Duel mes rivalësh të vjetër, Partizanit i ecën në shtëpi ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 15:50

Duel mes rivalësh të vjetër, Partizanit i ecën në shtëpi ndaj Vllaznisë

Partizani dhe Vllaznia janë dy kundërshtarë të vjetër të futbollit shqiptar dhe gëzojnë një rivalitet të madh mes njëri-tjetrit. Para tri vitesh, në një ndeshje me shkodranët Partizani humbi titullin, teksa në vijim kuqeblutë i kanë shkaktuar të kuqve dy eliminime nga Kupa.

partizani vllaznia

Gjithsesi, në sfidat e luajtura në Tiranë, shkodranët kanë hasur gjithnjë vështirësi me “demat”. Partizani ka arritur të fitojë tri sfidat e fundit që ka luajtur kundër Vllaznisë në kryeqytet. Jo vetëm kaq, por edhe në ndeshjet e luajtura në Shkodër së fundmi, Partizani nuk ka dalë me humbje.

Tri sfidat e fundit në “Loro Boriçi” janë mbyllur me rezultat të barabartë. Humbja e fundit për Partizanin kundër këtij rivali daton para më shumë sesa një viti, më 1 mars 2023, në një fitore me shifrat 3-1 në Shkodër për llogari të Kupës.

BILETAT – Partizani ka publikuar dje çmimet e biletave për ndeshjen e së dielës kundër Vllaznisë, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”. Me qëllimin për të pasur sa më shumë mbështetës në stadium, çmimet janë të pranueshme. Një vend në tribunën përballë kushton 500 lekë të reja, ndërsa pas portave, 300 lekë. Çmimet në tribunën kryesore janë 2000 dhe 3000 lekë. Biletat mund t’i gjeni në pikën e shitjes në “Selman Stërmasi”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"