E refuzoi disa vite më parë, mediat italiane: Igli Tare në vend të Maldinit te Milani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2023 | 23:29

E refuzoi disa vite më parë, mediat italiane: Igli Tare në vend të Maldinit te Milani

Futbolli italian do të përjetojë ndryshime të mëdha gjatë kësaj vere, jo vetëm me lëvizje lojtarësh e trajnerësh në klubet më të njohura, por edhe të drejtuesve sportivë të tyre. Dhe kjo valë lëvizjesh përfshin edhe një klub si Milani, ku Paolo Maldini është shumë pranë largimit nga kuqezinjtë për shkak të mosmarrëveshjeve me presidentin Xherri Kardinale.

maldini tare

Lajmi i bujshëm pritet të konfirmohet së shpejti nga klubi kuqezi, nga i cili do të largohet edhe Frederik Masara. Por kush do të jenë ata që do të marrin vendin e tyre në organigramën e klubit? Një emër i bujshëm që ka filluar të qarkullojë që sot në mediat italiane, është ai i Igli Tares.

“TMW”, një nga mediat e para që ka publikuar lajmin se Maldni ishte pranë largimit nga Milani, raporton  se emri i drejtuesit shqiptarë, i cili si për ironi të fatit e mbylli me Lacion po sot, përmendet si emri i ri në strukturën e klubit. Kështu, largimi i Tares nga Lacio në fakt do të ishte një tjetër hap para për drejtuesin shqiptar, te një skuadër me pretendime shumë më të mëdha se sa bardhekaltrit.

Tare u kontaktua edhe disa vite më parë nga drejtuesit e Milanit të cilët kërkuan që ai të merrte rolin e  drejtorit sportiv të kuqezinjve. Por asokohe, ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare e refuzoi ofertën, pasi vendosi t’i qëndronte besnik Lacios, duke e ndihmuar që të krijonte një tjetër cikël interesant nën drejtimin e Simone Inzagit e më pas Mauricio Sarrit. Tani, gjërat mund të marrin një rrjedhë krejt tjetër…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"