E papritur! Totenhemi kthen nga aeroporti drejtuesit e Bajernit, anulohet takimi për Herri Kejn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2023 | 19:10

E papritur! Totenhemi kthen nga aeroporti drejtuesit e Bajernit, anulohet takimi për Herri Kejn

Një nga telenovelat më të diskutuara të merkatos së verës vazhdon të dhurojë të papritura të mëdha sa i përket negociatave të dy klubeve të përfshira. Totenhem dhe Bajern Mynih duket se nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët sa i përket transferimit të Herri Kejn në Gjermani dhe një takim mes palëve ka parë të anulohet në minutat e fundit.

kejn

Drejtuesit e klubit gjerman duhej të niseshin sot drejt Londrës për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve me Daniel Levi, administratorin e klubit anglez për të negociuar detajet e kalimit të sulmuesit të Anglisë. Jan-Kristian Dresen dhe Marko Nepe, dy zyrtarë të lartë të klubit bavarez po përgatiteshin të niseshin me avion privat, kur janë lajmëruar se takimi i planifikuar për sot nuk do të zhvillohej dhe do të shtyhej për fillimin e javës së ardhshme, në një datë ende të pacaktuar.

Nuk dihet ende se për cilën arsye Levi vendosi të anulonte takimin e sotëm, por palët po negociojnë prej kohësh në distancë për diferencën mes 100 milionë eurove që është i gatshëm të paguajë Bajerni me 100 milionë paund që kërkon Totenhem.

Bavarezët janë të frikësuar se mos tërheqja e drejtuesit anglez ka të bëjë me interesimin në rritje të PSG-së për sulmuesin, që e sheh i alternativën më të mirë për Kilian Mbape, nëse arrin të sistemojë gjatë kësaj vere francezin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"