“Duel i shkollës jugosllave”, Mirsad Jonuz kërkon të mundë boshnjakun e Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2019 | 13:27

“Duel i shkollës jugosllave”, Mirsad Jonuz kërkon të mundë boshnjakun e Bylisit

Trajneri Mirsad Jonuz në daljen e tij para mediave është shprehur i bindur se Vllaznia do të arrijë që të kthehet te fitorja. Ai ka vlerësuar skuadrën ballshiote.

mirsad jonuz

Për teknikun kuqeblu, të dyja skuadrat kanë shumë të përbashkëta, për më tepër nisur edhe se ato drejtohen nga e njëjta shkollë futbolli. Mungesat janë sërish një shqetësim për ekipin shkodran, pasi janë katër lojtarë titullarë që do të mungojnë për këtë sfidë.

Si e shikoni takimin e nesërm (sotëm) përballë Bylisit?

Nesër (sot) do të luajmë një takim shumë interesant dhe për më tepër shumë të rëndësishëm. Ne do të luajmë me një skuadër që ka më shumë pikë se ne. Janë disa ekipe që kanë një ngjeshje në pikë dhe kjo e bën një kampionat shumë interesant. Një javë skuadra është lart, një javë poshtë, por ne kërkojmë që të kthemi tek ajo vijueshmëri e mirë që kishim.

Me sa mësohet, për këtë takim keni katër lojtarë që nuk do të luajnë?

Po do të kemi katër lojtarë që do të na mungojnë për këtë takim. Por, kur shoh listën e lojtarëve të mi, shikoj se vetëm dy lojtarë nuk kanë luajtur në këtë sezon. Flasim për Repaj dhe Gojaçaru (Maksim). Dhe nesër (sot) do të kemi rastin që të jenë të tjerë lojtarë të rinj.

Çfarë mund të thoni për ekipin e Bylisit?

Bylisi ka një skuadër të mirë. Lojtarë që luajnë prej disa kohësh bashkë. Ato kanë treguar lojëra të mira dhe kanë arritur të marrin më të mirën si me Partizanin, apo edhe Tiranën. Megjithatë, unë shpresoj që lojtarët e mi të japin maksimumin. Ndoshta pas përfundimit të takimit të marrim tri pikët.

mirsad jonuz

Sa pozitiv ishte zhvillimi i takimit në “Loro Boriçi”, e po ashtu edhe shtyrja e takimit me dy ditë?

Problemi i vetëm ishte stadiumi. Ndërsa nuk do të them se ka pasur ndonjë ndikim të madh shtyrja e takimit. Lojtarët që ishin të dëmtuar nuk arritën t’ia dilnin për të qenë të gatshëm. Dua të them se dy lojtarët e tjerë janë të penalizuar nga kartonët e verdhë. Për Gligorovin dhe Hygorin shpresoj që të bëhen për përballjen me Tiranën.

Kanë të përbashkëta të dyja këto skuadra?

Unë mendoj se si Vllaznia, e po ashtu edhe Bylisi, pak a shumë luajnë të njëjtin futboll. Edhe tek ekipi kundërshtar është një trajner nga ish-Jugosllavia, pra është e njëjta shkollë e jona.

Cili është objektivi i Vllaznisë për nesër (sot)?

Për nesër (sot) Vllaznia nuk ka asnjë shans tjetër veçse fitores. E unë besoj se do ta arrijmë një gjë të tillë.

Në takimin e parë është arritur një barazim. Sërish kjo skuadër kërkon që nesër (sot) të marrë pikë në Shkodër?

Ai ka qenë takimi i startit të kampionatit. Bylisi kishte pothuajse ato probleme si Vllaznia. Ndërsa nesër (sot) si Ballshi e Vllaznia kanë mungesa dhe do të kenë lojtarë të rinj në formacion. Unë kam folur me lojtarët e mi. U kam dhënë dje një ditë pushim dhe besoj se edhe ata lojtarë të rinj që do të aktivizoj nesër (sot) do të japin maksimumin si edhe lojtarët e tjerë.

ADMIR URUÇI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"