“Dy gjëra nuk bëjnë sens tek ekipi”, ish-drejtori Laluci: Besoj te ngjitja në elitë, ja ku gaboi Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2024 | 16:23

“Dy gjëra nuk bëjnë sens tek ekipi”, ish-drejtori Laluci: Besoj te ngjitja në elitë, ja ku gaboi Flamurtari

Vangjel Laluci beson se Flamurtari mund të ngjitet në Superiore përmes “play off”-it. Ish-drejtori i klubit mendon se humbja me Burrelin është një marsh prapa për skuadrën, ndërsa ishin shanset për të arritur Elbasanin.

vangjel laluci

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Laluci thekson se stafi teknik duhet të punojë edhe për anën psikologjike të skuadrës. Ish-drejtori thotë se ekipi duhet të shënojë dhe se duhet punuar më shumë në këtë drejtim.

Humbja me Burrelin, a e vështirëson misionin e Flamurtarit?

Matematika na mban në lojë, por futbolli s’është shkencë ekzakte. Nuk them se do kapim Elbasanin. Humbja me Burrelin është një marsh prapa. Duhet ta fitonin ndeshjen, jo ta linim të mbyllej në atë mënyrë, pasi  na duheshin tri pikët. Me një gabim të Elbasanit ne edhe mund që të afroheshim. Kishim një shpresë për t’i kapur. Unë nuk dua që të tregohem pesimist, por do ta kemi të vështirë.

Ishte surprizë për ju fitorja e Burrelit?

Para 15 ditësh me Burrelin morëm një fitore spektakolare, me lojë dhe me gola. Natyrisht që trajneri i tyre do të merrte masa kur të vinte këtë herë në Vlorë. Nuk kishin çfarë të humbnin. Ishin të qetë dhe kishin përgatitur manovrat e tyre, sidomos në fazën mbrojtëse. Unë them se e realizuan. Mbyllën zonat dhe nuk na krijuan hapësira.

Trajneri Memushi dhe lojtarët u shprehen se Burreli vetëm një herë na erdhi në portë. Si e lexoni këtë gjë?

Në të tilla raste është bërë e modës që të futemi në retorikë dhe të themi që ne luajtëm mirë, por nuk shënuam. Patëm raste, luajtëm, por nuk bëmë gol. Ka dy gjëra që nuk bëjnë sens.

Cilat janë këto gjëra?

Kemi një gol të pësuar dhe asnjë të shënuar. Janë dy gjëra që trajneri dhe lojtarët duhet të mbajnë qëndrim. Nuk mjafton të themi se nuk patëm fat. Kjo është domethënia edhe e trajnerit tonë, Eqeremit.

Si duhet të sillej Flamurtari në këtë ndeshje?

Nëse nuk shënon një gol, të paktën nuk duhet të pësosh. Është shprehja klasike, se një ndeshje që nuk e fitojmë dot, të paktën nuk duhet ta humbasim. Në këtë drejtim shikoj mangësi. Ekipi luajti, krijoi volum dhe kërkoi golin. Problemi është se si e kërkoi golin. Në manovra ishim pak të ngadaltë. Duhet që të ishim të qetë dhe më të shpejtë, sidomos pas pësimit të golit. Pati shenja nervozizmi dhe nxitimi. Kjo nuk i shërben lojës. Duhet qetësi që të kemi shpejtësi në manovër.

Çfarë duhet të bëjë stafi dhe skuadra?

Duhet të merren masa. Të shikohet edhe aspekti psikologjik. Vijmë pas 4 ndeshjesh të mira. Nuk vumë re shenja mendjemadhësie, apo injorimi të kundërshtarit. Lumturia e Burrelit u ndërtua mbi fatkeqësinë tonë, por kështu është futbolli. Duhen parë gjërat më seriozisht.

Besoni se Flamurtari e kap Superioren në fund të sezonit?

Kemi edhe ndeshje të tjera. Kishim një projeksion për vendin e dytë. Besoja se nëse do merrnin 100% të pikëve, do ta arrinim këtë gjë. Rruga e vetme na mbetet “play off”-i dhe besoj se na nxjerrë në elitë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"