Dy rekorde të thyera në një ndeshje për Egnatian, tani e kanë radhën golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2024 | 20:01

Dy rekorde të thyera në një ndeshje për Egnatian, tani e kanë radhën golat

Egnatia bëhet gati për pjesën e fundit të sezonit me ndërgjegjësimin e plotë që ka tejkaluar çdo pritshmëri deri tani. Skuadra rrogozhinase kryeson kampionatin që në javët e para dhe ka shkuar në katërshen e më të mirëve në Kupë, duke synuar që të rifitojë edhe një herë këtë trofe.

Egnatia

Por objektivi kryesor është kampionati dhe skuadra e ka treguar ambicien e plotë, duke bërë që tani edicionin më të mirë të historisë së saj në elitë, edhe pse mbeten për t’u luajtur 7 ndeshje të tjera deri në fund të sezonit të rregullt në Superiore. Fitorja ndaj Kukësit në fundjavë, i mundësoi ekipit të drejtuar nga Edlir Tetova që të thyente dy rekorde.

Kjo ishte fitorja e 15-të në kampionat, duke kaluar shifrën 14 në një sezoni të vetëm që i përkiste edicionit të kaluar. I sezonit të mëparshëm ishte edhe rekordi i pikëve, që ishin 52 pas 36 javësh, ndërsa rrogozhinasit me suksesin në fundjavë shkuan në 54 në vetëm 29 ndeshje.

Rekordi tjetër që pritet të thyhet është ai i golave të shënuar në elitë. Egnatia ka aktualisht 46 gola të shënuar, aq sa regjistroi në fund të të gjithë sezonit të kaluar. Me 7 ndeshje të mbetura për t’u luajtur, kjo shifër padyshim që do të përmirësohet ndjeshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"