“E kemi për detyrë ta çojmë Flamurtarin atje ku e ka vendin”, Kreshpa: “Lutemi” për federimet, finalizimi një problem për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2020 | 16:15

“E kemi për detyrë ta çojmë Flamurtarin atje ku e ka vendin”, Kreshpa: “Lutemi” për federimet, finalizimi një problem për ne

Te Flamurtari duan ngjitjen e menjëhershme në elitë. Edhe pse do të jetë një “mision” me shumë pengesa, lojtarët janë të vendosur që të luftojnë deri në fund. Këtë e thotë edhe Kenviol Kreshpa, që ka hyrë në të tretin sezon me kuqezinjtë.

Flamurtari

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi pranon se Kategoria e Parë është terren i panjohur dhe i vështirë, por mendon se kanë kapacitetet për ta përballuar me sukses. Një problem që e kanë hasur në ekip është finalizimi, ndaj edhe 20-vjeçari shpreson që të korrigjohet shënjestra.

Kreshpa, çfarë prisni nga ndeshja me Besën?

Jemi shumë të motivuar për Besën dhe besoj se do të marrim maksimumin. Duke parë ndeshjet e kaluara në kampionat e Kupë, duhet të them se kemi bërë mirë, por kanë qenë gabimet që na kanë penalizuar. Duke mos shfrytëzuar rastet që kishim, nuk na çuan te rezultati që donim. Në këto kushte edhe nga ndeshja me Besën do të futemi në fushë për të bërë një takim të mirë dhe për të marrë pikët, pasi luajmë në fushën tonë dhe është detyrim.

Si paraqitet situata në ekip në nisje të këtij kampionati?

Situata në ekip po përmirësohet dita-ditës duke qenë se edhe lojtarët po mësohen shumë mirë me njëri-tjetrin. Edhe lojtarët e afruar rishtas po rriten avash-avash. Kjo do të na çojë në një grup të fortë. Shpresojmë që të federohen edhe lojtarët që kanë ardhur sepse janë një ndihmë e mirë për ekipin. Këto ditë kemi bërë stërvitje të fortë që edhe trajnerët të marrin më të mirën nga ne.

Mendoni se do të jetë e vështirë Kategoria e Parë?

Sigurisht që do të jetë e vështirë pasi në këtë kategori bëhet një lojë më e fortë, por një skuadër si Flamurtari ka për ta kaluar sepse e kemi për detyrë ta çojmë ekipin atje ku e ka vendin dhe besoj se do t’ia dalim. Me pak vështirësi, por në fund kam bindjen se do të arrijmë të triumfojmë duke realizuar objektivin.

Si mund të ngjitet Flamurtari në elitë?

Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Duhet që ta konsiderojmë çdo ndeshje shumë të rëndësishme. Mendoj se me federimin e 3-4 lojtarëve me eksperiencë do të krijojmë një bazë më të fortë në ekip.

Nisur nga ndeshja e parë në kampionat, çfarë duhet rregulluar në lojë?

Siç e thashë edhe më lart, ndeshjen e parë jemi paraqitur shumë mirë. Kanë qenë ato gabimet tona që nuk morëm rezultatin që donim. Me Turbinën duhet të kishim fituar, por nuk shfrytëzuam rastet që na u dhanë. Një nga gjërat kryesore që duhet rregulluar është pikërisht finalizimi. Duhet të jemi më konkretë përpara  portës, pasi e gjithë loja për golin bëhet.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"