“E kemi dorëzuar 2-3 herë kreun, por tani harrojeni”, Boçi: Ruajmë komandën, me Burrelin nis shkëputja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2021 | 13:22

“E kemi dorëzuar 2-3 herë kreun, por tani harrojeni”, Boçi: Ruajmë komandën, me Burrelin nis shkëputja

Dinamo nuk ka në plan që ta lëshojë kreun. Edhe pse e ka dorëzuar 2-3 herë, në fazën finale i ka idetë të qarta. Skuadra po përgatitet me intensitet maksimal, pasi nuk do blof kundër Burrelit. E presin kundërshtarin në “Selman Stërmasi” dhe qëllimi është fitorja dhe shkëputja. Në këtë stadium ia dolën edhe në fazën e dytë, ndaj do të tentojnë që të përsërisin suksesin. Një gjë të tillë e pohon edhe mbrojtësi Xhorxhian Boçi. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 27-vjeçari analizon këtë 90-minutësh dhe synimet.

BOCI 1

Luhet Dinamo-Burreli këtë të shtunë, ku përballen dy skuadra që kanë ndarë hera-herës kreun me njëratjetrën. Jeni gati për shkëputjen?

Gjatë kësaj jave kemi punuar fort në seancat stërvitore. Është e vërtetë që kemi lëvizur dy-tri herë nga vendi i parë, por tashmë jemi në këtë pozicion dhe do të qëndrojmë kështu deri në fund. Burreli është një kundërshtar mjaft i fortë dhe i respektoj synimet dhe objektivat e tij.

Cila është gjendja e grupit, keni mungesa?

Morali ynë është i lartë dhe grupi solid para këtij 90- minutëshi. Qëllimi ynë i vetëm është fitorja. Të gjithë pa përjashtim jemi të sigurt se do t’ia dalim. Sfida ka marrë vlerësimin tonë maksimal dhe jemi në momentet e fundit të seancave stërvitore ku kemi punuar fort në aspektin fiziko-teknik.

Gara në Grupin A po bëhet gjithnjë e më e ashpër, aq sa e ke të vështirë të thuash kush do ngjitet direkt. Sa shanse keni që të ngjiteni në elitë?

Për ne çdo ndeshje është një finale. Lojtarë, staf, president janë bërë bashkë për të vetmin objektiv: ngjitjen në elitë.

A i mungon Dinamoja Superiores?

Dihet cila është Dinamoja. Fjalët do të ishin të tepërta. Kjo “markë” e futbollit shqiptar nuk njihet vetëm këtu, por edhe prej të huajve. Të gjithë ne futbollistët që kemi veshur fanellën blu e dimë se sa vlerë ka dhe peshën e rëndë të saj. Është klubi që zotëron 18 tituj kampion, ç’mund të thuash më shumë… Dihet se sa i mungon Kategorisë Superiore ky ekip. Së bashku jemi këtu këtë sezon për të ringjallur këtë klub elitar. Me aftësitë e përpjekjet tona, me përkushtimin maksimal si dhe me ndihmën e gjithë stafit, drejtuesve të klubit si dhe me pak ndihmë nga Zoti do t’ia dalim.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"