“Duhet të kishim 20 pikë, kemi lojtarët më të mirë “, flet Nexhipi: Kritikat e Gjicit janë të drejta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2019 | 21:14

“Duhet të kishim 20 pikë, kemi lojtarët më të mirë “, flet Nexhipi: Kritikat e Gjicit janë të drejta

Nderim Nexhipi nuk fshihet. Drej tori sportiv i Kukësit, në një intervistë për “Panorama Sport”, thotë ndër të tjera se kishte parashikuar të paktën 20 pikë pas 10 ndeshjeve të para.

nderim nexhipiii

Skuadra pozicionohet e pesta me 15 pikë, duke e zhgënjyer presidentin Safet Gjici, por jo vetëm atë. Megjithatë, lojtarët që ka Kukësi e bindin Nexhipin për të pasur besim maksimal se do të fitojnë titullin në fund.

Pse kaq oshilacione, cilat janë arsyet që ekipi nuk është aty ku duhet?

Është fakt se nuk kemi qenë stabël në fazën e parë të kampionatit, kemi pësuar disa humbje që nuk i kemi pritur, por që në futboll secili jep maksimumin dhe nuk ka ndeshje të lehta. Kemi humbur ndeshje si ajo ndaj Bylisit apo Teutës, të cilat na kanë bërë që të jemi në këto pozita.

Sa pikë kishit llogaritur në fazën e parë dhe sa ju mungojnë?

Nga 30 pikë duhet të kishim të paktën 20 pikë, por asgjë nuk është e parashikueshme, apo të del siç e ke llogaritur. Unë jam i bindur që në fazën e dytë do të bëjmë shumë mirë. Kemi kualitet dhe tashmë besojmë shumë se do të ecim mirë.

nderim nexhipi

Mbrojtja duket e pastabilizuar, mos ndoshta në verë duhet të kishit bërë të tjera zgjedhje?

Kemi pësuar ndryshime, dy qendrat e mbrojtjes janë larguar, kemi afruar një lojtar si Obanor, i cili është një futbollist mjaft i mirë dhe me kualitet dhe bën diferencën në kampionatin tonë. Gjithashtu dhe Kitanovski ka bërë një fazë të mirë, por edhe Teqja e Maliqi. Nuk mendoj se kemi probleme në mbrojtje, thjesht duhet të bëjmë pak më mirë në grup.

Nuk po gjeni serish një fushë ku të luani rregullisht, si do veproni në vazhdimësi?

Nuk është se nuk po gjejmë fushë, ne këtë vit e kemi vendosur që do luajmë në Elbasan. “Elbasan Arena” të jetë shtëpia jonë dhe atje kemi luajtur deri para pak ditësh. Por duke qenë se atje po ndërrohet tapeti, nuk ka qenë e mundur të zhvillonim ndeshje. Ndaj Luftëtarit dhe Flamurtarit jemi të detyruar t’i zhvillojmë takimet në Lushnjë. Nuk kemi probleme fushe, sepse pas Flamurtarit do të rikthehemi në Elbasan, pasi stadiumi do të jetë dhe gati me tapetin e ri.

Presidenti Gjici ka qenë i zhgënjyer, duke dhënë mesazhe të qarta edhe për trajnerin. A ndihet stafi dhe ekipi nën presion?

Presidenti ka të drejtën e tij pasi ka investuar në ekip, e me ndihmën e tij kemi arritur të sjellim për mendimin tim lojtarët më të mirë në Shqipëri. Kemi një grup me lojtarë shumë cilësorë, ndaj pritet më tepër. Kur shikon që ekipi nuk është në dy vendet e para, është normale që presidenti të jetë i mërzitur, por e ka thënë dhe ai që është vetëm fillimi e ka dhe shumë pikë deri në fund. Tashmë duhet të marrim tri pikët ndaj Flamurtarit, ndaj një ekipi që ka filluar të bëjë lojëra të mira. Nuk neglizhojmë apo nënvlerësojmë askënd. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një e të marrim maksimumin e pikëve deri në dhjetor.

Gjici-Nexhipi

Cili mendoni se do të jetë rivali juaj më i fortë deri në fund?

Ky kampionat është shumë i çuditshëm. Për rivalët kryesorë është normale që do të jenë Partizani dhe Tirana, por edhe Teuta do të jetë aty duke luftuar. Po ashtu mendoj që pa nënvlerësuar asnjë ekip, Bylisi ka pasur një ecuri shumë të mirë, duke qenë surprizë. Por, besoj se këto ekipe që përmenda do të shkëputen në fund të fazës së dytë.

Cilin Kukës do të preferonit, këtë aktualin, apo të vitit të shkuar që fituat Kupën dhe dolët nënkampionë?

Kemi pësuar ndryshime në ekip, ai i vitit që shkoi mori vendin e dytë dhe fitoi kupën. Shpresoj që me ekipin aktual, me grupin që kemi të fitojmë titullin dhe kupën, pasi kemi një grup shumë të konsoliduar. Titulli është prioritet për ne, pasi i dimë të gjitha pretendimet e klubit. Por, që të arrihen këto, secili duhet të bëjë maksimumin, ata në fushë dhe ne si drejtues.

Merkatoja e janarit po vjen, çfarë ka piketuar Nexhipi për të afruar?

Në merkaton e janarit nuk besoj se do të ketë shumë ndërhyrje, ndoshta 1-2 lojtarë, nëse do i kërkojë trajneri të afrohen. Grupi është më se i konsoliduar dhe shpresojmë se do të bëjmë më të mirën.

I trembeni duelit ndaj Flamurtarit, paçka se mbyll tabelën?

Vazhdoj të them se ky kampionat është shumë i çuditshëm dhe një tregues është dhe Flamurtari. Ky klub ka një fanellë të rëndë dhe po kalon një krizë shumë të thellë. Megjithatë, ky kampionat po e tregon se nuk ka asnjë ekip që është favorit. Çdokush ka marrë pikë kundër gjithkujt, kështu që nëse nuk do japim maksimumin ndaj Flamurtarit, do ta kemi shumë të vështirë.

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"