E ndiqte Jang Bojs, lojtari i Bylisit “qan” dëmtimin në momentin më të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2019 | 8:30

E ndiqte Jang Bojs, lojtari i Bylisit “qan” dëmtimin në momentin më të mirë

Franci Ymeralilaj ishte realisht pa fat. Në momentin më të mirë, u dëmtua. U bë gati një muaj e gjysmë jashtë fushave, por vetëm pak ditë më parë mësoi se në ndjekje të tij ishte vënë klubi zviceran i Jang Bojs. Një gjë të tillë e zbuloi vetëm pas deklaratës që dha në “News 24” presidenti Besnik Kapllanaj.

franc ymeralilaj

Ndien keqardhje, pasi ajo rrëshqitje në miqësoren ndaj Luftëtarit në stadiumin “Gjirokastra” i hoqi një shans të tillë nga duart, por nuk dëshpërohet. Mbrojtësi i djathtë thekson për “Panorama Sport” se Kupat e Europës do t’i gjejë prej Bylisit. “Dihet dëmtimi që pësova në Gjirokastër për shkak të fushës dhe tashmë duhet që të pres 4-6 muaj. Praktikisht duket se sezoni është mbyllur. Por bëra operacionin dhe tashmë do të filloj fazën e rikuperimit. Viti i Ri më gjen duke punuar për riaftësimin”.

Oferta? “Presidentin e dëgjova teksa tha se kishte një ofertë apo interesim prej Jang Bojs. Të them të drejtën, nuk e dija. Ai njihet për surprizat. Më ka thënë që kur kam nënshkruar se në Ballsh do të kem mbështetje dhe ashtu ka ndodhur. Madje, mua dhe lojtarët e tjerë më perspektivë na mobilizon gjithnjë. E thotë shpesh që të luajmë futboll për veten tonë, sepse ai dhe njerëzit e tjerë të klubit do të na ndihmojnë që të shitemi dhe të kemi një karrierë më të mirë. Jang Bojs do të ishte me të vërtetë diçka shumë e madhe. Realisht unë po luaja dhe deri në momentin e dëmtimit kam qenë një nga lojtarët me më shumë minuta në Superiore dhe te Bylisi. Por, çfarë të bësh… Do të rikthehem më i fortë. E falënderoj presidentin që më ka qëndruar afër në këtë periudhë të vështirë apo dhe trajnerin Dovedan, që është një njeri shembull, më ka ndihmuar shumë. Të gjithë ne lojtarët e rinj kemi mbështetjen e tij. Punon shumë edhe në mënyrë individualë me ne, kërkon më të mirën. Shpresoj që kur të rikthehem ta gjej Bylisin në Europë”, përfundoi anësori i mallakastriotëve.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"