Ecuria fantastike e Teutës, Shkëmbi: Ndaj Laçit dua një dhuratë, ja kush do afrohet në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2018 | 13:53

Ecuria fantastike e Teutës, Shkëmbi: Ndaj Laçit dua një dhuratë, ja kush do afrohet në merkato

Teuta ka mbyllur për gatitjet për ndeshjen e radhës, atë përballë Laçit, që do të luhet sot në “Niko Dovana”. Skuadra vjen në këtë takim pas një ecurie mbresëlënëse dhe me moralin e duhur.

Shkembi

Për teknikun Bledi Shkëmbi është ndeshja më e fortë e këtij momenti dhe është një tjetër test force për të besuarit e tij. Ky i fundit, në një prononcim për “Panorama Sport”, flet për rëndësinë e ndeshjes përballë kurbinasve dhe falënderon djemtë për djersën e derdhur deri në këtë fazë të sezonit.

Bledi, jemi në ndeshjen e fundit për këtë vit dhe fazën e dytë, çfarë prisni nga ky takim?

Si në çdo takim, pres të luajmë lojën tonë, të shprehim futbollin tonë dhe të marrim tri pikët. Jemi përballë një ndeshjeje shumë të fortë dhe duhet të japim të gjithë më të mirën në fushën e lojës. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe për momentin që po kalojmë.

Si vjen skuadra në këtë përballje, do të kemi ndryshime apo do shohim sërish të njëjtën Teutë?

Ekipi vjen në këtë takim me moralin dhe besimin e duhur, normalisht duam të bëjmë mirë dhe në këtë takim për të mos e prishur ecurinë që kemi. Mungesa e vetme është ajo e Bicajt që ende nuk është në 100 përqindëshin e tij. Pjesa tjetër ka punuar vazhdimisht, jemi përgatitur dhe shpresoj të jetë dita jonë nesër për të marrë maksimumin në ndeshje.

Një fitore përballë Laçit, do ishte dhurata më e mirë për këto festa?

Mendoj që nuk do jetë dhuratë vetëm për mua, por për të gjithë, si për klubin, për stafin, lojtarët dhe qytetin. Më e rëndësishme është për lojtarët që kanë djersitur nga korriku dhe patjetër do jetë dhurata më e bukur, të fitojmë dhe të mbyllim këtë vit në vendin e dytë.

A ka diçka që i druheni kundërshtarit?

Ne respektojmë çdo kundërshtar, për më tepër i vlerësojmë dhe kështu jemi sjellë edhe ndaj Laçit. Nuk kam asgjë që i druhem kundërshtarit, e dimë që do luajmë përballë një skuadre të mirë, me cilësi, por asgjë për t’u frikësuar apo për të thënë që i druhem. Pres nesër nga djemtë të japin gjithçka që të marrim fitoren e radhës.

Si do ta përshkruanit eksperiencën tuaj te Teuta deri në këtë pikë të edicionit?

Normalisht jam i kënaqur me skuadrën apo edhe me ecurinë që kemi krijuar. Unë e di shumë mirë që nuk mjafton vetëm gjysma për t’u kënaqur, pasi llogaritë bëhen në fund të kampionatit dhe kemi dhe një gjysmë tjetër për të zhvilluar. Për fatin tonë të mirë, rezultatet kanë qenë të mira, por edhe nëse nuk do ishim këtu ku jemi, sërish do shikonim përpara. Nuk duhet të vetëkënaqemi aspak, por këto rezultate dhe kjo ecuri duhet të na shërbejë si motivim për të ardhmen.

Siç e thatë edhe ju, sot mbyllet gjysma e parë e kampionatit. A keni ndonjë peng për gjysmën e parë të sezonit?

Ndoshta mund të jem gabim, por personalisht edhe kur isha lojtar, nuk mendoja aspak për ndonjë peng nga e kaluara, por gjithmonë kam hedhur sytë nga e ardhmja, nga ajo çfarë më pret. Vazhdoj t’i qëndroj besnik kësaj “tradite” dhe tani që jam trajner, duke menduar vetëm për të ardhmen, duke filluar nga ndeshja e radhës e në vazhdim.

Jemi në prag merkatoje. A ka Shkëmbi një emër që do dëshironte ta kishte pjesë të organikës në pjesën tjetër të kampionatit?

Nëse do kishim një emër apo një preferencë për ndonjë lojtar, ne do ta kishim të përbashkët me klubin. E kam thënë që në merkato do afrohet dikush që ofron më shumë cilësi, në të kundërt jo. Personalisht jam shumë i kënaqur me grupin, me organikën që kam dhe dua të gjej rastin t’i falënderoj të gjithë lojtarët, për atë që kanë bërë dhe dhuruar deri në këtë pikë të sezonit.

ANARILDO ALIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"