“Duam ujë, por s’e kemi gjetur ende… burimin”, Pioli: Do të bëj rrotacion ndaj Lilës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2020 | 10:48

“Duam ujë, por s’e kemi gjetur ende… burimin”, Pioli: Do të bëj rrotacion ndaj Lilës

Një fitore sot në 21:00 do t’i jepte mundësi Milanit të shkëputej me pesë pikë pikërisht nga Lila, ndjekësja më e afër në grup. Tri pikë qetësie të cilat trajneri Pioli i ka komentuar gjatë konferencës së djeshme për shtyp.

pioli

Milan i ri në moshë, por ndeshjet i përball si tepër i pjekur apo jo?

Synimi është që të komandojmë ndeshjet. Vërtet jemi të rinj, por në fushë kemi treguar pjekuri. Kemi punuar mirë deri tani, por rruga drejt përmirësimit është e gjatë. Duhet të rritemi e për këtë nevojitet ende punë.

E prisnit të ishit të parët në Europë dhe kampionat në këtë periudhë?

Më pëlqen të jem optimist. Te djemtë kam besuar gjithmonë. Duam të fitojmë sa herë zbresim në fushë, megjithatë jemi si ata që po gërmojnë një pus për të gjetur ujin. Në duam burimin, por jemi ende larg, sipas mendimit tim.

Në Europë keni ndryshuar 5 lojtarë çdo ndeshje. Do të vijoni ta bëni?

Kam edhe një seancë kontrolli për të zhvilluar e më pas do të vendos. Kemi nevojë për freski dhe energji, ndaj do të ketë pak rrotacion, edhe sepse nuk më duket një garë vendimtare. Kjo nuk do të thotë që nuk është e rëndësishme. Ne duam t’i fitojmë ndeshjet e mbetura që të punojmë sa më të qetë në ndalesën e kombëtareve.

Flisni për përmirësim. Ku keni nevojë sipas jush?

Në aspektin teknik dhe në zgjedhjet që bëjmë në fazën e fundit të aksionit. Duhet të jemi më të saktë sepse kemi mundësi për të qenë më të rrezikshëm.

A ka rrezik që përgëzimet e marra të dehin lojtarët tuaj?

Nuk besoj. Forca jonë më e madhe është pikërisht ekuilibri. E dimë se mund të përmirësohemi edhe më tepër, por njëkohësisht jemi më të vetëdijshëm për punën e bërë deri më tani. Kjo duket edhe në faktin se rivalët përqendrohen edhe më shumë kur luajnë kundër nesh. Jemi të rinj, megjithatë kjo nuk e ndryshon qëndrimin tonë, aq më tepër që nuk kemi fituar asgjë deri më tani.

E prisnit që Dalo dhe Diaz të paraqiteshin kaq mirë?

Ata i afruam pikërisht sepse ishim të bindur për cilësitë e tyre. Jemi të lumtur që janë paraqitur kaq të gatshëm në rastin më të parë që patëm nevojë. Ata i kanë kuptuar mekanizmat tanë dhe pavarësisht se janë të rinj, janë tepër seriozë dhe kanë shumë dëshirë. Për të ardhmen e tyre duhet të pyesni njerëz të tjerë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"