuar që ishte në prag të shkarkimit pas ndeshjes me Korabin që nxori jashtë Tiranën. Në intervistën për “Panorama Sport”, ish-numri një i stolit të Tiranës, pak minuta se të shkarkohej pranoi se eliminimin nga Kupa ai dhe Tirana do ta qante deri në fund të sezonit.emanuel egbo

Tre vitet e fundit keni qenë gjithmonë në finale, por jeni eliminuar nga Kupa që në turin e dytë të saj?

Është e vërtetë që është një humbje e rëndë. Tirana luan në të dyja frontet. Pretendon për të fituar titullin dhe kampionatin. Është një eliminim që do të na kushtojë shumë. Do ta qajmë deri në fund të kampionatit. Gjithsesi, kaq janë mundësitë, duke pasur parasysh lojtarët e dëmtuar që kishim apo futbollistët e grumbulluar në ekipin kombëtar. Kishim mbetur me pak futbollistë dhe u detyruam që të plotësoheshim nga lojtarë nga akademia. Siç e patë edhe ju, kisha 5-6 lojtarë 18-vjeçarë. Aq mundësi kishim sot. Nuk e mbyllëm ndeshjen shpejt.

Skuadra nuk reagoi fare edhe pse në fushë ishin lojtarët e mirë dhe jo ata të akademisë?

Jam dakord me ju. Atë fola edhe para ndeshjes dhe pas pjesës së parë. Duhet të bënim gol. Po shënimi i golit me zor apo sa më shpejt na solli në kaos dhe na humbi qetësia. U mundova që këtë fakt t’ua bëja të ditur lojtarëve në fushën e lojës. Duhet të them edhe diçka tjetër. Nëse shënonim, atëherë loja do të ishte ndryshe. Ekipet që të rrinë pas të dëmtojnë në kundërsulm. E pësuam sepse nuk kishim durim. Nuk kishim qetësi dhe nuk çamë dot tre linjat e bëra bashkë. Thjesht nuk bëmë dot asgjë. Loja shkoi në shtesë dhe më pas lodhja bëri të vetën, sepse disa lojtarë nuk kishin mundësi fizike. Kanë luajtur çdo ndeshje 90 minuta. Deri ku ka luajtur i dëmtuar. Nuk kishim lojtarë që t’i hidhnim në fushën e lojës.

Mund të pësohet një gol i atillë në minutën e 118-të të takimit?

Janë gjëra që ndodhin në futboll. Asnjë lojtar nuk dëshiron që të bëjë atë gabim, por ndodh. Nuk ke çfarë të bësh. Ai nuk ka dashur të dëmtojë veten dhe skuadrën. Toli ka luajtur të gjitha ndeshjet si titullar. Duhet të kishte bërë një lëvizje të shpejtë. Futbolli ky është. Nëse dikush nuk gabon, tjetri nuk fiton.

Ka zëra për të ardhmen tuaj te Tirana?

Të ardhmen time te Tirana nuk e komentoj dot. Kam dhënë maksimumin tim këtu. Nuk mendoj për të ardhmen time. Me këtë klub kam dhënë maksimumin. Nëse klubi e mendon ndryshe apo ndonjë gjë të ngjashme e pranoj. Nëse dikush e bën më mirë se Egboja, le të vijë. Jam i qetë se e di çfarë kam bërë dhe çfarë mund të bëj. Me kaq mungesa nuk mund të bëhet më shumë. Ne jemi gjithmonë të rrezikuar. Nuk ka pasur asnjë shkëndijë më përpara. Unë merrem me punë, jo me fjalë apo gjëra të tjera. Deri sot kemi punuar të qetë. Diçka tjetër nuk është në horizont. Sapo kemi nisur sezonin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"