Dy raunde bisedimesh ditën e djeshme, Milinkoviç pret zyrtarizimin si trajner i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2018 | 11:21

Dy raunde bisedimesh ditën e djeshme, Milinkoviç pret zyrtarizimin si trajner i Partizanit

Partizani pritet që t’i japë fund pritjes së gjatë, pasi prej tri javësh të kuqtë janë futur në një fazë gjumi, ku pushimi ka eklipsuar çdo lëvizje te “demat”. Përcaktimi i stafit të ri teknik konsiderohet çështje orësh dhe gjasat janë që ish-trajneri i Luftëtarit dhe Kukësit, Mladen Milinkoviç, të jetë “timonieri” i ri i të kuqve.

Milinkovic

Thuhet kështu, pasi dje ka pasur një intensitet bisedimesh mes palëve. Trajneri serb është përfaqësuar në këtë takim nga avokati i agjencisë ku bën pjesë, i cili ka zhvilluar dy raunde bisedimesh me drejtuesit e kuq. “Panorama Sport” ka mësuar se fillimisht përfaqësuesi i trajnerit serb është takuar me presidentin Gaz Demi, ku parimisht kanë rënë dakord në terma.

Por, pas këtij takimi është lënë dhe është zhvilluar edhe një bisedë tjetër në orët e mbrëmjes së djeshme, ku i pranishëm ka qenë edhe Drejtori i Përgjithshëm i klubit, Olsi Rama. Praktik isht, thuhet se gjërat janë kopsitur dhe Mladen Miliknoviç pret vetëm zyrtarizimin e tij si trajner i Partizanit, por duhet të presë deri sa KAS-i të vendosë për Skënderbeun.

Duke iu referuar praktikës të së shkuarës, gjithçka mund të ndryshojë atëherë kur nuk e pret, ndaj serbi do të quhet i konfirmuar vetëm pasi ta ketë zyrtarizuar vetë klubi. Brenda kësaj jave pritet që drejtuesit ta ndajnë “shapin nga sheqeri”, në mënyrë që ekipi të zbresë në fushë dhe të nisë përgatitjet për sezonin e ri.

Shpresat janë që puna të nisë për pjesëmarrjen në Ligën e Europës, ku edhe përfitimi ekonomik do të jetë më i madh. Nëse Milinkoviç emërohet zyrtarisht, me shumë mundësi të kuqtë e kanë edhe garancinë për të marrë pjesë në Europë, duke e marrë si të mirëqenë pezullimin e Skënderbeut. Milinkoviç pritet që të mos vijë i vetëm, pasi ai gjithnjë ka vepruar me staf nga pas.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"